Djemtë e VIP-ave shqiptarë që ecën në gjurmët e etërve!

Të ecësh në gjurmët e babait… Kjo do të ishte fjalia më e përshtatshme për të nisur këtë artikull që na tregon se artistë të njohur të skenës shqiptare e kanë trashëguar talentin nga baballarët. Këngëtarë, regjisorë, aktorë e sportistë të famshëm janë fëmijë të prindërve të suksesshëm, e ndoshta prej tyre e kanë pasur më të lehtë të depërtojnë në rrugën e artit dhe të jenë shumë të dashur për publikun shqiptar. Në listën e përgatitur nga “RevistaWho.Com” më poshtë do të gjeni disa prej tyre:

Sabri & Ermal Fejzullahu

Dalja e tij e parë në skenë, u shoqërua me prapashtesën ‘djali i Sabriut’, por prej atëherë askush nuk e harroi Ermal Fejzullahun, megjithëse nuk e ndanin dot më nga emri i të atit. Dyshja e njohur dhe e pëlqyer nga të mëdhenj e të vegjël kudo në trojet shqiptare, i ka rezistuar gjithmonë kohës dhe janë ndër këngëtarët më të kërkuar nëpër evente të ndryshme. Ermali duket qartë se talentin e ka të trashëguar nga babai i tij, Sabriu.

Alfred & Gjergj Kaçinari

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe me më të voglin e familjes Kaçinari. Aty ku të gjithë merren me muzikë, nuk do bënte përjashtim as Gjergji, i cili notat e para të muzikës i ka mësuar që para se të niste të lexonte e të shkruante. Djali i një ndër kompozitorëve dhe orkestruesve më të shquar, autor i shumë këngëve, duket se nuk e ka pasur aspak të lehtë të jetë ‘djali i babit’. Me shumë mund dhe punë ai ka dashur të tregojë se e ka merituar vendin që ka, megjithëse talentin dhe famën e ka të trashëguar nga babi. Gjergji u bë i njohur nga pjesëmarrja në një konkurs talentesh.

Zef & Julian Deda

Të dy shumë të dashur për shqiptarët, ndër aktorët më të pëlqyer të humorit, që ndonëse në kohë të ndryshme kanë depërtuar në zemrat e të gjithëve me batutat e tyre. Sigurisht që edhe Juli gjithë suksesin që ka arritur, ia dedikon pa dyshim babait të tij, nga i cili ka trashëguar sensin e humorit dhe karizmën. Ata janë ngjitur disa herë të dy bashkë në skenë dhe kanë provuar se mund të bëjnë të mëdhenj e të vegjël për të qeshur…


Gaqo & Pirro Çako

Pirro Çako, i biri i një tenori të madh si Gaqo Çako, i nderuar me titullin “Artist i Popullit” e ndër emrat e ndritshëm të panteonit të muzikës shqiptare, ka ecur në gjurmët e babait të tij duke qenë një nga këngëtarët më të dashur të muzikës së lehtë shqiptare, që numëron disa hite. Çako ka qenë gjithashtu kompozitor i disa prej këngëve më të dashura për shqiptarët dhe në rrugën e tij, duket se po ecën edhe i biri, Anthony.


Luftar & Gazmend Paja

Gazmend Paja, aktori shumë i dashur i të dielave, është i biri i një aktori të madh si Luftar Paja, i cili është nderuar me shumë çmime si dhe me titullin “Artist i Merituar”. Luftar Paja mbahet mend për shumë role në filmat shqiptarë, në sheshxhirimet e të cilave nisi edhe dashuria e të birit, Gazit, për aktrimin. Ata i bashkon jo vetëm mbiemri i përbashkët, por edhe humori i hollë, dashuria për skenën, thjeshtësia, popullariteti e respekti që gëzojnë në radhët e publikut shqiptar.


Pali & Ergin Kuke

Emri i Pali Kukes do të mbahet mend gjatë në historinë e televizionit shqiptar, si një ndër regjisorët më të spikatur që solli një erë të re në spektaklet dhe emisionet e realizuar. E nisi karrierën si një operator i thjeshtë, ku u njoh dhe me bashkëshorten, spikeren simpatike Zerina Kuke. I biri, Ergini mori prej të atit shijen e hollë artistike dhe vullnetin për të punuar fort, ndaj rezultati është evident. Në rolin e një profesionisti, pavarësisht moshës së re Ergini ka patur bashkëpunime të rëndësishme si brenda ashtu edhe jashtë kufijve të vendit. Ne jemi të bindur se ai nuk do të ndalet këtu, përkundrazi do ta ngrejë akoma më lart mbiemrin e mirënjohur Kuke…


Alket & Xhonatan Islami

Xhonatani, djali i themeluesit të aeronautikës shqiptare Alket Islami, e ka të lindur pasionin dhe talentin e tij për t’u hedhur me parashutë. Babë e bir janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin e përveç dashurisë së madhe, ata ndajnë dhe të njëjtin pasion për të fluturuar. Xhonatani është djali që ndoqi hapat e të atit, fluturimin dhe fotografinë, ndërsa djali i madh i Alketit nuk ka lidhje fare me këtë.


Shkëlzen & Korab Jetishi

Shkëlzen Jetishi, i njohur nga të gjithë si Xeni është një nga këngëtarët që shquhet për interpretimin ‘live’ në dasma e gëzime të ndryshme. Ai është një nga këngëtarët më të kërkuar në trojet shqiptare, duke pasur dhe një karrierë të mbushur plot me këngë, bashkëpunime dhe albume. Djali i tij Korabi, duket se po ndjek hapat e të atit. Të dy bashkë janë shpërblyer dhe me çmim në eventin ‘Zhurma Show’ për duetet fantastike që sjellin.


Ferdinand & Elton Deda

I ndjeri Ferdinand Deda, i nderuar me titujt ‘Artist i merituar’ dhe ‘Mjeshtër i madh’ ka qenë një nga dirigjentët dhe kompozitorët më të mirë të viteve 60-70. I biri Elton Deda, ka vazhduar në po të njëjtën rrugë, duke trashëguar talentin e madh të babait dhe duke u bërë një nga këngëtarët më të dashur të muzikës ‘rock’ dhe jo vetëm. Vjet në Festivalin e Fundvitit, ai përveçse udhëheqës artistik ishte dhe drejtues i orkestrës.


Sherif & Gerard Merdani

Një tjetër talent i zbuluar në kompeticionet për zërat e rinj ishte dhe i biri i këngëtarit të dashur, Sherif Merdani. Gerardi, një djalosh simpatik, i sigurt në skenë, i vendosur për ta vijuar këtë rrugë dhe i qartë në pikësynimet për të ardhmen do të lërë pa gjumë fqinjët duke i obliguar ta dëgjojnë në provat e panumërta të tij. Peshën kryesore të impenjimit do ta ketë medoemos i ati, i cili shprehet i lumtur për zgjedhjen jo të rastësishme të Gerit./RevistaWho/

Share With:
Translate »
1035 Views