“Djali e kaloi i pari COVID-in, pastaj Ajola dhe unë”! Erion Veliaj tregon si e mori virusin

Erion Veliaj ka folur sot për eksperiencën e tij në përballimin me virusin COVID-19, një ditë pasi doli negativ në tamponin e dytë.

Në një intervistë për Report.tv, kryebashkiaku tregoi se ishte djali i tij ai i cili u infektua i pari, por e kaloi pa problem. Më pas u infektua bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, rreth 5-6 ditë, para se të infektohej Veliaj.

“Djali i kaloi i pari, fëmijët e kalojnë shumë lehtë! Bashkëshortja ishte një javë para meje, rreth 5-6 ditë dhe unë isha i fundit i familjes, por tani jemi shëndoshë e mirë. Nuk kisha menduar kurrë që mijëra njerëz do shqetësoheshin e përkujdeseshin, kështu që ju jam mirënjohur të gjithëve”, u shpreh Veliaj.

Veliaj bëri me dije se nga hetimi epidemiologjik, ka rezultuar se ai ishte infektuar në takimet familjare, teksa ka zbuluar se ka qenë fillimisht djali i tij, Kajan që kishte shfaqur i pasi simptomat, më pas bashkëshortja dhe ai.

“Ishin takime jashtë pune. Asnjë nga kabineti i punës nuk rezultoi pozitiv, kështu që unë isha i vetmi. Ne e kaluam të gjithë në shtëpi, fillimisht u sëmur djali, me temperaturë 38, menduam se kishte dhëmballë, më pas hetimi profesional tregoi që kishte kaluar ai COVID, bashkëshortja dhe pastaj unë. Dhe u futa në karantinë. Ishin dy javë sfiduese, nuk ia uroj as armikut më të madh. Pak kujdes nuk na bën keq”, tregon Veliaj.

Ai thotë se tani më gjendja e tij shëndetësore është shumë e mirë dhe se ky virus e ka shfrytëzuar për të reflektuar.

“Jam mirë, shumë më mirë dhe më ka dhënë mundësi që të reflektoj që të mendoj se çfarë është e rëndësishme, dhe ne ndonjëherë i fusim një mendje të lehtë po jam bërë pak serioz për çështjet e shëndetit. Për mua ishte një kambanë alarmi që jo çdo gjë duhet marrë me sportivitet. Ne e harrojmë që të qenit në formë na ndihmon që të jemi familjarë dhe qytetar më të dobishëm”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku tregoi gjithashtu se gjatë periudhës kur ka qenë i infektuar, ka njohur raste të reja dhe ka bashkëbiseduar me të prekur të tjerë me virus. Ai madje tregoi se ka njohur raste fatale ku është sëmurur fqinji, ia ka transmetuar virusin bashkëshortes dhe ajo ka ndërruar jetë.

“Kjo eksperiencë më uli në tokë, mjekët u treguan super profesionalistë, ju jam shumë mirënjohës mjekëve”, vijon Veliaj.

Për një person që është aktiv dhe merret me sport, sëmundja ishte një moment tepër dekurajues, tha kryebashkiaku për veten, ndërsa tregoi se ndihej aq i pafuqishëm saqë s’mund të shkonte as në tualet.

“Isha i pafuqishëm të shkoja në tualet, ishte një moment dekurajues. Ajo që dua të theksoj është se nuk ka një recetë për secilin person, ndaj duhen besuar mjekët, jo 5G, Gates dhe jo të improvizojmë me supersticione, po t’i besojmë shkencës dhe profesionistëve”.

Share With:



1329 Views