Do që të ikë jashtë shtetit, gabimi i gjimnazit mund t’i kushtojë studimet e jetës

Denoncimi i radhës në “Stop” është për shkollën e mesme “Myslym Keta”, në Kombinat. Mirela Xara, thotë se ka një problem me shkollën, ku dikur ka mbaruar gjimnazin.

Me këtë identitet Mirela ka përfunduar shkollën e mesme, shkollën e lartë dhe ka edhe gjithë dokumentet e identifikimit. Një ditë Mirela shkon të marrë listën e notave të gjimnazit, pasi kërkon të shkojë në Gjermani, por aty figuron si Mirela Cara.

“Nuk figuroj Mirela Xara, por Mirela Cara. Po plotësoj dokumentet për t’u larguar nga ky shtet dhe më doli ky problem. Këtë e kam zbuluar pas shumë vitesh pasi po aplikoj për jashtë”, tha denoncuesja.

 

Pra, e njëjta shkollë i ka dhënë kartonin e diplomës dhe listën e notave me dy mbiemra të ndryshëm.

“Unë kam mbaruar shkollë, u bënë kaq vite dhe erdha prapë këtu, ngela në Shkollë të Mesme. Prapë te banka ime. Nuk më njihet më asgjë, sepse unë nuk kam bazën në rregull”, u shpreh denoncuesja.

Në Sekretarinë e shkollës Mirelës i thonë, se bëhet fjalë për një gabim njerëzor, ndaj e nisin në arkivë.

Specialistja 1: Arkiva është institucion, që nuk e provon dot dokumentin, thjesht e ruan dokumentacionin, nga institucionet e caktuara, të dorëzuara. Se nëse ka ndodhur gabimi nga shkolla, atëherë s’kemi çfarë të bisedojmë. Nuk është se korrigjohet, nuk mund të ndërhysh në një dokument. E vetmja mundësi, që ju të merrni përgjigje nga ne, ose ajo çfarë është e ruajtur tek ne, është thjesht regjistri i numrit të amzës. E vetmja mundësi, që ju ta merrni këtë përgjigje me firmë dhe vulë të njomë, është aplikimi, që bëhet për të dhëna mbi grafike me Postën Shqiptare. Dhe formulari i aplikimit është ky. Është formular mbi të dhënat mbi grafike.

Specialistja 2: Gjithsesi, këtu tek ne nuk janë dorëzuar si dokumentacione. Domethënë, kjo shkollë… I ka vetë shkolla. Për më tepër, duke qenë se tek amza, këtë pjesën e gabimit të shkronjës, i kanë ata vetë regjistrat. Në qoftë se do ishin të dorëzuara këtu, normalisht siç ju a tha edhe kolegia, do ishte pjesa e aplikimit.

Specialistja 1: Sepse në fakt, ka një periudhë të caktuar kohore, kur dokumenti kalon në dorën e arkivit. Paraprakisht, për institucionet, për shkollat, duhet të kalojnë të paktën 10 vjet.

Por në arkivë e çojnë sërish në shkollë, pasi arkiva nuk ndërhyn dot në dokumente. Përgjigja e fundit, që i jep sekretarja e shkollës “Myslym Keta”, është, që të hapë një gjyq.

Sekretarja: Nuk ta ka shkruar siç duhet mbiemrin. Nuk e ka shkruar “Xara”, e ka shkruajtur “Cara”. Tani, mua nuk më lejohet, që të ndërhyj tek amza e një sekretareje të kaluar. Sepse unë e kam të paligjshme, unë dal nga puna. Atëherë, ti vetëm me proces gjyqësor ke për ta zgjidhur këtë. Nuk ka mënyrë tjetër!

Share With:
Translate »
109 Views