Është e vështirë të jesh prind sot?

Dëgjojmë shpesh të thuhet se prindërimi është profesioni më i vështirë në   botë (edhe më i bukuri…) por kjo shprehje duket se bëhet edhe më e vërtetë në këtë periudhë historiko-sociale ku edhe prindërimi duket se ka ndryshuar. Në shoqërinë e sotme, të gjithë jemi dëshmitarë të një rritjeje të dukshme të problematikave që lidhen me marrëdhënien prind-fëmijë. Këto problematika janë fryt i modeleve të komunikimit dhe ndërveprimeve disfunksionale. Cilët janë faktorët që ndikojnë për ta bërë rolin e prindërve të vështirë?

Faktorët socialë

Nga një këndvështrim social, mund të dallojmë elementët e mëposhtëm:

Kalimi nga familja patriarkale te një familje bërthamë: ndërkohë që në të kaluarën, fakti i të qenit një familje me shumë anëtarë i shtynte prindërit që të nxisnin në mënyrë spontane pavarësinë te fëmijët, sot vëmendja dhe energjitë e një çifti janë të përqendruara ekskluzivisht te një (maksimumi dy) fëmijë. Për pasojë shtohet mundësia që të “vonohen” disa hapa, të cilat janë të nevojshme për të rritur pavarësinë dhe ndjenjën e përgjegjësisë te fëmija.

Nivelet e larta të papunësisë dhe zgjatja e studimeve, që i shtyjnë të rinjtë (në veçanti meshkujt) të qëndrojnë më gjatë në gjirin e familjes, ndërkohë që në të kaluarën pasi mbaronin shkollën të rinjtë fillonin menjëherë punë dhe ishin më të pavarur financiarisht. Këto dy kushtëzime ndikojnë që të krijohet një frymë “mbrojtjeje” për shkak se prindërit, me të gjitha qëllimet e tyre të mira, mund të ndikojnë që fëmijët të bëhen të pasigurt, pasi nuk kanë mundësi të eksperimentojnë pavarësinë dhe ndjenjën e përgjegjësisë në mënyrën dhe në kohën e duhur. Ajo që krijohet është një trekëndësh nënë-baba-fëmijë dhe një mbyllje, e cila mund t’i japë vetë fëmijës një mesazh të dyfishtë: i pari që fëmija (në moshë madhore tashmë) mund të mbështetet te prindërit, të cilët e ndihmojnë dhe e duan pa kushte; dhe i dyti “vetëm nuk mund t’ia dalësh mbanë”.

Pak rregulla, por të qarta

Të jesh prind do të thotë të shkoni përtej vetes suaj me vetëdijen se keni nxjerrë në dritë një person të ri, i cili duke u rritur duhet të jetë i fortë t’ia dalë mbanë në të gjitha sfidat e jetës. Ama, që fëmijët të arrijnë deri këtu dhe të shndërrohen në adultë të zotë e të përgjegjshëm, duhet që prindërit të zbatojnë disa rregulla praktike dhe konkrete, pasi roli i tyre është shumë i rëndësishëm, sidomos në këtë shoqëri që po ndryshon kaq shpejt.

Pavarësia mësohet përgjatë kohës | Nëse doni që fëmijët tuaj të lëvizin të sigurt dhe të lumtur në botën që i rrethon, duhet t’u mësoni atyre që në hapat e parë, që të kuptojnë realitetin që i rrethon. Me pak fjalë, nuk është e nevojshme t’i trembni dhe as t’u krijoni iluzione të rreme. Realiteti është i përbërë nga shkëlqimi dhe dritëhijet. Ai nuk ndryshon, jemi ne që duhet ta kuptojmë, në mënyrë që të jetojmë sa më mirë me të.

Nuk mund të jesh edhe prind edhe mik i fëmijës | Prindërit janë pikë referimi për fëmijët. Roli i tyre prindëror bazohet mbi ‘po’-të dhe ‘jo’-të, të cilat bëjnë të mundur rritjen e pavarësisë dhe të zotësisë te fëmijët.

Mos u lodhni kurrë nga bisedat me fëmijët | Që të vegjël mësojini të përballen me ju. Krijoni ambientin e duhur që ata t’ju tregojnë se çfarë ndjejnë, çfarë ëndërrojnë dhe çfarë zgjedhin. Dëgjojini fëmijët tuaj me kujdes dhe pa i gjykuar për atë që ju thonë. T’i edukoni nuk do të thotë t’i gjykoni, por të nxirrni më të bukurën dhe më të mirën që është brenda secilit prej tyre.

Familja e përsosur nuk ekziston

Nuk ekzistojnë prindër dhe fëmijë të përsosur, njësoj siç nuk ekziston as princi i kaltër. Një prind i vërtetë, nuk është ai që është bërë rastësisht i tillë, por ai që ka marrë përgjegjësitë për fëmijën dhe edukon me krenari një individ të lirë për të qenë vetvetja. Fatkeqësisht, kur nuk është kështu, kur familja dëshiron me çdo kusht të pasqyrojë një mit dhe traditat, krijohet një zinxhir i rëndë dhe i pathyeshëm që u mohon fëmijëve gjënë më të rëndësishme: lirinë për të qenë vetvetja. Ndaj, së pari është e rëndësishme që vetë prindërit të mësojnë të shohin rreth e qark pa paragjykime, në mënyrë që më pas t’ua mësojnë këtë gjë edhe fëmijëve. Jemi qenie njerëzore dhe si të tillë edhe do të gabojmë, edhe do të dështojmë. E rëndësishme është të gjejmë rrugën e ringritjes, pa u diktuar nga ‘e mira dhe e keqja’ thjesht e vetëm për fasadë.

Përgatiti: Manjola EREQI | Revista Psikologji

Share With:
Translate »
22 Views