Beteja e përjetshme, me prindërit e mi!

Huffington Post

Hera e parë që arrita të jem vetvetja para prindërve të mi, ishte kur isha 31 vjeç. Ne ia ngulëm sytë njëri-tjetrit në Zoom. kompjuteri ndahej në tre kuti me fytyra koreane që mbulonin gjenerata dhe kultura të shumta. Unë në kutinë time, prindërit e mi në të tyren dhe terapistja jonë e familjes, një grua e krishterë koreane e moshës së mesme, të cilën e zgjodha në mënyrë qëllimisht, sepse ndjeva se mund të ndihmojë të kapërcejmë hendekun e madh mes nesh.

Nuk kemi pasur gjithmonë periudha të këqija mes nesh. Ishte një kohë kur ndjeva dashuri nga prindërit e mi. Ndërsa ata kurrë nuk e deklaruan atë në mënyrë eksplicite, e dija se më donin nga mënyra se si më ushqenin dhe më vishnin, më mbanin kur qaja dhe se si më sollën në Amerikë për një “jete më të mirë”.

“Ke ngrënë?” ishte mënyra e tyre për të thënë “të dua”.

“Do të na falënderosh më vonë” ishte mënyra se si ata e justifikuan shpërfilljen e emocioneve të mia.

Krishterimi na solli në Amerikë dhe me kalimin e viteve, unë e gjeta veten duke u larguar gjithnjë e më shumë ndaj tyre dhe qëllimit të tyre të jetës, për të përhapur fjalën e Perëndisë. Babai im pastor dhe nëna ime e nënshtruar kishin vetëm një kusht që unë të fitoja dashurinë e tyre, të isha një e krishterë e frikësuar nga Zoti, që shkonte në kishë, por unë thjesht nuk mund të isha e tillë për ta, shkruan Dritare.net.

Nuk dija të pajtohesha me turpin e pafund dhe besimin se nuk do të isha kurrë aq e mirë sa duhet. U largova nga shtëpia në moshën 18-vjeçare, duke u kujdesur që të bëj sa më shumë distancë fizike mes meje dhe tyre. Pas vitesh luftimesh, vrapimi dhe fshehjesh, arrita fundin dhe më në fund kërkova ndihmë.

Terapia më ndryshoi jetën duke më dhënë shpresë për një lloj të ardhmeje tjetër, që ndihej më autentike për mua.

Me ndihmën e terapistes sime koreano-amerikane, unë munda të identifikoja nevojat, vlerat dhe kufijtë e mi personalë. Muajt ​​u kthyen në vite dhe gjatë kësaj kohe rindërtova veten dhe vetëvlerësimin tim. U shkrova prindërve të mi dhe i pyeta nëse do të ishin të gatshëm të flisnin për dallimet tona në terapinë familjare. Për çudinë time, ata në fakt ranë dakord.

E dija që mamaja ime do të ishte e hapur ndaj propozimit tim, duke pasur parasysh pasionin e saj për këshillimin e krishterë. Por kurrë nuk e imagjinoja në një milion vjet që babai im, i cili nuk mund të pranonte kurrë ndonjë gabim, do të pranonte të diskutonte ndjenjat tona me një të huaj në terapinë familjare. Kjo është ajo që më pëlqen më shumë nga terapia, ka hapur botë dhe shtigje për mua që nuk kam mundur t’i imagjinoj kurrë më parë.

Në terapinë familjare, prindërit e mi dhe unë udhëtuam pas në kohë, në ato vite të hershme kur babai im na zgjonte të vegjël të përgjumur dhe lidhte vëllain tim dhe mua në sediljet tona të makinës, në mënyrë që të gjithë të mund ta çonim nënën tonë në punë në rrugët e errëta të qytetit ndërsa dielli ende nuk kishte lindur. Ne u përballëm me përplasjet kulturore, barrierat gjuhësore dhe komunikimin e gabuar që zgjeruan hendekun mes nesh.

Prindërit e mi besonin se problemi ynë më i madh ishte pengesa jonë gjuhësore, kështu që zgjodha qëllimisht një terapiste dygjuhëshe për të na ndihmuar të komunikojmë.

Ndërsa seancat tona përparonin dhe babai im patriarkal vazhdoi të monopolizonte seancat tona, terapistja jonë më në fund tha: “Unë e di që ju mendoni se çështja është pengesa gjuhësore, por e vërteta është se ju nuk po e dëgjoni njëri-tjetrin.”

U mërzita dhe u zhgënjeva aq shumë sa iu luta terapistes sonë, që t’i mësonte se si të dëgjonin me reflektim. Ajo u mësoi atyre se njerëzit duhet të pranojnë dhe kuptojnë njëri-tjetrin në mënyrë që të nxisin një dialog të shëndetshëm. Ajo tha se dëgjimi reflektues është po aq i thjeshtë sa të përsërisësh ose të përmbledhësh atë që personi tjetër tha me fjalët e tua. Shtova se dëgjimi reflektues nuk do të thotë domosdoshmërish se jeni dakord me atë që thotë personi tjetër, por thjesht po e pranoni atë.

Mamaja ime ishte në gjendje ta kuptonte, por jo babai.

“Pse duhet të them diçka me të cilën nuk jam dakord?”, vazhdonte.

“Sepse përndryshe nuk do të arrini kurrë të dëgjoni se çfarë thotë ajo dhe si ndihet me të vërtetë”, u përgjigj terapistja.

Unë fola me zell dhe hapur për vlerat dhe besimet e mia për herë të parë. Ne folëm për kufijtë tanë dhe çfarë do të duhej që ne të dy të pranonim njëri-tjetrin dhe se si mund të dukej një marrëdhënie e tillë.

Babai im u përpoq të më dëgjonte derisa në mënyrë të pashmangshme më bërtiti përmes ekranit. Ai nuk erdhi më pas seancës sonë të pestë, dhe ndonëse u ndjeva sërish e braktisur, u ndjeva edhe e lehtësuar. Unë kisha bërë gjithçka që munda në atë moment.

U mërzita sërish. Veç kësaj radhe e lashë fantazinë se do të mund ta rregulloja ndonjëherë marrëdhënien tonë njëherë e përgjithmonë. E binda nënën time që të vazhdonte të vinte në terapi familjare me mua, pa babin.

Ashtu si jeta, marrëdhënia ime me babanë ka qenë një rrugëtim i gjatë plot me kthesa që vazhdon ende. Ndonëse nuk e kam pritur kurrë lumturinë, kryesisht sepse për mua ajo ekziston vetëm në përralla, jam rritur për të pranuar që shërimi vjen në faza dhe ndonjëherë duhet të bësh disa hapa prapa për të bërë një hap gjigant përpara.

Për mua, ia vlente të isha e vërtetë me veten dhe familjen time dhe të çliroja aq shumë turpin dhe pakënaqësinë që kisha mbajtur. Duke ditur se kam provuar gjithçka që mundem, më ka lejuar të pranoj realitetin tim aktual në mënyrë që të mund të eci përpara.

Share With:
Translate »
56 Views