Gjykata e Shkodrës rikthen bashkëshortin dhunues nën një çati me nënën e 5 fëmijëve | Video

Një grua 40-vjeçare, nënë e 5 fëmijëve të cilët dhunohen sistematikisht nga bashkëshorti, është e detyruar nga gjykata të jetojë në një shtëpi me të, edhe pse me dy urdhra mbrojtjeje nga Gjykata e Shkodrës.

Urdhri i dytë i mbrojtjes, i marrë në dhjetor të vitit 2017, e kthen dhunuesin në shtëpi me kusht që të qëndrojë 5 metra larg fëmijëve dhe ish-bashkëshortes.

“Fiks Fare” paraqiti mbrëmjen e së martës denoncimin e zonjës Ardiane Ulndreaj, e cila shprehet se bashkëshorti i saj dhunon atë dhe fëmijët e saj. Ajo rrëfen përmes kamerave të emisionit se, dhuna në familjen e saj ka qenë sistematike.

Bashkëshorti i saj, çdo ditë vinte i dehur dhe ushtronte dhunë mbi të dhe mbi fëmijët, duke i goditur me sende të forta. Në këto kushte, ajo i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Shkodër, ku ka kërkuar urdhër mbrojtjeje për veten dhe fëmijët e saj.

Në urdhrin e parë, gjykata e kushtëzon babain dhunues që të mos iu afrohet ish-bashkëshortes dhe fëmijëve në një distancë prej 5 metrash për një muaj. Po kjo gjykatë ka nxjerrë një urdhër të dytë mbrojtjeje, me një afat prej 4 muajsh dhe me po të njëjtin kusht: me distancë qëndrimi 5 metra larg të dhunuarve.

Por kësaj radhe, kjo gjykatë e ka rikthyer bashkëshortin dhe babain dhunues nën të njëjtën çati me të dhunuarit.

Adriana rrëfen se jetojnë me frikë, se nga momenti në moment bashkëshorti do t’i dhunojë dhe jeta e tyre është në rrezik. Ai jo vetëm që jeton në një shtëpi, por dhomat e tyre i ndan vetëm një mur i hollë.

Edhe fëmijët tregojnë fragmente të dhunës që babai i tyre ushtron mbi ta e nënën e tyre. Vajza e madhe e familjes tregon se, për këtë arsye ajo ka lënë shkollën, edhe pse do të donte shumë ta vazhdonte. Ajo shton se ka nevojën e të dy prindërve, por ka marrë mbrapsht vetëm dhunë, mallkime dhe kërcënime.

“Dua ta përqafoj babain, por ai më dhunon”, janë fjalët e djalit 12-vjeçar, i cili ka përjetuar dhunën që i ati ushtronte mbi nënën e tij dhe mbi vet ata.

“Nuk mund të bëja asgjë kur shikoja babain që të godiste mamin dhe motrat me sende të forta”, shprehet ai. Dëshira e vetme e Samuelit, 12-vjeçar, ishte të mos i rrihte më babai i tyre.

Urdhri mbrojtës, zonjës Ardiane i duket i pavend, pasi ata ende kanë debate në shtëpi dhe ka frikë mos këto gjenerojnë në dhunë.

Gazetarët e “Fiks Fare” iu drejtuan Drejtorisë së Policisë në Shkodër, ku nga këta të fundit u sigurua se do të jenë në gatishmëri dhe, në rast se do të shkelej vendimi i gjykatës, ata do të procedonin me ndalimin e tij.

Share With:
Translate »
815 Views