Bie me 5 % pozitiviteti ndaj Covid në testime, Bino: Të mos ulet vigjilenca

Ky muaj vijon të regjistrojë një numër të ulët me raste të të infektuarish me koronavirus, por edhe në nivel shtrimesh në spital dhe viktimash. Sipas ekspertëve, virusi po shënon një trend rënës dita-ditës. Doktoreshë Silva Bino në intervistë për Klan thotë se dendësia e virusit është më e ulët se më përpara:

“Kemi të bëjmë me një trend në ulje, pozitiviteti i testimit mbetet nën 5% gjë që tregon se dendësia e virusit është më e ulët se më përpara”.

Sa i përket rasteve të konfirmuara, Tirana ka peshën më të madhe, ndërkohë që sipas doktoreshë Binos, mund të kemi dhe zonat e para pa Covid në Shqipëri, edhe pse ende nuk dihet cilat janë.

“Mendoj se mund të kemi dhe zona pa Covid për momentin por duke patur parasysh që Covid është asimptomatik duhet të jemi të kujdeshëm dhe s’duhet të bjerë as vigjilenca e as kujdesi”.

Ulja e ndjeshme e rasteve mund të lidhet edhe me procesin e vaksinimit që shënon një % imunizimi mes popullatës, rrjedhimisht me pak infektime-shtrime në spital dhe viktima.

“Kjo sasi e vaksinave që është përdorur, gati e 22% të popullatës ka një impakt në vdekshmërinë dhe shtrimet në spital”.

Nga muaji Janar kur në Shqipëri nisi procesi i vaksinimit e deri më sot, janë kryer më shumë se 600 mijë vaksina. Në Shqipëri kanë mbërritur vaksinat Pfizer, AstraZeneca, Sputnik dhe Sinovac.

Share With:
Translate »
211 Views