Rritet numri i të dënuarve që ushtrojnë dhunë në familje nga përdorimi i alkoolit

“Konfliktet në familje nisën për shkak të alkoolit. Im shoq ka 5 vjet që pi dhe na dhunon mua dhe fëmijët”.

Më këto fjalë dhe shenjat e dhunës si dëshmi në trup, Arbesa ka denoncuar bashkëshortin që u dënua nga gjykata me 4 muaj shërbim prove, me kushtin që të rehabilitohet në klinikën e trajtimit të vartësisë ndaj alkoolit. 

Aktualisht 500 të dënuar ndodhen në shërbim prove si autorë krimesh të kryera nën ndikimin e alkoolit dhe droges. Të dhënat zyrtare tregojnë se në tre vitet e fundit ka rritje të numrit të këtij grupi. 

“Janë afërsisht 10 për qind e totalit, nga 5 mijë të dënuar 500 janë të dënuar të kësaj kategorie. Prej tyre shumica, mbi 200, janë për alkool dhe të tjerët përdorues të lëndëve psikotrope”, deklaron Ilir Qafa, drejtor i përgjithshëm i Shërbimit të Provës. 

Por vepra penale që kryhet më shpesh nën ndikimin e alkoolit është për drejtim automjeti në gjendje të dehur. Vetëm në korrik, thonë zyrtarë të policisë rrugore, janë arrestuar 78 persona. 

Ndërkohë, vetëm për këtë fundjavë prokuroria solli 8 persona për caktimin e masës së sigurimit personal, si të arrestuar në kushtet e flagrancës, por përveç kësaj vepre nën efektin e alkoolit trendi shihet në rritje edhe për veprat e shkatërrimit të pronës dhe dhunës. 

Por a i shpëtojnë vartësisë nga alkooli këta të dënuar në mënyrë që të mos jenë përsëritës të krimeve? 

“Institucioni i Shërbimit të Provës përpiqet të ofrojë shërbim psikologik, por për fat të keq nuk kemi ende besim tek një insfrastrukturë e mirë, pasi ende institucionet nuk janë në gjendjen e duhur për të ofruar një trajtim të tillë, me gjithë apelin e vazhdueshëm”, shton kreu i Shërbimit të Provës.

Share With:
Translate »
999 Views