Historia e 4-vjeçarit që u dhunua dhe u dogj brenda dy muajsh, në kopshtet shtetërore të Tiranës

Në vitin 2016-të, një ngjarje e rëndë do të trondiste publikun mbarëshqiptar duke sjellë edhe një herë në vëmendjen çështjen e sigurisë në kopshtet shqiptare. Anjeza Shabani, administratore dhe pronare e kopshtit privat për fëmijë ‘’Diren’’, u kap nga kamerat e fshehta të e emisionit investigativ ‘’Stop’’ teksa dhunonte në mënyrë barbare një fëmijë të moshës 3-vjeç. Çështja mori përmasa të mëdha edhe për faktin se Anjeza ishte vetë pjesë e medias, madje ajo kishte punuar në një emision në të cilën denoncoheshin raste të ngjashme. Por, nëse në rastin e saj ishin imazhet filmike që ndihmuan arrestimin e ‘’monstrës’’ së Tiranës, të shumta janë rastet kur fëmijët dhunohen barbarisht nga edukatoret apo kujdestaret sociale dhe organet kompetente heshtin. Kjo është historia e një djali të vogël nga Tirana, i cili sapo ka mbushur katër vjeç, por që dy muajt e fundit është rrahur dhe djegur në dy kopshte të ndryshme shtetërore që administrohen nga bashkia Tiranë. A.H. ndiqte kopshtin nr.1 në Tiranë dhe më 29 gusht 2018, pasi u kthye në shtëpi, filloi të sillej në mënyrë të pazakontë. Kur nëna e tij u përpoq t’i hiqte këmishën për t’i bërë dush, ai kundërshtoi duke u acaruar emocionalisht dhe duke u sjellë në mënyrë të frikësuar. E ëma zbuloi se, jo për herë të parë, A. H. kishte një shenjë mavi në krah, pa pranuar t’i tregonte asaj se nga se ishte shkaktuar. Menjëherë A. H. u dërgua nga e ëma në komisariatin më të afërt, ku policët i bënë pyetje të thjeshta, por fëmija sërish nuk pranoi të fliste. Të nesërmen në mëngjes, A. H. u paraqit përsëri në komisariat dhe këtë herë u intervistua në prani të policëve, prindërve dhe tre psikologëve.

bruise
Në fillim u duk ende i tmerruar për të treguar se kush ja kishte shkaktuar lëndimin, por, më në fund, ai tregoi se ishte rrahur me shkop nga drejtoresha e kopshtit Nashi Shehapi, më shumë se një herë. Për më tepër, Shehapi e kishte urdhëruar fëmijën të mos tregonte në shtëpi, duke e frikësuar deri në pikën sa djali dridhej dhe largohej kur dikush shtrinte dorën drejt tij. Gjatë intervistës, A. H. tregoi, gjithashtu, se, kur silleshin keq, fëmijët e kopështit mbylleshin rregullisht në “vrimën e miut”, një dollap i errët nën një palë shkallë të kopështit. E nxira në krahun e djalit të vogël, sipas matjeve të policisë, ishte 7-10 centimetra e gjatë dhe 5-7 centimetra e gjerë, dhe, sipas mjekut ligjor, ishte e pamundur që kjo lloj shenje të ishte shkaktuar nga një fëmijë tjetër, pasi forca e nevojshme për ta shkaktuar mund të vinte vetëm nga një i rritur. Prindërit e A. H. ngritën padi kundër drejtoreshës së kopështit Nashi Shehapi, dhe menjëherë e larguan fëmijën e tyre nga Kopshti Nr. 1 , duke e regjistruar në një kopsht tjetër në Tiranë. Por historia nuk mbaron këtu. Për fat të keq, bëhet edhe më keq.
Pas ngjarjes në kopshtin nr. 1, A. H. u transferua në një kopsht tjetër publik, Kopshtin Nr. 20. Çdo gjë dukej se po shkonte mirë deri më datën 8 tetor 2018, kur babai i fëmijës u lajmërua me telefon se fëmija i tij ishte djegur dhe ishte dërguar në spital. A. H. kishte qenë në klasë por i kishte shpëtuar vëmendjes së edukatores dhe ishte endur i pambikëqyrur në mjedisin ku një pjesëtare e personelit po gatuante fasule. A. H. i kishte dalë përpara dhe ishte përplasur me të, ndërsa ajo po ecte duke mbajtur në duar tenxheren me fasulet e nxehta, e cila u derdh dhe fasulet ranë drejtpërdrejt mbi trupin e fëmijës. Lëngu ishte aq i nxehtë sa A. H. pësoi djegje të gradës së dytë në kraharor, që përveç dëmit fizik, me shumë gjasa, do t’i lërë pasoja psikologjike për gjithë jetën.

burns Copy

Në shumicën e vendeve të zhvilluara, nën drejtimin e Organizatës Botërore të Shëndetit dhe UNICEF-it, zbatohen raportet e mëposhtme:
Të miturit deri 15 muajsh — një mësues për 3 deri në 4 fëmijë;
Fëmijët 2-3 vjeç —një mësues për 4-6 fëmijë;
Fëmijët 4-5 vjeç — një mësues për 8-10 fëmijë;
Mbi 5 vjeç — një mësues deri 12 fëmijë.

Share With:
Translate »
852 Views