Dr. Jonida Reveli: Infertiliteti, rreziqet për gratë dhe burrat

Nëse realizimi i një shtatzënie ka qenë një sfidë e madhe për ju e partnerin tuaj, duhet të dini që nuk jeni vetëm. Rreth 10 – 15 % e çifteve vuajnë nga infertiliteti. Infertiliteti përkufizohet si pamundësia për të konceptuar një shtatëzani, pavarësisht marrëdhënieve seksuale të pambrojtura për të paktën një vit rresht, ose 6 muajsh në disa rrethana. Zakonisht konsulta me gjinekologun duhet të bëhet pas 1 viti. Pacientet femra duhet ti drejtohen mjekut obstetergjinekolog për konsultë pas 6 muajsh marrëdhëniesh seksuale të pambrojtura nëse:

1. Mosha 35 – 40 vjeç që nuk kanë arritur të kenë një shtatzëni pas 6 muajsh;

2. Mosha mbi 40 vjeç;

3. Kanë cikle të çrregullta menstruale ose nuk kanë fare të tilla;

4.Janë diagnostikuar më parë me probleme të fertilitetit;

5. Janë diagnostikuar me sëmundje inflamatore pelvike apo endometrioze;

6. Kanë pasur më shumë se një abort;

7. Kanë marrë mjekime apo rrezatime për sëmundje kancerogjene.

Pacientët meshkuj duhet t’i drejtohen mjekut për konsultë pas 6 muajsh marrëdhëniesh seksuale të pambrojtura nëse:

1. Spermograma me ndryshime jonormale;

2. Ndjejnë fryerje në scrotum;

3. Kanë bërë një ndërhyrje kirurgjikale të mëparshme si për shembull vazektomi apo ndërhyrje në scrotum, inguanale;

4. Kanë testikuj të vegjël;

5. Kanë dëshirë të ulët seksuale apo çrregullime të funksionit seksual, çrregullime të ejakulacionit;

6.Kanë marrë mjekime apo rrezatime për sëmundje kancerogjene

Faktorët që shtojnë riskun për të pasur probleme me infertilitetin si për meshkujt e për femrat janë:

1. Mosha – Fertiliteti i femrave dhe i meshkujve ulet me moshën. Ky faktor bëhet më rëndësishëm te femrat pas moshës 30 vjeç sepse kemi ndryshime në numër dhe cilësi të prodhimit të vezëve si dhe tek meshkujt pas moshës 40 vjeç;

2.Përdorimi i duhanit;

3.Ekspozimi ndaj pesticideve e toksinave të tjera;

4.Përdorimi i alkoolit;

5. Përdorimi i drogërave;

6. Të qenit mbipeshë ose obezë;

7. Të qenit nënpeshë, i kequshqyer apo dietat e forta;

8. Aktiviteti i tepërt i sforcuar fizik.

Shkaqet e infertilitetit ndahen sipas statistikave në tre grupe madhore:

• 1/3 rasteve problemi është vetëm femëror;

• 1/3 rasteve problemi është vetëm mashkullor;

• 1/3 rasteve problemi është i të dyve apo nuk gjendet shkaku.

Shkaqet e infertilitetit femëror janë:

1. Çrregullime të ovulacionit ose prodhimit të vezëve – për shembull vezoret polikistike, shtim i prodhimit të hormonit prolaktinë- hormon që stimulon gjinjtë për prodhimin e qumështit, amenorrea ose mungesa e ciklit menstrual, oligoamenorrea, ose sasi e pakët e ciklit menstrual të cilat vinë si pasojë e ndryshimeve hormonale.

2. Çrregullime të formës apo strukturës të mitrës apo qafës së mitrës – për shembull anomali të lindura të formës së mitrës, masa beninje të saj si fibrimiomat, ndryshime në hapjen e qafës së mitrës (stenoza), ndryshime të mukusit dhe bashkëveprimit mukus – spermë;

3. Infeksionet seksualisht të transmetuese që sjellin ndryshime në cilësinë e mukusit;

4. Bllokime të tubave Fallopiane nga salpingitet apo inflamacioni i tubave që vinë nga sëmundjet pelvike inflamatore dhe endometrioza;

5. Ngjitjet pelvike të shtresave të barkut që vinë si pasojë e infeksioneve pelvike, appendicitis, peritonitis apo ndërhyrjeve kirurgjikale abdominal të mëparshme;

6. Menopauza e parakohshme, para moshës 40 vjeç;

7. Sëmundje të tiroides si hiper apo hipoprodhimi sjellin ndryshime deri në ndërprerje të ciklit menstrual duke çuar në infertilitet etj.

Shkaqet e infertilitetit mashkullor:

1. Prodhim jo normal i spermës në sasi e cilësi – vjen nga defekte të lindura, moszbritja e testikujve, infeksione të mëparshme, sëmundje si diabeti, çrregullime hormonale, ndërhyrje të mëparshme kirurgjikale, venat e zgjeruara të testikujve (varikocela) etj.

2. Probleme në transportimin e spermës – ejakulacioni i parakohshëm, probleme të strukturave transportuese të spermës për shkak të ndërhyrjeve kirurgjikale, defekteve gjenetike, infeksioneve, traumave etj.

Përpara se të shkoni të konsultoheni me mjekun për problemet e infertilitetit duhet që ju si pacient të jeni i kujdesshëm në mbledhjen e këtyre informacioneve tuaja personale:

1.Të siguroni një histori të plotë të cikleve menstruale, të marrëdhënieve seksuale, shpeshtësinë e kohën për tërë muajt që jeni përpjekur për të realizuar një shtatzënie;

2. Të dispononi një histori të plotë të problemeve tuaja shëndetësore të njohura, të ekzaminimeve që keni bërë apo ndërhyrjeve kirugjikale;

3. Bëni një listë të tëra mjekimeve, barnave apo vitaminave që merrni si dhe një kuadër të stilit tuaj të jetës;

4. Bëni një listë pyetjesh që dëshironi ti bëni mjekut tuaj.

Trajtimi i infertilitetit

1. Trajtimi i infeksioneve.
2. Trajtimi i problemeve të aktit seksual në vetvete.
3. Përdorimi i kurave hormonale dhe medikamentoze.
4. Stimulimi i prodhimit të vezëve me barna.
5. Ndërhyrje kirurgjikale.
6. Përdorimi i teknologjisë së riprodhimit të asistuar.

Hapi kryesorë në trajtimin e infertilitetit është të ruani një marrëdhënie të shëndoshë, të qetë, komunikim të vazhdueshëm. Dëshira për të pasur një shtatzëni të jetë e fortë dhe triumfuese mbi çdo sakrificë që do bëni së bashku për të pasur një të tillë. Të menaxhoni stresin dhe të jetoni shëndetshëm.

Share With:
Translate »
1139 Views