Gruaja shtatzëna që u vra sot, ishte me urdhër mbrojtjeje nga Gjykata e Ferizajt

Gruaja shtatzënë e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj këtë të mërkurë në oborrin e QKUK-së, kishte pasur urdhër-mbrojtje nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Këtë e bëri të ditur këshilltarja e Albulena Haxhiut në Ministrinë e Drejtësisë, Nazlie Bala.

E pyetur se a është dashur që e ndjera të ketë qenë e mbrojtur në kohën sa ishte në hapësirat e QKUK-së, Bala tha se nuk i di të gjitha detajet e procedurave të mbrojtjes.

“Sipas informacioneve që i kemi e ndjera ka pasur urdhër-mbrojtje nga Gjykata Themelore në Ferizaj”, ka thënë ajo për Rtv Dukagjini.

Gazeta Express e ka konfirmuar nëpërmjet kryetarit të Lipjanit, Imri Ahmeti se e ndjera ishte Hamide Magashi nga fshati Llugagji i Lipjanit.

Ndërkaq, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti për Gazetën Express ka thënë se dyshimet e para sugjerojnë së bëhet fjalë për vrasje.

Familjarët e gruas së ndjerë, kanë thënë se ajo kishte pasur në vazhdimësi probleme me bashkëshortin e saj, i cili dyshohet të jetë ai që i dha fund jetës së saj.

Magashi priste që të lindte nesër në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.

Share With:
Translate »
131 Views