“Babai ma ka hedhur poshtë djersën dhe gjakun, po më shkel me këmbë”

Dajë e nip kanë ardhur në rubrikën “Shihemi në gjyq” për një konflikt parash. I ati i Arianitit dhë njëkohësisht kunati i Bashkimit pretendon se paratë që i ka dërguar i biri nga Greqia, nëpërmjet Bashkimit, nuk kanë mbërritur kurrë. Arianit Rizai shprehet se prej 15 vitesh jeton dhe punon në Greqi, por prej 1 viti e gjysmë ndodhet në konflikt me të atin dhe vëllezërit, i cili mendon se djali nuk punon, pasi nuk ka çuar të ardhura në shtëpinë e tij. “Atë pronë aty e kam ngritur unë me gjakun tim, s’e ka ngritur babai. Më thotë nuk ke punuar ti e ma ka nxjerrë shtëpinë në shitje pa dijeninë time dhe më ka nxjerrë përjashta. Unë lekë babait i kam dhënë kur punoja në Greqi, i dërgoja edhe me atë dajën atje edhe me bankë. Ai më thotë mua që nuk kam sjellë asnjë lekë nëpërmjet dajës.” Bashkimi i jep të drejtë nipit, që e kanë nxjerrë prindërit nga shtëpia, pasi ai ka punuar shumë në Greqi dhe ka investuar në atë shtëpi. Arianiti i dorëzon juristes Eni Çobani dokumente që vërtetojnë transaksionet bankare.

Por Rushani, i ati i tij, pretendon se nuk ka marrë para as nga Bashkimi, as nga banka e as nga ai vetë personalisht. “Babai i këtij nuk pranon edhe për lekët që ka marrë në bankë, as ato që i ka dhënë ky nga xhepi”, shprehet Bashkimi. Arianiti rrëfen vështirësitë që ka kaluar për të mbledhur para në Greqi dhe thotë: “Tani që u bëra unë me nuse, thotë prish familjen ti që të rri unë këtu ose të shes unë shtëpinë që t’i ha unë paratë, bashkë me vëllezërit!”. Bashkimi tregon se ka ndërhyrë në këtë konflikt për t’i ndihmuar, por ka qenë e kotë dhe ka hequr dorë, pasi mosmarrëveshjet vazhdojnë. Nipi i tij ankohet se ka ngelur në mes të katër rrugëve sepse për 1 vit e gjysmë ka qëndruar te vjehrri, por edhe ai e ka larguar, pasi nuk e ka për detyrë të mbajë dhëndrrin në shtëpi. Juristja Çobani thotë se ka komunikuar me një prej vëllezërve të tij, Bardhylin, i cili është shprehur se Arianiti nuk është më vëllai i tyre sepse sipas tij, është i “çoroditur”, nuk ka kontribuar me para në shtëpi, ndaj shtëpia është e Rushanit dhe se martesa e tij është problematike.

Por Bashkimi i përgënjeshtron, duke thënë se nipërit e tjerë kanë krijuar familjen e tyre dhe janë larguar, ndërsa Arianiti ka qenë ai që ka mbajtur të atin dhe ka punuar për të ndërtuar shtëpinë. Pas disa përpjekjesh për të patur një lidhje telefonike në studio me Rushanin, Arianiti u shpreh: “Babai im është fajtor që ka mbyllur telefonat se po të ishte aq i sinqertë dhe i drejtë do të ishte paraqitur këtu”. Bashkimi kërkon të dijë se përse është thirrur në këtë seancë ndërmjetësimi, pasi janë sqaruar shumë herë dhe të gjithë e dinë që paratë e dhëna nga Arianiti i ka dorëzuar në shtëpi te Rushani. Bashkimi – SI të bëj? Vetëm ta vras babanë tënd … Arianiti – Po jo, pse ta vrasësh ti, e vret ligji atë! Bashkimi – Çfarë kërkon ti tjetër nga unë? Arianiti – Unë kërkoj një të drejtë. Ia ke dhënë paratë babait tim apo s’ia ke dhënë? Bashkimi – Ore lëre babain ti! Babait unë ia kam dhënë paratë. “E çoja kokën në gur për atë shtëpi atje, që kam lënë shpatullat. Babai mua sot ma ka hedhur poshtë djersën dhe gjakun po ma shkel me këmbë! Binte shiu, binte dëborë rrija në majë të malit. Njëlloj si dimër si behar, bridhja e shkelja gjarpërinjt me këmbë dhe rrezikoja jetën time, që arrin puna sot që babai im më nxjerr përjashta!”, shprehet Arianiti i trishtuar dhe i agravuar nga sjellja e të atit, duke i kërkuar ndihmë juristes Çobani për të zgjidhur këtë konflikt. Ai shton se pavarësisht gjithçkaje vazhdon dhe do të vazhdojë ta konsiderojë baba. I përzënë nga shtëpia e tij, nga shtëpia e vjehrrit, tanimë edhe nga e dajës, Arianiti kërkon të drejtën e tij ligjore. Juristja Eni Çobani shprehet se nuk ka dokumentacion të plotë për të gjithë paratë që Arianiti i ka dhënë të atit. Por nëqoftëse provohet që paratë që janë depozituar dhe tërhequr në bankë janë përdorur për ndërtimin e shtëpisë, atëherë Arianiti është bashkëpronar dhe këtë nuk mund ta mohojë askush./tvklan.al/

Share With:
Translate »
807 Views