Flet gjinekologu: Pse prindërit abortojnë më shumë fëmijët e gjinisë femërore?

Kohët e fundit sërish po diskutohet mbi abortin selektiv ndaj fetuseve femra. Kur përpara dy viteve e anatemova këtë fenomen (KJ 29.09.2009), që sipas gjykimit tim prek shoqërinë shqiptare pa dallim feje apo krahine, isha në vitin tim të dytë të punës si mjek specialist obstetër-gjinekolog.

Për fat të keq, edhe pas këtyre dy viteve, sërish konstatoj se fenomeni është i pranishëm në të njëjtën masë. Në këtë debat po përfshihen kryesisht vetëm mjekë, a thua se kjo çështje është një temë pa asnjë lloj rëndësie për shtetin apo për shoqërinë civile. Politika e ditës me sa duket ka eklipsuar mendimin e shëndoshë në këtë drejtim.

Është për t’u vlerësuar fakti që gjithnjë e më shumë mjekë të racës tonë (gjinekologë) po tregojnë sensibilitetin e duhur ndaj këtij fenomeni. Kjo është shumë e rëndësishme pasi ne jemi të parët që përballemi me këtë fenomen.

Megjithatë, një pjesë e kolegëve (për mendimin tim) po ndjekin një përqasje të gabuar ndaj problemit. Për sa i përket raportit me ligjin, aborti selektiv ndaj fetusit femër përbën një kundravajtje me ligjin, qoftë për çiftin që e kërkon qoftë edhe për mjekun që e kryen. Ky është edhe këndvështrimi kryesor nga i cili duhet të trajtohet aborti selektiv.

Përcaktimi i seksit me anën e ekografisë është e mundur me një siguri të madhe pas javës së 14-të. Legjislacioni shqiptar lejon abortin vetëm për shtatzëni deri në 12 javë moshë gestacionale. Pas kësaj jave aborti lejohet vetëm për rastet kur shtatzënia mund të rrezikojë jetën e nënës (për shkak të ndonjë patologjie shoqëruese të nënës) ose kur fetusi mbart anomali të papajtueshme me jetën. Për rastet pas javës së 12-të, aborti miratohet nga një komision i caktuar mjekësh.

Njëri nga kolegët e prononcuar mbështet idenë se aborti selektiv nuk është një fenomen masiv, nuk ndryshon në ndonjë masë të konsiderueshme demografinë dhe për rrjedhojë nuk duhet të na shqetësojë. Ky përfundim nxirrej nga një studim i vitit 1999. Sipas gjykimit tim, statistikat e vitit 1999 nuk mendoj se pasqyronin realitetin e vërtetë të asaj kohe dhe aq më pak realitetin e tanishëm.

Kjo për vetë faktin se aparaturat ekografike në qarkullim ishin shumë më të pakta në numër dhe ekzaminimi ekografik për rrjedhojë ishte shumë më pak aksesibël se sa tani. Në vitin 2011 aparaturat ekografike në qarkullim janë shumëfishuar në krahasim me vitin 1999, kështu që çiftet kanë më shumë akses tek ekografia sesa në vitin 1999. E njëjta gjë vlen edhe për personelin që kryen ekografinë (më i shumtë në numër në vitin 2011).

Nga ana tjetër, sipas bindjes time, aborti selektiv ndaj seksit femër si në vitin 1999 ashtu edhe në vitin 2011 vazhdon të mos deklarohet në një pjesë të mirë të rasteve (klasifikohet si abort përpara javës së 12-të apo edhe më keq nuk deklarohet fare). Një tjetër koleg hedh idenë se duhet të ndalohet me ligj thënia e seksit të fetusit prindërve gjatë shtatzanisë.

Kjo është një ide e papranueshme, pasi bie ndesh me dëshirën dhe të drejtën e shumicës së çifteve kandidatë për t’u bërë prindër për të ditur seksin e bebes së tyre.

Nga ana tjetër është e panevojshme rregullimi i këtij problemi me një ligj tjetër shtesë kur ligji ekzistues nuk respektohet. Ashtu sikur ka në ditët e sotme gjinekologë që kryejnë aborte selektive ndaj seksit femër (pra shkelin ligjin) ashtu do të ketë edhe mjekë gjinekologë që do t’u tregojnë prindërve seksin e fëmijës edhe sikur kjo të ndalohet me ligj.

Pra mostregimi me ligj i seksit të fetusit gjatë shtatzënisë është i panevojshëm. Për mendimin tim, të vlerësosh këtë fenomen si masiv apo jo kjo është diçka që ha debat.

Në eksperiencën time klinike, ndesh (edhe refuzoj!) një fenomen të tillë mesatarisht 10 herë në vit. Duke përllogaritur se sa mjekë gjinekologë ka Shqipëria, dhe duke kujtuar faktin se jo çdo abort selektiv deklarohet si i tillë, unë mund të them se vërtetë fenomeni nuk ka ndonjë ndikim mbi demografinë shqiptare, por nuk është as edhe ndonjë fenomen i vogël ndaj të cilit duhet të reagojmë me indiferentizëm.

Aborti selektiv ndaj seksit femër përbën provën më të mirë se diskriminimi i femrës në një shoqëri patriarkale si e jona, fillon që në barkun e nënës. Unë mendoj se politikat mbi emancipimin e femrës shqiptare duhet të fillojnë të trajtojnë edhe këto aborte selektive dhe jo vetëm dhunën në familje.

Në muajin shtator, grupet për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës raportuan se vende si Shqipëria, Armenia, Gjeorgjia dhe Azerbajxhanin vazhdonin të aplikonin abortet selektive ndaj seksit femër.

Kjo tregon se fenomeni është të paktën aq masiv sa për t’u diskutuar në Këshillin Evropës. Në rrugën tonë drejt integrimit evropian, shoqëria shqiptare duhet të plotësojë përveç kritereve ekonomikë, politikë, ushtarakë dhe shumë kritereve të tjera, edhe kriteret morale, etike dhe ato humane.

Ky fenomen duhet të luftohet në radhë të parë nga ne gjinekologët. Ne duhet të frenojmë sa të mundemi kërkesat për abort selektiv ndaj seksit femër. Por edhe shteti duhet të luajë sërish rolin e tij në këtë drejtim.

Një mënyrë do të ishte kontrolli i aborteve (kontrolli i regjistrave dhe vërtetimi i moshës gestacionale me foto të printuar ekografike në momentin e abortit për abortet më të vogla se 12 javë.)

Një tjetër variant do të ishte firmosja edhe nga drejtuesi i spitalit/klinikës i diagnozës së moshës gestacionale më të vogël se 12 javë në rastet e aborteve të lejuar. Rastet e kundravajtjes ligjore të dënohen me gjoba të ndryshme deri edhe të raportohen tek urdhri i mjekut.

E njëjta gjë të vlejë edhe për prindërit që kërkojnë një gjë të tillë. Shoqëria civile dhe media nga ana e tyre duhet të fokusohen më shumë në këtë drejtim. Të cilësosh këtë fenomen si jo masiv dhe me shumë pak ndikim mbi demografinë shqiptare nuk i shërben aspak përpjekjeve për zhdukjen e këtij fenomeni.

Kjo rrezikon të reduktojë vëmendjen, interesin dhe energjitë që shoqëria duhet të tregojë ndaj kryerjes së aborteve selektive ndaj seksit femër. /Shëndeti.com.al

Share With:
Translate »
914 Views