Fëmijët, stresi u largohet duke folur me nënën

Zëri i nënës largon stresin. Tani e tutje kur një bashkëshort të shohë të shoqen duke folur pafund me të ëmën nuk duhet të shqetësohet, por të lumturohet. Një studim i bërë nga Universiteti Medison i Uiskonsit ka treguar se për t’u ndier më mirë mjafton të dëgjosh zërin e nënës dhe mërzitja largohet si me dorë. Studiuesit vunë re se çdo gjë ka një bazë shkencore: duke dëgjuar zërin e një mike ose atë të nënës, që është gjëja më e shtrenjtë në botë, trupi i njeriut çliron oksitocinën, një hormon që ul nivelin e stresit, largon mendimet negative, rrit qetësinë, vetëvlerësimin dhe besimin në vetvete. Në të njëjtën kohë bie edhe niveli i kortizolit, hormoni që nxit stresin.

Studimi ka dashur të tregojë në veçanti se kjo substancë (oksitocina) nuk çlirohet vetëm me kontaktin fizik, përqafimet dhe puthjet e pafundme të nënës, por edhe thjesht me zë, e më pak me “chat”-in e mesazhet.

Baballarët dhe bashkëshortët nuk duhet të ndihen keq, sepse i njëjti proces ndodh edhe me ta. Zakonisht janë vajzat ato që janë të lidhura më tepër me baballarët. Megjithatë po të vini re edhe mes dy partnerëve të dashuruar ka shumë emocion kur dëgjojnë zërat e njëri-tjetrit. Është pikërisht oksitocina substanca që jep këtë efekt.

Këto efekte të dobishme mund ta zhdukin magjinë sa hap e mbyll sytë kur nëna fillon të ngrejë zërin. Në këtë rast niveli i stresit rritet në mënyrë të ndjeshme njësoj siç debatoni me një fqinj ose arkëtaren e supermarketit. Megjithatë në çdo rast është mirë që ta keni me vete telefonin dhe pasi të keni përjetuar situata stresuese t’i telefononi dikujt që e doni vërtet shumë. Eksperimenti është kryer te 64 vajza nga mosha 7 deri në 12 vjeç, të cilat janë vendosur përballë situatave stresuese: zënkave

ose problemave të vështira të matematikës. Pastaj ato u ndanë në tri grupe. Grupi i parë pati kontakt fizik me mamatë, grupi i dytë kaloi pak kohë në telefon, ndërsa i treti pa një video, por pa pasur kontakt me mamatë. Përfundimi? Te vajzat që bënin pjesë në grupin e parë dhe të dytë u vu re një ulje e konsiderueshme e nivelit të stresit, ndërsa vajzat që panë filmimin vazhdonin të ishin të stresuara. Niveli i kortizolit tek ato ishte i lartë.

Oksitocina është hormoni që nxit kontraktimin e mitrës gjatë lindjes dhe ushqyerjen me gji. Gjithashtu është hormoni që rrit ndjeshmërinë dhe të kuptuarin e gjendjes shpirtërore të të tjerëve, si dhe favorizon marrëdhënien me ta.

Parandalimi i stresit te fëmijët

Aftësia e të vegjëlve për t’i bërë ballë stresit është një temë mjaft delikate. Ka shumë ndryshime mes një fëmije që ka lindur dhe është rritur në një familje të bashkuar dhe një tjetri që për rrethana të ndryshme është rritur pa njërin prind, sepse i ka braktisur, apo se nëna dhe babai kanë vendosur të ndahen. Sigurisht që fëmija i parë do të vuajë më pak se i dyti, nuk do të ketë probleme që të bashkohet me të tjerët, do të rritet i qetë, i shëndetshëm dhe do të përpiqet t’i realizojë të gjitha qëllimet në të ardhmen. Tjetri mund të ketë vështirësi serioze me shoqërimin, mund të shfaqë kriza paniku, ankth, shenja inati dhe dhune ndaj të tjerëve, si dhe ndaj gjithë botës. Në pamundësi për të pasur një ekzistencë të ekuilibruar, fëmija i braktisur pasi të jetë rritur, nuk do të dijë ç’të bëjë në jetë dhe duke qenë i pavendosur do t’i dorëzohet “vetëshkatërrimit”. Kur mungon qëndrueshmëria, fëmijët e ndiejnë më shumë nga të gjithë, sepse strukturat cerebrale që kanë nuk janë akoma të forta për të përballuar vështirësitë. Në qoftë se bëhet fjalë për fëmijë shumë të vegjël shpeshherë është e vështirë të kuptosh arsyen e mërzitjes, ndërkohë që me kalimin e viteve burimet kryesore të stresit identifikohen me frikën e ndarjes së prindërve, apo paaftësinë për të kryer një punë të lehtë.

Si mund ta kuptojmë që fëmija është nën presionin e stresit

Sipas ekspertëve, prindërit nuk duhet t’ua ndajnë sytë fëmijëve, sidomos kur ata sillen në mënyrë agresive. Për t’u shëruar nga stresi, një fëmijë ka nevojë për shumë qetësi, dashuri, vëmendje nga ana e prindërve dhe bashkëbisedime të thjeshta, të hapura e të sinqerta me nënën dhe babanë, edhe pse këta të fundit mund të jenë të ndarë ose të divorcuar.

Share With:
Translate »
845 Views