Femrat që bëhen nëna në moshë të madhe jetojnë më gjatë

Një studim i ri amerikan ka zbuluar se femrat që lindin për herë të parë në moshë të madhe kanë mundësi që të jetojnë më gjatë. Këtë e bën të mundur një gjen i tyre i veçantë

Mamatë e sotme kanë shumë për të bërë; shumë prej tyre marrin një pushim nga puna por nuk heqin dorë nga karriera në mënyrë të menjëhershme. Me fjalë të tjera, duke filluar një familje, ato nuk e përjashtojnë më suksesin dhe ambiciet profesionale. Për këtë fakt, në krahasim me disa vite më parë, sot fëmijët “vijnë” shumë vonë në jetën e një femre. Por, sipas një studimi të kryer në Shkollën e Mjekësisë së Universitetit të Bostonit (SHBA), kjo gjë ka ndikim pozitiv në jetën e një femre që bëhet nënë për herë të parë në një moshë të madhe. Femrat që bëhen nëna pas moshës 33-vjeçare, kanë dyfishin e mundësive për të jetuar deri në moshën 95 vjeç, në krahasim me vajzat që lindin përpara të 30-ave. Ky studim ka përfshirë 462 gra të cilat gjetën një lidhje të konsiderueshme të të qenët nënë në një moshë më të madhe, ku gratë që kishin fëmijë pas moshës 33-vjeçare ishin të prira për të jetuar më gjatë në krahasim me ato që kishin fëmijën e tyre të fundit para moshës 29-vjeçare. “Padyshim kjo nuk do të thotë se femrat duhet të presin një moshë më të madhe për të pasur fëmijë, për të rritur mundësinë e të jetuarit më gjatë”, thotë Tomas Pirls (Thomas Perls), mësues i mjekësisë dhe bashkëpunëtor në studim. “Mosha në të cilën ndodh shtatzënia e fundit mund të jetë një shenjë plakjeje. Aftësia natyrore për të pasur një fëmijë në një moshë të madhe, tregon se sistemi riprodhues po plaket dalëngadalë, dhe e njëjta gjë vlen edhe për pjesën tjetër të trupit të saj”. Mendohet, në fakt, se këto gra kanë një gjen të veçantë që u jep atyre jetëgjatësi më të madhe. Megjithatë, studimi nuk jep informacione të tjera të mëtejshme. “Nëse një femër e posedon një gjen të tillë, ajo është në gjendje të mirë riprodhuese dhe përveç të tjerash këto gjene mund t’ia transmetojë gjeneratës pasardhëse”, ka përfunduar Pirls. Ndërkaq, sa më gjatë të shtyhet amësia, aq më i ulët është rreziku nga zhvillimi i kancerit të mitrës, është konstatuar në Kaliforninë Jugore, edhe pse shtatzënia e vonshme lidhet me komplikime të shumta. Konkretisht, femrat të cilat bëhen nëna pas moshës 30-vjeçare kanë 17 për qind më pak rrezik të preken nga kanceri i mitrës, ndërsa rreziku reduktohet edhe më shumë për secilin vit të shtyrjes së amësisë. Femrat të cilat bëhen nëna në moshën 40-vjeçare kanë 44 për qind më pak rrezik nga ajo sëmundje, shkruhet në gazetën britanike “Daily Mail”. “Lindja në një moshë më të vonë është një lloj faktori mbrojtës nga kanceri endometrial, edhe nëse bëhet fjalë për tipin 1, i cili është i lidhur me ekspozimin ndaj estrogjenit ose tipin 2, i cili paraqitet i pavarur nga hormonet”, ka thënë dr. Veronika Setiavan, udhëheqëse e studimit që ka përfshirë më se 8 mijë femra.

Share With:
Translate »
880 Views