Edi Rama vazhdon të mos zbulojë portretin e Zahos dhe ka një përgjigje për këtë
Fotot dhe videot e Kryeministrit me Zahon janë të rralla në rrjetet sociale, por sa herë kreu i qeverisë poston një moment me të birin, është i dukshëm kujdesi për të mos e zbuluar asnjëherë portretin e tij. Edhe tani që Zaho është tre vjeç, ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij të personazheve të njohur, me të cilët jemi bërë shokë të gjithë, vazhdon të mbetet i fshehtë para publikut. Fshehja e portretit gjatë këtyre tre vjetëve, por edhe më tej (duket që do të vazhdojë), është bërë me qëllim nga familja Rama.
Me gjithë kërkesat e vazhdueshme të ndjekësve në rrjetet sociale, Kryeministri është i vendosur për ta mbajtur larg syve kureshtarë të birin.
Sot, në një intervistë për “Tek unë”, me Arjola Shehun, Rama tha se, në ndryshim nga mediat në botë, kur fytyrat e fëmijëve publikohen të mbuluara, tek ne kjo nuk ndodh. Për këtë arsye, ai nuk do ta përdorë të birin për të tërhequr vëmendje: “Normalisht, në mediat jo kazan nëpër botë, edhe kur ndodh që t’ia publikojnë fotot, i mbulojnë, sepse fëmijët nuk mund të jenë kuriozitete mediatike…” – tha Rama duke shpjeguar edhe arsyen pse ai dhe Linda kanë zgjedhur të mos e zbulojnë asnjëherë portretin e Zahos.
Po meqë nuk paskemi shans ta shohim e ta njohim, kujt i ngjan më shumë Zaho, babit apo mamit? Kësaj pyetjeje, Rama i përgjigjet si politikan: “Është i përzier….”