Baballarë, dëshironi një vajzë në karrierë? Lani enët!

Herën më të afërt që burri apo i fejuari juaj qëndron i rehatuar në divanin e sallonit, ndërkohë që ju lani, hekurosni dhe sistemoni shtëpinë, do të ishte mirë që t’i bënit të ditur atij efektet negative që kjo sjellje mund të ketë në të ardhmen profesionale të pasardhësve, e kryesisht të vajzave. Një studim i kryer nga Universiteti i British Columbianë Vankuver dhe i publikuar fillimisht në numrin e fundit të revistës Psychological Science,më pas i sjellë sërish në vëmendje nga Wall Street Journal, tregon lidhjen e ngushtë mes rritjes profesionale të vajzave dhe ndarjes së detyrave, apo punëve brenda mureve të shtëpisë. Studiuesit kanë ekzaminuar sjelljen e 300 të rinjve që vinin nga familje me sjellje sociale të ndryshme. Në disa familje, babai e ndihmonte nënën në punët e përditshme, në disa prej tyre, nuk e ndihmonte fare, kurse në familje të tjera, ishte vetëm babai i cili i bënte ballë gjithçkaje kur nëna ishte në karrierë. Studim tregon, gjithsesi, se më shumë se 60% e punëve të shtëpisë, u ngarkoheshin grave, ndërkohë që vetëm në 15% të familjeve kishte një shpërndarje të drejtë të roleve, mes burrit dhe gruas. Por duket se, pikërisht në këtë 15%, rriten liderët e së ardhmes, ose të paktën pasardhësit me aspiratat më profesionale. Vajzat që shohin shpesh babain e tyre me doreza dhe përparëse te lavamani i kuzhinës, kanë më shumë perspektiva për një të ardhme si shkencëtare, astronaute, arkeologe, por edhe si punonjëse policie apo biologe dentare, gjëra që nuk ndodhin në familjet “tradicionale”. Nga ana tjetër, për meshkujt nuk është e rëndësishme nëse babai i tyre bën ndonjë punë në shtëpi, sepse ëndrra e tyre në sirtar, të paktën për më të vegjlit, është një dhe e vetme: të jenë futbollistë. Me të drejtë do të pyesnit se pse ekziston kjo lidhje e çuditshme?

Studiuesit thonë se vajzat, duke parë babain e tyre të bëjë një veprim të tillë, kanë më shumë besim në vete për sa i takon barazisë gjinore. Ato bëhen më të forta, rriten pa komplekse dhe me dëshira ambicioze për të ecur shumë më përpara në jetë. Kjo mënyrë ndikon edhe në krijimin dhe zhvillimin e një familjeje të shëndoshë, me harmoni dhe pa “dhunë” tradicionale, e trashëguar prej shumë kohësh. Çfarë do të thotë kjo?

Besojmë se shumë prej jush nuk do ta pranonin kurrsesi zbatimin në praktikë të këtij studimi. Pse? Sepse, pothuajse në të gjitha familjet, larja e enëve nga meshkujt është përulje dhe e papranueshme. Ndaj pse të mos i jepni fund një “tradite” të tillë?! Fillimisht mbushini mendjen vetes, krijoni një komunikim të mirë në familje për ndarjen e punëve dhe kështu do të jeni një familje moderne për nga interesi.

Fundja, nëse e keni shumë problem, atëherë enët mund t’i lani edhe kur në shtëpi nuk ka njeri tjetër përveç familjes suaj. Ftojeni vajzën të lajë bashkë me ju enët, ndërsa djali apo vajza tjetër, të ndihmojë bashkëshorten tuaj në një punë tjetër. Punët do të përfundojnë shpejt dhe ju do të keni më shumë kohë për të qëndruar bashkë në divanin e sallonit. Kjo është harmonia që u këshillohet familjeve të së ardhmes. Sigurisht se zgjedhja ju takon juve, pavarësisht sugjerimeve tona.

Faktorë të tjerë për suksesin e fëmijëve tuaj

Besimi, komunikimi i mirë dhe përfshirja aktive e prindërve në shkollim, për suksesin akademik të fëmijës, kanë më shumë rëndësi, sesa thjesht frekuentimi i shkollës apo i fakultetit më të mirë. Suksesin më të mirë në shkollë e arrijnë fëmijët, prindërit e të cilëve në mënyrë aktive janë të përfshirë në shkollimin e tyre, shkojnë shpesh në takimet informative dhe të prindërve dhe rregullisht flasin për problemet, ose sfidat në shkollë.

Të qenët prind i tillë, aktiv, ka rëndësi për notat e mira dhe suksesin e mëvonshëm të fëmijës, sesa thjesht regjistrimi në shkollat më prestigjioze, thonë studiuesit. “Edhe pse një sistem i mirë edukimi është i rëndësishëm në institucionet shkollore, roli i prindit është edhe më i rëndësishëm dhe ai përcakton të ardhmen e fëmijës”. Është e rëndësishme që prindërit të dinë rëndësinë e rolit të tyre dhe të mos i lënë fëmijët “në dorë të fatit”, por t’i orientojnë me këshillat e veta.

Share With:
Translate »
794 Views