Fëmijët e lindur gjatë pandemisë kanë IQ më të ulët, thotë një studim

Fëmijët e lindur gjatë pandemisë së Covid kanë rënie të ndjeshme në performancën verbale, motorike dhe atë të përgjithshme njohëse në krahasim me fëmijët e lindur më parë, sugjeron një studim amerikan.
Duke qenë se Covid-19  shkaktoi mbylljen e bizneseve, çerdheve, shkollave dhe këndeve të lojërave, jeta për foshnjat ndryshoi në mënyrë të konsiderueshme, ndërkohë që prindërit e stresuar përpiqeshin të barazpeshonin punën dhe kujdesin ndaj fëmijëve. Duhet theksuar se vitet e para të jetës së një fëmije janë të rëndësishme për zhvillimin njohës.
Me stimulim të kufizuar në shtëpi dhe më pak ndërveprim me botën jashtë, fëmijët e epokës pandemike duket se kanë arritur rezultate të ulëta në testet e krijuara për të vlerësuar zhvillimin njohës (konjitiv), tha (via Guardian) autori kryesor i studimit Sean Deoni, profesor i asociuar i pediatrisë në Brown University.

Në dekadën para pandemisë, rezultati mesatar i IQ* në testet e standardizuara për fëmijët e moshës nga tre muaj deri në tre vjeç ishte rreth 100, por për fëmijët e lindur gjatë pandemisë numri është 78, sipas analizës, e cila duhet të rishikohet nga profesionistët e fushës.

IQ (intelligence quotient) – Koeficienti i inteligjencës është një rezultat total që rrjedh nga një grup testesh të standardizuara të krijuara për të vlerësuar inteligjencën njerëzore.

Fëmijët me prejardhje nga shtresat më të ulëta socio-ekonomike patën rezultate më të këqija në teste, zbuluan studiuesit. Arsyeja më e madhe pas rënies së pikëve ka të ngjarë të jetë mungesa e stimulimit dhe ndërveprimit në shtëpi, tha Deoni. “Prindërit janë të stresuar dhe të tronditur. Ndërveprimi që fëmija do të kishte normalisht ka rënë ndjeshëm.”

Duke pasur parasysh që këto të dhëna vijnë nga një pjesë relativisht e pasur e Shteteve të Bashkuara ekziston frika është se gjërat mund të jenë më keq në pjesët më të varfra të vendit dhe botës, shtoi ai.

Terence Stephenson, një profesor për shëndetin e fëmijëve në University College London, u shpreh se hulumtimi ishte interesant, pasi shumë është shkruar për ndikimin e pandemisë në edukimin e fëmijëve të moshës shkollore, por nuk është diskutuar për foshnjat.

 

 

 

Share With:
Translate »
171 Views