Historia e Marvinit me sindromën Down në mungesë të një mësueseje ndihmës

Ky është Marvini. Ai është sindroma Down dhe sapo ka filluar klasën e dytë në shkollën “Siri Kodra” në kryeqytet. Vështirësitë për të janë të shumta, ai nuk mund të ndjekë ritmin e shokëve dhe shoqeve të klasës, por ai nuk është dorëzuar.

Marvini ka nevojë për një mësues ndihmës dhe në këtë shkollë nuk ka një të tillë, edhe pse ligji ia garanton atë. Mësuesja e klasës, Flutura Dragoti, thotë se nevoja për një ndihmës të specializuar është shumë e madhe, për shkak se këta fëmijë kanë program mësimor të ndryshëm nga nxënësit e tjerë.

E ëma e Marvinit thotë se fëmija i saj në këto kushte nuk mund të ndjekë ritmin normal të mësimit. Të dhënat që kanë shoqatat për fëmijët me sindromën Down, paraqesin një situatë shumë problematike. Në gjithë Shqipërinë operojnë vetëm 300 mësues ndihmës, ndërkohë që nevojat janë për më shumë.

Drejtoresha e arsimit parauniversitar, Zamira Gjini, sqaroi për Vizion Plus se për këtë vit do të tentohet që numri i mësuesve ndihmës të arrijë në 600.

Share With:
Translate »
654 Views