“In-Vitro” mungon në shtet, flet mjekja gjinekologe: “15 deri 20% e çifteve të reja kanë problematika”

Organizatat e Shoqërisë Civile i kanë bërë kërkesë Kuvendit që të mundësojë shërbimin e riprodhimit ‘In Vitro’ jo vetëm në në klinikat private, por edhe në spitalet shtetërore. Peticioni i dërguar kryetares Lindita Nikolla vë në dukje se ndonëse kanë kaluar dy dekada nga miratimi i ligjit, në strukturat spitalore shtetërore ende nuk ofrohen metodat e riprodhimit të asistuar.

Një ndër shkaqet që ka sjellë këtë problem është edhe mungesa e akteve nënligjore. Ndërkohë, mjekët gjinekologë thonë se ka një rritje të shkallës së infertilitetit në vendin tonë dhe mbi 20% e çifteve të reja kanë shfaqur probleme të kësaj natyre, duke i detyruar të aplikojnë metodën e re.

EMI GLIOZHENI/ MJEKE GJINEKOLOGE

“Ne kemi një rritje gjithnjë e më të madhe të çifteve që kërkojnë ndihmë që të arrijnë shtatzëninë duke përdorur teknikat e fekondimit te asistuar. Mund të jenë rreth 15 deri 20% e çifteve që kanë problematika të nivelit të parë dhe të dytë. Presupozohet se rreth 30% e çifteve arrijnë shtatzëni në 6 mujorin e parë kur tentojnë të kenë raporte spontane, pak a shumë rreth 10% tjetër arrijnë në 6 mujorin e dytë dhe pjesa tjetër janë ata që nuk arrijnë dot një shtatzëni spontane dhe kanë nevojë t’i drejtohen qendrave të specializuara.”

Të dhënat e INSTAT-it, tregojnë se vitet e fundit numri i lindjeve ka rënë ndjeshëm. Në këtë situatë, ofrimi i shërbimit të fertilizimit in vitro mund t’i hapte dritën jeshile dhjetëra çifteve që stepen për shkak të mungesës së parave, një politikë për të inkurajuar numrin e lindjeve, e ndjekur nga shumë vende të tjera.

Në Shqipëri, ky problem edhe nuk ka një zgjidhje edhe pse pajisjet u dhuruan nga BE shumë vite më pare e nuk dihet ku kanë përfunduar.

Share With:
Translate »
95 Views