“E vrau, të marrë atë që meriton”, e bija e pacientes që vdiq nga Covid-19 e zhgënjyer pas lirimit të Tires

Të gjithë e mbajmë mend rastin e Tires, sanitares e cila la në mënyrë të pamëshirshme pa ujë e pa bukë pacienten që ndërroi jetë në spitalin Covid-2.

Kujtojmë se para disa ditësh ajo doli nga qelia dhe u la në arrest shtëpie nga gjykata e Tiranës.

Ky vendim e ka tronditur shumë të bijën e saj, Eltjana Sinanajn, e cila prej kohësh po endej dyerve të drejtësisë me shpresë që Tire Alldervishi do të merrte dënimin e merituar.

”Është e pamundur edhe për mua, që fëmijët e saj të rrinë me të, të gëzojnë me të, dhe unë të shkoj të varri i mamit dhe të puth vetëm emrin e saj. Për mua dhe familjarët e mi dhe të afërmit e mi, është një vrasje me paramendim”, është shprehur ajo.

Po ashtu ajo ka dyshime të forta se Tirja nuk është fajtorja e vetme, por ka edhe bashkëpunëtorë të tjerë.

“Dyshimi është në të gjithë stafin që ka qenë në atë kat, në pavionin e dytë, sepse Tirja ishte në pavionin e tretë, nuk kishte të bënte fare me mamin tim.”

Pas gjithë atyre sakrificave dhe humbjes të së shtrenjtës së saj, ajo kërkon vetëm drejtësi për të ëmën.

“Dua që ajo të marrë dënimin që meriton. Drejtësia të shkojë deri në fund për mamin tim. Sepse jo vetëm mami im, por askush nuk e meriton, atë që përjetoi mami im në atë spital.”

Ndër të tjera ajo ka treguar se askush nuk i ka kërkuar falje për vdekjen e nënës dhe prandaj ka vendosur ta hedhë në gjyq këtë institucion dhe të kërkojë dëmshpërblim.

Ky rast u bë publik dhe mori vëmendjen e të gjithëve pasi dolën në dritë prova që e vërtetonin, por nuk dihet sa raste të tjera mund të jenë të ngjashme me këtë duke pasur parasysh nivelin e sistemit shëndetësor në vendin tonë si dhe akuzat e shpeshta të familjarëve të pacientëve.

Është trishtues fakti se si imazhi i punës i shumë prej punonjësve të shëndetësisë që sakrifikojnë për të qenë aty ku janë, prishet nga persona të tillë si Tirja apo të tjerë që kanë abuzuar në kurriz të profesionit që ushtrojnë. Madje mendojmë që nuk  vlerësohen aq sa duhet për misionin që ata kanë: të shpëtojnë jetë dhe të shpërblehen me rroga qesharake, ky është paradoksi që për fat të keq ekziston në vendin tonë.

 

 

 

Share With:
Translate »
257 Views