“Djali më mbajti në jetë”/ Rrëfimi i nënës që shpëtoi me foshnjën 18-ditëshe nga rrënojat e tërmetit në Venezuelë: I prekja hundën për të parë nëse merr frymë
“Sa kohë ai ishte gjallë, edhe unë do të jetoja. Herë pas here i prekja hundën për t’u siguruar se ende merrte frymë”, rrëfeu ajo për BBC.
Pamjet e operacionit të shpëtimit janë shpërndarë në mbarë botën, ndërsa foshnja Juan David është kthyer në simbol të shpresës në Venezuelë, e cila u godit nga dy tërmete të fuqishme të mërkurën. Bilanci i viktimave ka arritur të paktën në 1.450 persona, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Dayana tregoi se në momentin kur goditi tërmeti ndodhej në apartamentin e saj në katin e tetë, në rajonin bregdetar të La Guaira, duke larë enët. Ajo vrapoi menjëherë drejt foshnjës, duke menduar se bëhej fjalë vetëm për një lëkundje të lehtë.

“Ndieja sikur po fluturoja. Më pas sikur po fundosesha në ujë dhe baltë. Përfundova në një gropë mes rrënojave. Nuk e di si nuk më ra nga duart foshnja, ndërsa përplasesha mbi mobilje”, kujton ajo.
E bllokuar nën beton, me këmbën e majtë të zënë dhe pa mundësi lëvizjeje, Dayana vendosi të kursente energjitë.
“E kuptova se askush nuk mund të më dëgjonte. Vendosa të bërtisja vetëm kur të dëgjoja zëra ose hapa pranë meje”, tha ajo.
Mes errësirës, ajo gjeti një Bibël poshtë vetes, gjë që i dha shpresë për të vazhduar betejën për jetën.
“Aty nisi rrugëtimi im për të mbijetuar”, tregoi ajo.
Shpresa u kthye në realitet kur dëgjoi të vëllanë që thërriste emrin e saj.
“I thashë vetes se ishte shansi im i vetëm. Bërtita me gjithë fuqinë: ‘Jam këtu!’. Ai më tha: ‘Të gjeta dhe të premtoj se nuk do të largohem derisa të të nxjerr prej këtej’.”
Premtimi u mbajt. Pas një operacioni të ndërlikuar shpëtimi, Dayana dhe foshnja u nxorën të gjallë nga rrënojat të enjten në mbrëmje. Nga tërmeti, Dayana pësoi dëmtime në të dyja këmbët, ndërsa Juan David shpëtoi me plagë të lehta.
Bashkëshorti i saj, Gerson, kishte mbërritur pranë banesës pak çaste para goditjes së tërmetit dhe arriti të shpëtonte duke kaluar një gardh. Kur pa ndërtesën e shembur, mendoi se kishte humbur gruan dhe djalin.
“Ishte një mrekulli. Mendova se kishin vdekur. Kur pashë djalin tim, u ndjeva sikur linda përsëri. Nuk mund ta besoja. Ishte sikur jeta m’u kthye sërish”, tha ai.
Sot familja ka humbur shtëpinë dhe pothuajse të gjitha sendet personale, ndërsa qeni i tyre vazhdon të jetë i zhdukur. Megjithatë, ata shprehen të vendosur të nisin gjithçka nga e para.
“Humbëm pothuajse gjithçka, por jemi gjallë. Do ta rindërtojmë gjithçka që kemi humbur”, premtoi Gerson.
View this post on Instagram