“Bashkë që fëmijë, jeta jonë e ndërprerë në mes” – rrëfehet gruaja e Gilman Bakallit

Edhe të mos ishin të lagur nga lotët, sytë e Irenës do të dukeshin njësoj të njomë, prej ngjyrës. Ishin të kaltër deti, të mëdhenj, me bebëz gati të padukshme prej fuqisë së ngjyrës së irisit, dhe qepalla të skuqura. Lotët nuk i kullonin, qëndronin aty, të shpërndarë në të gjithë sipërfaqen, si një cipë e tejdukshme, përmes së cilës jeta nuk mund t’i dukej më njëlloj. Prej përpjekjes për t’u përmbajtur, për mos ta lënë veten të bënte atë, të cilën është e qartë që kishte shumë kohë që e bënte në vetmi, Irenës i pulsonte lëkura. Dridhja e lehtë nuk mbërrinte deri në mjekër. Vazhdonte të qëndronte përreth syve, pa prishur ekuilibrat e ujit të kthjellët që mbahej nga ta, prej një viti.

22497537_1471737496197551_386921949_n

Që në fjalët e para që nisi të thotë, m’u kujtua që profesori i komunikimit, Gilman Bakalli, bashkëshorti i saj, që u largua nga jeta një vit më parë, kishte gjithashtu sy me ngjyrë, por jo si të Irenës, ata nuk të çonin në det kur i shihje. Ngjyra e tyre ishte më e qëndrueshme, pak në fushë e pak në qiell. Ata që i bënë së pari bashkë, sytë, nuk ishin e vetmja e përbashkët endryshme e profesorit me bashkëshorten e tij. Ata ishin vetëm sinjali për t’i drejtuar në një rrugë, që menduan se do ta vazhdonin për një kohë të gjatë. Nuk ndodhi kështu! Irena sot është vetëm.

gilman

Përpiqet, me pasigurinë e vazhdueshme të të bërit të gjërave vetëm, të jetë e drejtë dhe këmbëngulëse në atë që të dy donin të arrinin, për fëmijët e tyre. Në gjithë këtë kohë këmbët e kanë lëshuar shpesh, por jo deri në fund. Fëmijët janë gjithnjë aty për t’i kujtuar se s’mundet ndryshe, veçse të ndjekë rritjen e tyre e gjithë proceset që do t’iu vijnë, e për të cilat, ajo tashmë duhet të jetë dy herë mbështetëse. Libri i parë i Gilman Bakallit, “Alfabeti i Tranzicionit”, që u botua në 1-vjetorin e vdekjes së tij, ishte realizimi i premtimit të parë që ajo i kishte bërë vetes pas humbjes së të shoqit. Të tjerat do t’i bëjë me radhë sepse tani është më e fortë…

Vetëm pasi ju takon, arrin të kuptosh se përse për profesor Gilmanin kanë folur miqtë, studentët, bashkëpunëtorët, të gjithë, edhe ai vetë, dikur, por asnjëherë nuk është përmendur familja, fëmijët, ju vetë. Vetëm sa ju ka cekur në intervista të shkurtra, por nuk ka thënë asgjë për çka keni pasur bashkë e që duket se mungon në vështrimin tuaj.

Ato që njerëzit nuk i dinë, ndoshta duhet të vazhdojnë të jenë të tilla sepse ashtu ka vendosur ai. Por mund të ndani kujtime të vogla, gazmore, që ndoshta në jetën e përditshme nuk janë të rëndësishme, por që pastaj, kur nuk je më, e mbajnë tjetrin gjallë. Baza e lidhjes dhe familjes sonë nuk ishte ajo klasikja, tradicionalja. Duke qenë se kemi qenë shokë që në shkollë, e kemi ndërtuar të tillë që në fillim. Kemi qenë në një klasë që në të 5-tën fillore dhe Gilmanit i pëlqente të luante me këtë idenë që kemi qenë bashkë që fëmijë. I pëlqente më shumë fantazia se realiteti. Ai gjithmonë e tregonte ndryshe historinë e njohjes sonë të parë, fillesave tona. Ndërkohë që unë, duke qenë edhe më pak lojcake se ai dhe e shkencave ekzakte, kërkoja që faktet të mos ndryshonin asnjëherë, të mos prekeshin.

Në fakt, si ka qenë e vërteta, ajo juaja, e fakteve?

E vërteta ka qenë që në moshë krejt të rritur, në moshën 23 vjeç, kur unë sapo kisha mbaruar studimet për matematikë-fizikë, ndërkohë që ai ende vijonte studimet sepse i kishte nisur vonë për shkak të biografisë e historisë së familjes së tij. Ne, nga shoqëria, kaluam në një lidhje më të ngushtë, por fillesa fare e lidhjes ishte shoqëria, miqësia dhe kjo lloj matrice, ky lloj kodi ka ekzistuar gjithnjë në marrëdhënien tonë. Ndoshta në lidhjet e tjera apo familjet, mund të nisë ndryshe, por ne kështu e nisëm dhe kështu vazhdoi gjithmonë. Duke qenë edhe bashkëmoshatarë, u forcua edhe më tepër kjo formulë. Mund të them që kjo ka qenë pika kyçe e lidhjes sonë.

Në këtë aspekt, kemi qenë gjithmonë shumë të barabartë në vendime, zgjedhje. Plotësues të njëri-tjetrit. Në aspekte të tilla si protagonizmi apo të qenit më i hapur të Gilmanit, ishte një gjë që unë s’e kisha dhe nuk e kam. Unë bëja me qejf pjesën e mbështetëses, por asnjëherë të të ekspozuarës. Kjo është arsyeja, pse kjo është hera e parë që unë po flas për ne të dy dhe sikur ai të mos ishte ose mos të isha gjendur në një mënyrë të caktuar tani që më thatë, nuk do të kisha folur. Nuk ka asnjë rëndësi për mua ekspozimi.

Cilat ishin disa nga ato fantazitë që Gilmani thoshte për lidhjen tuaj?

Që ne jemi njohur që në klasën e pestë, madje edhe më herët. Gilmani ka pasur një shenjë në buzë, nëse ju kujtohet. Që i vogël, duke ecur, është rrëzuar dhe ka qenë në një zonë afër shtëpisë sime dhe është përplasur nga një person, që ka kaluar aty me biçikletë. Sipas tij, arsyeja ishte që është habitur duke më parë mua në dritare dhe është rrëzuar. Sajonte përherë disa gjëra që fëmijët i zbaviste shumë kur e dëgjonin, por sidomos zbaviteshin me reagimet e mia shumë serioze, sa herë dëgjoja të flitej për këto gjëra. Unë këmbëngulja të thoja që historia nuk është kështu.

Në fakt, a kishte pak të vërtetë në fantazinë e tij?

Absolutisht jo! Tani unë mund të them ç’të dua sepse nuk ka kush më kundërshton, por nuk ka vlerë. Megjithatë, mua më pëlqente ai aspekti i tij lojcak, ishte njeri që i pëlqente të luante.

E bënte këtë për gjëra të ndryshme?

Për gjithçka dhe kjo është ajo që unë dua të mësoj ta bëj, megjithëse tani është pak e vështirë për situatën në të cilën jam, mirëpo jam bindur që gjithçka është lojë dhe nuk ia vlen të merret kurrgjë seriozisht. Dua të them, për mendimin tim, sot, në këto rrethana, duke pasur parasysh edhe atë stilin e tij të jetesës, mendoj që çdo gjë që përfshihet brenda jetës, është e lejueshme, përveç vdekjes.

Ju këtë e mendoni vetëm tani që Gilmani nuk është më?

Në fakt, edhe më parë, duke qenë se lidhja jonë bazohej në shoqëri, kemi diskutuar çdo gjë bashkë dhe kjo ndoshta ka dekonstruktuar të gjitha problemet dhe në një farë mënyre. Ne e kemi pasur edhe më parë këtë lloj përcaktimi, por tani, sigurisht, që për mua gjërat janë jashtëzakonisht relative, të vlera apo të pavlera, dhe bindja se çdo gjë është një lojë, është rritur. Çdo gjëje kalimtare nuk ka asnjë vlerët’i kushtosh kohë apo të humbasësh nga vetja sepse janë të parëndësishme.

Si ka ndryshuar jeta juaj tani?

Komplet, ndryshim qyteti, ndryshim mendimesh, është komplet diçka tjetër.

Ju jetonit në Shkodër më parë?

Ne jetonim midis Shkodrës dhe Tiranës, gjysmën e javës ishim në Shkodër, pastaj tre ditët e tjera unë atje, Gilmani këtu, d.m.th përgjysmë, Gilmani shkonte e vinte. Kemi qenë në një periudhë dilemash, sepse nga njëra anë Tirana ofronte, siç thoshte dhe ai vetë, Tirana është e mirë për të punuar, për të fituar para dhe për të jetuar diku tjetër. Ndërkohë që Shkodra na ofronte komplet pjesën e zbavitjes dhe të kënaqësisë dhe ishte komplet qyteti që përshtatej me shijet dhe mënyrën tonë të të jetuarit sepse fundjavat i kishim gjithnjë ose duke shëtitur me biçikletë, ose duke bërë ngjitje në mal.

Shkonit edhe ju me të në aventurat sportive?

Absolutisht gjithmonë. Sidomos vitet e fundit, u fut biçikleta shumë në listën e gjërave që bënim bashkë.

Çfarë bënit tjetër?

Gjithnjë natyra ka qenë argëtimi ynë, çdo fundjavë vetëm lëviznim.

Tani ku jetoni?

Tani jetoj në Tiranë, vazhdoj punën në kompaninë gjermane DEKRA, në vendin e punës ku Gilmani sapo kishte filluar si administrator, vjet në shtator, dhe tani unë vazhdoj si një pjesë e tij, është një mënyrë për t’i shkuar mbrapa, por sigurisht që është një jetë krejt tjetër, krejt ndryshe, dhe unë ende nuk kam arritur të gjej ekuilibrin. Kam gjetur vetëkontrollin, por jo ekuilibrin, aftësinë për të qenë e qetë me veten. Pra, kam humbur dy gjëra, kam humbur atë dhe aftësinë për të qëndruar me veten që e kam pasur shumë të fortë, kam menduar se do ta kisha gjithmonë. Ka ndryshuar koncepti për jetën dhe është një revizionim i të gjitha koncepteve të të parit të jetëve tona. Kështu që, nuk di, nuk di ç’të them. Unë përpiqem shumë, por nuk e di se si do të shkojë.

A ka lënë Gilmani, përveç këtij libri, diçka tjetër që do ta kishte bërë vetë apo që do kishte dashur ta shihte të realizuar?

Po, patjetër! Për momentin, unë kam një listë gjërash që dua të realizoj e që dikur do t’i bënim bashkë. Të paktën në këtë pikëpamje, ndihem mirë, sigurisht jo e lumtur, por ndihem mirë, kjo është një terapi për mua, të realizoj gjërat që kishim në plan bashkë.

Çfarë planesh kishit bashkë?

Së pari, fëmijët, sepse të tjerat që mendonim t’i kishim me njëri-tjetrin, unë s’kam se si i realizoj tani.

A jeni shkëputur ju nga gjërat që bënit me të? A shëtisni më me biçikletë?

Jo! Madje kam kërkuar vetë që gjithë gjërat që kemi bërë bashkë, unë të vazhdoj t’i bëj, po me ato njerëz. Preferoj të mos ndryshoj grupet e njerëzve sepse më duket sikur vazhdoj të jem me të. Vazhdoj ngjitjet në mal, lëvizjet me biçikletë. Konkretisht, edhe tani, për përvjetorin e parë të vdekjes së tij, zgjodha një mënyrë mbase jo të aprovueshme nga të tjerët, por kjo është mënyra ime. Siç kemi qenë më parë, kjo është ajo që na ka bërë të ngjashëm, kemi qenë të dy antikomformist. Pra , nëse ai ka thënë dua të bëjë këtë, siç ishte rasti i daljes së tij nga Partia Demokratike, më pyeti çfarë të bëj, kam qenë e para me të cilën ka diskutuar daljen i pavarur ashtu siç kemi diskutuar gjithmonë për çdo gjë dhe unë e kam mbështetur pa hezitim në vendimin e tij. Për kujtimin e tij, u kujdesa të ishte gati botimi i librit të tij të parë, shpresoj të vijojë ende.

Te dielën, me iniciativën e shokëve të tij të biçikletave, kemi bërë 70 km rrugë me biçikleta. Shkuam deri në Rreç, është një ndër rrugët që bënim bashkë, dhe në kthim, ndaluam te Gilmani për ta përshëndetur. Këto janë mënyra jo shumë të dëgjuara mbase, por janë mënyrat që më përshtaten mua, jam 100% e sigurt që janë edhe mënyrat që do t’i përshtateshin atij, pastaj, siç ju thashë, gjithnjë e më pak rëndësi kanë, tashmë, për mua gjërat e tjera./Ani Jaupaj/ Panorama

Share With:
Translate »
757 Views