Dashuria përtej ekranit, historia e spikerëve që lindi në korridoret e televizionit

Kostana Morava dhe Edvin Parruca janë dy personazhe që i shohim ҫdo ditë nga ekrani. Spikerja e njohur e lajmeve në Tv Klan dhe spikeri i lajmeve në News 24 janë të martuar prej disa vitesh dhe prej katër vjetësh prindër të një djali, Indi. Sot, ҫifti ka qenë i ftuar në “Rudina” për të rrëfyer më shumë për historinë e tyre të gjatë të dashurisë që ka nisur në korridoret e televizionit.

 

Në televizinin News 24, Kostana në atë kohë bënte programet e mëngjesit, ndërsa Edvini lajmet. Familjet e tyre kishin një njohje të hershme, madje mami i Kostanës e porosiste gjithmonë të bijën t’i bënte të fala Edvinit, meqenëse njihte të atin dhe gjyshin e tij: “Familjet tona kanë një njohje më të vjetër, këtë e zbuluam më vonë. Mami gjithmonë më thoshte bëji të fala atij djalit… Ndodhi që u njohëm si kolegë, pastaj si miq dhe sot, jemi akoma shumë shokë…” – tregon Kostana.

Pa rënë në sy, si dy kolegë, miq e më vonë edhe shokë shumë të mirë, ata vendosën të lidhin jetën bashkë. Prej më shumë se 12-vjetësh njohjeje e bashkë që nga 2010-a, dy personazhet e njohur të ekranit janë të lumtur që dashuria e tyre është plotësuar edhe nga Indi, fryti i tyre i parë i dashurisë.

Edhe pse jetojnë bashkë prej shumë vjetësh dhe janë bërë prindër, ҫifti tregon se nuk kanë bërë një ceremoni martese. Kostana nuk ka ëndërruar asnjëherë të bëhet nuse, por edhe jeta u solli të tjera gjëra me prioritet, kështu që nuk kanë asnjë peng: “Nuk kam ëndërruar ndonjëherë të bëhem nuse dhe nuk kam asnjë merak për këtë pjesë”, – tregon Kostana e pyetur për martesën.

Ndërsa koha për t’u bërë nënë erdhi krejt natyrshëm, siҫ tregon ajo: “Marrëdhënia me Edin më ka frymëzuar dhe që kur njoha atë, thashë PO, tani jam gati për të pasur një fëmijë, sepse gjithmonë kam menduar që është e vështirë të kesh një fëmijë.”

Indi ishte një vendim i marrë prej kohësh, ndërsa dasma nuk ishte e rëndësishme. Si Kostana, ashtu edhe Edvini iu përkushtuan ardhjes së tij në jetë, por edhe më pas rritjes së tij. Siҫ tregon moderatorja, për tre vjet ajo nuk u shkëput nga rritja e të birit, sepse donte që atij të mos i mungonte asgjë. Po kështu, edhe Edvini bënte pjesën e vet, edhe pse, pranon ai, prindërimi nuk ishte një fushë e njohur dhe gjërat u mësuan gjatë rrugës.

Me natyrën energjike të tij, Indi ka marrë më të mirat nga i ati dhe e ëma. Edhe emri i tij ka një histori interesante. Kostana tregon se dy ditë para lindjes, ata nuk kishin asnjë emër për të birirn, por mes shumë propozimeve, ajo përmendi një emër: “Ishte Kostana që tha Indi dhe pastaj tha Jo, por unë thashë Po, do të jetë Indi.” – tregon Edvini.

Indi është Independent, pavarësi, Indi është India, vendi në të cilin Edvini ka kujtimet më të bukura. Indi është një dashuri për pavarësinë dhe kujtimet më të bukura të jetës.

RC

Share With:
Translate »
1326 Views