Ia dëbuan prindërit, si arriti 16-vjeçarja shqiptare të bindte shtetin austriak për lejeqëndrim

Historitë e familjeve shqiptare që përballen me dëbimin nga vendi ku janë vendosur për banim si emigrantë sa vijnë e shtohen.
Riatdhesimi i emigrantëve është një politikë kryesisht e iniciuar dhe e imponuar nga Bashkimi Europian, pasi migrimi masiv nga një shtet në tjetrin shikohet si dështim i planit për rritjen ekonomike dhe stabilizimin social të secilit shtet pjesëmarrës dhe kandidat për BE.

Kështu, rasti i mëposhtëm flet port familjen Paluca që jeton prej vitesh në Austri dhe së fundmi i ka prekur “fshesa” e dëbimit.
Shqiptarja nga Kosova, Filloreta Paluca, 16 vjeçe pas përpjekjeve që zgjatën shumë, më në fund fiton të drejtën për të mbetur në Austri.
Rasti i saj kishte bërë jehonë të madhe në mediat austriake, në shkurt të këtij viti, kur ajo qe arrestuar në mes të rrugës dhe ishte dërguar në polici me pranga në duar.
Kjo kishte ndodhur, përkundër faktit se ajo, siç shkruajnë gazetat austriake, ishte e integruar në mënyrë të përsosur në Austri, ku jetonte me të ëmën dhe motrën, transmeton “Albinfo.ch.” Filloreta kishte mbaruar dy zanate (kualifikime), si kuzhiniere dhe si kameriere, në Timelkam, qarku Vöcklabruck.

Thomas Eder dhe familja e tij, për të shpëtuar Filloretën nga dëbimi kishte vendosur madje që të bënte adoptimin e vajzës. Pas kësaj ka pasur shumë lëvizje lidhur me statusin e qëndrimit të vajzës 16 vjeçe në Austri.
Fillimisht, sipas autoriteteve, ajo duhej patjetër të riatdhesohej në Kosovë, atje ku tashmë ishin dëbuar babai dhe vëllai i saj 19 vjeçar. Pastaj në Maj të këtij viti Gjykata Administrative e kishte stopuar dëbimin, por vendimi ishte i përkohshëm dhe me kusht.
Ndërsa sot, mund të thuhet se është përfundimtare: Gjykata Administrative ka vendosur që Filloreta ka të drejtë përfundimisht të vazhdojë qëndrimin në Austri, gjegjësisht nuk do të dëbohet në Kosovë.

Ky vendim, sipas gjykatës, është marrë duke pasur konsideratë për “të mirën e fëmijës” dhe duke marrë parasysh se Filloreta tashmë “ka humbur çdo qasje me Kosovën. Me fjalë tjera: ajo ndihet në Austri si në shtëpi të saj”.
Ajo jeton me motrën dhe të ëmën në Timelkamm dhe vazhdon shkollimin. Ndërkohë, edhe nëna e Filloretës ka premtime për një vend pune. Vazhdimi i lejes së qëndrimit vlen edhe për nënën dhe motrën e Filloretës.

Share With:
Translate »
698 Views