I dhuron nënës së tij mëlçinë, sportisti i talentuar heq dorë nga futbolli
Sporti është plot me histori të bukura. Historitë e tejkalimit të kësaj, ditë pas dite, dalin në dritë dhe tregojnë vlerat e tyre. Është rasti i Robert Peric-Komsic, futbollisti boshnjak i cili numëron ditët për t’u rikthyer në formë pasi ka shpëtuar jetën e nënës së tij. Me këtë veprim, ai ka luajtur finalen e jetës së tij ku padyshim ka fituar edhe trofeun më të rëndësishëm.
Marsin e kaluar, 23-vjeçari la mënjanë pozicionin e tij si sulmues në HNK Cibalia Vinkovic të Kategorisë së Dytë kroate, sepse kishte një sfidë tjetër më të rëndësishme, të shpëtonte jetën e nënës së tij Ljiljana, të sëmurë rëndë.
“Jeta e saj ishte në rrezik, stomaku i mbushej me ujë dhe ishte çështje ditësh”, thotë lojtari. Nëna e tij ishte e sëmurë për 13 vite. Endeshin nga spitali në spital për të gjetur një mëlçi që të përshtatej me të sajën, por nuk u gjend kurrë.
“Në momentin kur e kuptova se të gjitha opsionet e tjera ishin shteruar, i paketova gjërat e mia dhe fluturova për në Stamboll. Misioni im ishte i qartë, të kuroja nënë time. Çdo gjë tjetër ishte më pak e rëndësishme ose krejtësisht e parëndësishme”, tha ai.
Robertit iu desh t’i jepte fund karrierës së tij sportive për të shpëtuar jetën e nënës së tij. Ai iu nënshtrua një operacioni ku iu hoq 70% e mëlçisë. Në atë kohë, asgjë dhe askush nuk garantonte se ai do të mund të luante përsëri, por atij nuk i interesonte. “Kisha një imazh krejtësisht të qartë të rrezikut, por futbolli ishte në planin tim të tretë në atë kohë.”
Pas disa orësh në sallën e oparacionit në Klinikën Memorial Bahelievler dhe një operacioni të komplikuar, Roberti u zgjua nga anestezia. Në ekranin e celularit të tij kishte vetëm mesazhe me plot falenderime. “Është e vështirë për mua të gjej fjalët e duhura për të përshkruar se sa shumë do të thoshte për mua. Dua të falenderoj të gjithë ata që na dhanë forcën shtesë në këtë luftë”. Fati i buzëqeshi përsëri për atë veprim që ai bëri, duke i kthyer atij atë që i pëlqen të bëjë më shumë në jetë, të luajë futboll.
Katër muaj e gjysmë pasi nëna dhe djali iu rikthyen jetës normale. Ljiljana u rilind dhe mëlçia e Robertit u rigjenerua pothuajse plotësisht. Tani talenti mund të rikthehet në fushë, ai ka filluar stërvitjen dhe po punon seriozisht. Pak nga pak, por me shumë entuziazëm. Trajneri i tij Tomislav Radotic ende ka besim te ai. “Mendoj se do të luajmë një ndeshje shumë shpejt”, u shpreh trajneri.
Siç do ta kishte fati, Robertit iu dha një shans tjetër. “Gjithçka ishte e mrekullueshme. Faleminderit Zotit që të dy jemi mirë, tani unë jam gati të rikthehem në fushë dhe mami më në fund mori një jetë të re pas 13 vitesh luftimesh të vështira ”, detajon lojtari i ri që do të nisë karrierën. “Kampionati është këtu, te dera dhe ndjej se në Vinkovci po shfaqet diçka serioze ”, thotë ai.