Epidemia e fruthit, Manastirliu: Vaksinim në terren, plan të gjerë masash

Në kuadër të programit të kujdesit shëndetësor në komunitet, Ministria e Shëndetësisë ka nisur vaksinimin në terren të fëmijëve të riskuar. Ministrja e Shendetësisë, Ogerta Manastirliu u ndal në qarkun e Beratit, ndërsa tha se jashtë procesit rutinë, deri tani janë kryer rreth 10 mijë vaksina kundër fruthit që prej muajit janar.

Në kuadër të masave për parandalimin dhe eleminimin e epidemisë së fruthit, Ministria e Shendetësisë ka ndërmarrë një plan masash ku ndër to është vaksinimi në terren i femijëve dhe popullatës së riskuar.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ishte në  Moravë të komunës Otllak në Berat, ku në kuadër të  programit të kujdesit shëndetësor në komunitet, u krye në Moravë vaksinimi i 120 fëmijëve dhe të rriturve të komunitetit rom dhe egjiptian.

Manastirliu: Së bashku me Drejtorinë Shëndetësore Rajonale, Drejtorinë e Shëndetit Publik jemi duke kryer regjistrimin, depistimin e familjeve të komunitetit rom dhe mbi të gjitha jemi duke vlerësuar të gjithë kalendarin e vaksinimit të fëmijëve dhe në kuadër të masave të parandalimit të epidemisë së fruthit.

Pjesë e këtij programi kombëtar është edhe ofrimi i shërbimit të mamografisë së lëvizshme pranë komunitetit.

Manastirliu: Tashmë 5 mijë gra në vit kontrollohen për ekzaminimet kundër kancerit të gjirit. Kemi sjellë mamografin e lëvizshëm, do të qëndrojë këtu dhe do të bëjë depistimin për rreth 30 gra të këtij komuniteti.

Sipas Manastirliut, deri tani janë kryer rreth 10 mijë vaksina kundër fruthit që prej muajit janar, jashtë procesit rutinë të vaksinimit, ndërsa janë në dispozicion 140 mijë doza vaksine.

Më herët, Ministrja Manastirliu u ndal dhe në Urën Vajgurore, në qendrën shëndetësore Goriçan, e cila këtë vit do ti nënshtrohet rehabilitimit të plotë për 2400 banorët e kësaj zone, në kuadër të programit të rikonstruksionit të 80 qendrave shëndetësore gjatë këtij viti.

Share With:
Translate »
679 Views