E trishtë! Tri motra me probleme mendore në Lezhë abuzohen seksualisht prej 6 vitesh. Njëra shtatzënë

Tri motra me probleme të shëndetit mendor në Lezhë janë lënë në mëshirë të fatit nga institucionet shtetërore dhe ndaj tyre abuzohet seksualisht nga persona të ndryshëm prej më shumë se gjashtë vitesh.

Në vitin 2016 ata u nxorën nga qendra sociale ku mbaheshin, me argumentin se kishin kaluar moshën për të qëndruar në atë qendër. Që nga ajo kohë tri motrat e moshës 38, 40 dhe 42-vjeçare, i sheh në çdo orë të ditës në qytet dhe abuzohen nga persona të ndryshëm.

Akoma më të rëndë gjendjen e bën fakti që ata kanë sjellë në jetë fëmijë. Emisioni “Pa Gjurmë” raporton se një prej motrave ka lindur dy fëmijë dhe është sërish në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe tjetra një fëmijë, teksa të gjithë janë dërguar në një qendër jetimore në Elbasan.

Nëna e vajzave e cila gjithashtu ka probleme të shëndetit mendor, tregon se vajzat po abuzohen në këmbim të shifrave qesharake të parave. “Shkojnë me djem dhe burra, edhe më të moshuar për 100-200 lekë. Më parë, këta vinin edhe në shtëpi, por tani ikin në vende të tjera.

Nuk janë vetëm nga Lezha. Njëra nga vajzat ka lindur dy fëmijë, vajzën 4 vjeçe dhe djalin 3 vjeç, por ato janë dërguar në jetimore. Tani e kam vajzën prapë shtatzënë 7-muajshe”, thotë nëna.

Xhaxhai i vajzave të abuzuara ka bërë denoncim në polici, teksa vazhdon të kërkojë ndihmë që t’i largojë vajzat nga rruga. Në deklarimin e tij ai tregon edhe indiferencën e policisë mbi këtë ngjarje të rëndë.

“Tre vajzat kanë dalë nga qendra në vitin 2016, pasi kanë qenë në moshë madhore. Kujdestarinë e tyre nuk e ka marrë askush. Qendra i ktheu në rrugë, pasi ato dolën nga atje. Kur erdhën në familje, abuzimi i parë ndodhi me vajzën e dytë. Ato nuk tregonin, por ne e kuptuam kur kishte mbetur shtatzënë.

Unë kërkova të ndalonte shtatzëninë, por nuk është ndërmarrë asnjë veprim. Një person mbi 70 vjeç ka abuzuar me një nga vajzat. Kjo video është bërë virale në rrjete sociale. Ai u dënua me 3.4 vite burg. Kam shkuar disa herë në polici, por më kanë thënë: Kemi halle të tjera, krime të tjera”, thotë xhaxhai.

Ndërkohë prej plot gjashtë vitesh Shërbimi Social dhe Bashkia e Lezhës nuk dinë t’i japin zgjidhje këtij rasti. Vazhdimisht ata ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës dhe lënë në mëshirë të fatit tre motrat. I vetmi person i dënuar për abuzimin ndaj tyre është një 75-vjeçar.

Në vitin 2019, i moshuari u dënua nga Gjykata e Lezhës me 3.4 vite heqje lirie për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me persona të paaftë për t’u mbrojtur”. Gjithçka u zbulua nga një video në rrjete sociale, ku i moshuari abuzonte me vajzën prapa një dyqani.

Share With:
Translate »
95 Views