Dritë më fund të tynelit për jetimët që la Fildesi

Historia e familjes së gjyqtares së vrarë pak ditë më parë nga ish-bashkëshorti ka ngjallur një solidaritet të fortë nga shoqëria si dhe reagimin e Bashkisë së Tiranës. Bashkia e kryeqytetit ka ndërmarrë hapa konkretë për të ndihmuar dy fëmijët e gjyqtares të mbetur jetimë të cilët jetojnë së bashku me gjyshërit e tyre në një banesë të vjetër me qira. Mësohet se përfaqësues të Bashkisë së Tiranës kanë vizituar familjen e së ndjerës Fildez Hafizi, ku janë njohur me kushtet e vështira ekonomike. Bashkia e Tiranës, përmes Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale është angazhuar që të plotësojë dokumentacionin për heqjen e kujdestarisë së babait që është në burg dhe dhënien e kujdestarisë me vendim gjykate tezes së fëmijëve. Nga dhënia e kujdestarisë do të përfitojë secili prej dy fëmijëve nga 9 000 lekë në muaj. Gjithashtu, ata do të zhvendosen edhe në një tjetër shtëpi me qira, e cila do të paguhet tërësisht nga ana e Bashkisë së Tiranës, ndërkohë në bashkëpunim edhe me donatorët, do të bëhet edhe mobilimi i shtëpisë së re ku do të jetojnë fëmijët, pasi të gjitha pajisjet aktuale ishin tejet të amortizuara, ndërsa në bashkëpunim me një donator privat, fëmijëve u është siguruar transporti falas për në shkollë.

Share With:
Translate »
937 Views