Dibër, adoleshenti vdes teksa gjuante peshk me gjenerator
Një 16 vjeçar nga Dibra që kishte shkuar për të peshkuar me gjenerator elektrik në lumin Drin ka humbur jetën pasi aksidentalisht ka rënë në kontakt me rrymën elektrike.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme rreth orës 15:40 ku i riu u dërgua pa shenja jete nga familjarët e tij në spitalin e Peshkopisë.
Policia e Dibrës e ka klasifikuar ngjarjen si aksidentale dhe ka arrestuar personin që e shoqëronte gjatë peshkimit, Leonard Begu, 35 vjeç, pasi dyshohet se ka qenë sëbashku me L.Ç., 16 vjeç duke peshkuar në mënyrë të paligjshme.
Leonard Begu, dyshohet se ka qenë sëbashku me shtetasin L.Ç, duke peshkuar në mënyrë të paligjshme, pasi ka ndodhur ngjarja ka fshehur disa sende të cilat janë gjetur nga policia në automjetin e tij, i cili është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Nga ana e policisë janë kryer veprimet e para proceduriale dhe materialet i kaluan Prokurorisë Dibër në ngarkim të Leonard Begut për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Peshkim i paligjshëm”.