“Doja ta prekja, por s’e prekja dot”, gazetarja rrëfen skenën më të dhimbshme me të birin

Në programin “Rudina”, në Tv Klan, pasditen e sotme ishte e ftuar gazetarja dhe spikerja e lajmeve në Klan Plus, Enita Mema, së bashku me djalin e saj 7-vjeçar Daniel.

Enita foli për periudhën e vështirë të koronavirusit, ku u detyrua që për të mbrojtur djalin e saj, të qëndronte larg tij për një periudhë 3-javore. Ajo tregoi se ishte një periudhë shumë e vështirë dhe komunikimi i vetëm me të birin ishte në telefon ose me kamera.

Ishte periudhë shumë e vështirë për të gjithë ne. Ne e perjetonim çdo ditë edhe këtu, sepse ishim njerëzit e paktë që kishin mundësinë të dilnim dhe të qarkullonin dhe të vazhdonim rutinën e përditshme, në njëfarë mënyre. Paniku në gjendjen e parë të karantinës ishte i madh tek kushdo dhe kjo gjendja psikologjike ndikoi në mënyrë vendimtare. Jo se rreziku i virusit ka rënë apo është reduktuar, por impakti i parë është gjithmonë shumë i vështirë për t’u përballuar edhe nga ana psikologjike. Kështu që përballë kësaj gjëje, mendova që kjo do ishte zgjidhja më e mirë për djalin dhe ne qëndruam 3 javë pa u parë. Unë kam vajtur vetëm një mbrëmje, i çova çantën për të bërë detyrat tek babi i vet. Edhe djali ishte me maskë, me doreza, i mbështjellë. Doja ta prekja dhe nuk e prekja dot. Unë brenda në makinë, ky jashtë, vetëm i lashë çantën dhe nuk u takuam dot. Kur u largua tek dera vetëm rrinte dhe ma bënte me dorë, derisa unë u largova…

Ajo ka qenë shumë prekëse. Unë e vuajta, pavarësisht se para djalit nuk e jepja veten, domethënë kur komunikonim me telefon apo me Video Call, e vetmja mënyrë komunikimi për të gjithë banorët e tokës besoj në atë periudhë.

Më tej, gazetarja tregoi dhe momentin kur e takoi djalin sërish dhe ishte pikërisht në ditën e saj të lindjes.

Shkova e mora unë atë ditë, isha dhe në punë, deri mbasdite që mbarova lajmet, mbarova edicionin e orës 7 e 30. Shkova më pas ta merrja dhe ai nuk ka reshtur: “O ma, edhe sa do të vish? Po të pres, o ma. Kur mbërrita aty, doli menjëherë. Ishte emocion i jashtëzakonshëm, unë nuk ngopesha duke e puthur, por prapë me pak frikë. Shkuam në shtëpi, u lamë, u dezinfektuam dhe pastaj vetëm u përqafuam në shtëpi.

Share With:



350 Views