Emri Anne Frank për trenin gjerman shkakton polemika

Operatori hekurudhor i Gjermanisë Deutsche Bahn ka mbrojtur vendimin e tij për të emëruar një tren me shpejtësi të madhe sipas viktimës së Holokaustit, Anne Frank. Emri i Anne Frank është në mesin e 25 gjermanëve të famshëm, të zgjedhur nga një juri, pas një konsultimi publik. Deputetja konservatore gjermane, Iris Ebrel, ka shkruar në Twitter se zgjedhja e emrit është “pa shije”, sepse Anne Frank dhe hebrenjtë e tjerë janë dërguar me tren drejt vdekjes.

Por, zëdhënësja e Deutsche Bahn, Antje Neubauer, ka thënë se vajza ka qenë simbol i tolerancës. Anne Frank po ashtu ka përfaqësuar “bashkëjetesën paqësore të kulturave të ndryshme, e cila është më e rëndësishme se kurrë në kohë të tilla si kjo”, ka thënë Neubauer. Ditari i Anne Frank është ndër librat më të shitur në botë dhe përshkruan jetën e vajzës hebreje duke u fshehur me familjen e saj në Amsterdamin e pushtuar nga nazistët, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Familja Frank është dërguar në kampin e vdekjes Auschwitz në vitin 1944, ndërsa Anne ka vdekur më vonë në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen, në moshën 15-vjeçare. Deutsche Bahn është në pronësi të shtetit dhe pasardhëse e kompanisë Deutsche Reichsbahn, e cila ka deportuar miliona hebrenj dhe viktima të tjera të nazistëve.

Share With:
Translate »
819 Views