Bashkia e Tiranës shtron drekën e Kurban Bajramit për familjet në nevojë

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Bashkia e Tiranës shtroi sot një drekë të veçantë për familjet në nevojë në qendrat e saj sociale në të gjithë kryeqytetin.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shërbeu drekën e festës për dhjetëra fëmijë në situatë rruge qendrën sociale në Bulevardin “Zogu I”.
Duke uruar të pranishmit për Kurban Bajramin, Veliaj tha se qendrat sociale të ngritura nga bashkia janë të hapura çdo ditë në të gjithë Tiranën, për t’iu gjendur pranë njerëzve në nevojë.
“Jam shumë i lumtur që kolegët e bashkisë kanë qenë sot në të gjitha qendrat tona sociale duke shërbyer me solidaritet. Në fakt, kolegët e mi këtë e bëjnë përditë. Ne kemi qendra sociale në çdo cep të Tiranës, që do të thotë se çdokujt në qytet mund t’i shërbehet një vakt i ngrohtë. Por, në këto qendra sociale ofrohet jo vetëm ushqim, por edhe shërbim e këshillim me psikologë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku kërkoi bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve që të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjes së fëmijëve që gjenden në situatë rruge. Veliaj tha se rruga nuk është një zgjidhje dhe se përmes dhënies së lëmoshës për fëmijët, nxitet edhe më tej shfrytëzimi i tyre për të lypur.
“Sot është një ditë e veçantë, dita e Kurban Bajramit, dhe kjo është arsyeja pse u jam bashkuar kolegëve që e bëjnë përditë këtë punë, në një nga qendrat shembullore këtu në bulevardin “Zogu I”; një qendër e cila mirëpret dhjetëra fëmijë, kryesisht në situatë rruge, me raste shumë të vështira të familjeve në nevojë. Rruga nuk është zgjidhje, nuk është alternativë, ndaj i ftoj të gjithë qytetarët të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës. Ne i kemi të gjitha mundësitë që ta ofrojmë këtë shërbim. Duke kultivuar lëmoshën, kultivojmë shfrytëzimin që dikush i bën fëmijëve duke i nxjerrë në rrugë. Fëmijët nuk janë bankomat për t’u sjellë para tutorëve”, u shpreh ai.
Veliaj shtoi se përmes ofrimit të ndihmës në qendrat sociale, fëmijëve u garantohet një e ardhme me e mirë.
“Fëmijët kanë një të ardhme, ëndrra të bukura, dhe ju e kuptoni fare mirë se si një fëmijë sillet ndryshe në situatë rruge, e ndryshe kur shërbehet në qendrat sociale, është i dashur në shkollë, respekton shokun. Ndaj besoj se zgjidhja nuk është të vëmë gishtin e të themi, ja ku është problemi, por zgjidhja është të shohim një problem dhe t’i ofrojmë një zgjidhje. Qendrat tona sociale ofrojnë një zgjidhje”, siguroi ai.
Kryetari i Bashkisë garantoi se në një kohë që qyteti po zhvillohet ekonomikisht, Bashkia dhe institucionet e tjera shtetërore do të ofrojnë ndihmë për të gjithë ato familje që kanë nevojë.
Teksa falenderoi vullnetarët që ndihmojnë në qendrat sociale të Tiranës, ai ftoi të gjithë qytetarët që të kontribuojnë për t’i siguruar një jetë më dinjitoze atyre që në këto momente kanë nevojë për ndihmë.
“Dora e bashkisë dhe dora e qeverisë është një mënyrë për të ofruar solidaritet. Por, dua të falenderoj dhjetëra vullnetarë. Pas viteve ‘90 ka pasur një alergji ndaj të qënurit vullnetarë, por sa kohë që ka vullnetarë që kanë ardhur nga Argjentina apo Japonia, është e papranueshme që ne që jetojmë në Tiranë të mos të japim pak orë vullnetarizëm për këta fëmijë. Duke i shpëtuar nga rruga, u kemi siguruar të ardhmen dhe një jetë shumë herë më dinjitoze”, deklaroi Veliaj.
Më pas, fëmijët që marrin shërbim në këtë qendër sociale organizuan edhe një koncert festiv me rastin e Kurban Bajramit.

Share With:
Translate »
723 Views