Insta-Mania, edhe bebat e vip-ave në rrjetet sociale
Nga djali i Adelina Tahirit te vajza e Mozzik, ja fëmijët që kanë faqe në ‘Instagram’ me mijëra ndjekës
Mirëserdhët në botën e reklamimit, minorenët që menaxhohen nga prindërit
Ditët e sotme rrjetet sociale janë bërë dashur pa dashur një pjesë e përditshmërisë sonë. Shumë prej nesh, përfshirë këtu dhe njerëzit e njohur, i shfrytëzojnë ato sa më shumë duke nxjerrë dhe përfitime prej tyre ekonomike nga postimet e fotove apo videove si dhe të bashkëpunimeve që bëjnë me firma të ndryshme për të reklamuar një produkt apo shërbim të caktuar kundrejt një pagese. Një gjë e tillë vihet re rëndom tek VIP-at tanë, por, ajo që ne nuk arrijmë të kuptojmë është edhe përfshirja e të porsalindurve apo të fëmijëve minorenë të këtyre personazheve VIP në rrjetet sociale. Nuk janë të paktë ata që kanë vendosur t’u hapin atyre, duke qenë se vetë nuk ia kanë idenë më të vogël se për çfarë bëhet fjalë, të një faqeje në ‘Instagram’. Më poshtë po listojmë disa prej tyre, të cilët kanë preferuar t’i bëjnë publikë vogëlushët që në moshë të mitur nëpër rrjetet sociale.
Adelina Tahiri me djalin Jon
Adelina Tahiri ka vendosur të dalë hapur bashkë me të birin Jon. Deri para pak javëve këngëtarja e njohur përpiqej ta fshihte fytyrën e djalit të saj, por ky vendim ka ndryshuar. Pasi realizoi një set shumë special me të për festat e fundvitit, Adelina ka vendosur që të hapë edhe një profil në ‘Instagram’ me emrin e djalit. Disa nga fotot e të voglit Jon tashmë janë publikuar. Fëmija i parë për këngëtaren dhe bashkëshortin e saj Serjoza Markov erdhi në jetë rreth dy muaj më herët. Tashmë të gjithë do të munden ta shohin Jonin teksa rritet çdo ditë. Jon numëron 16.2 mijë ndjekës dhe vetëm 10 postime deri tani.
Majlinda Zeka me djalin Roan
Dikur Majk dhe ish e dashura e tij Majlinda kishin një histori të bukur dashurie, aq të bukur sa nga kjo dashuri lindi edhe një djalë bukurosh i cili quhet Roan. Vogëlushi jeton vetëm me të ëmën e tij, e cila i publikon shpesh vogëlushit foto e video të ndryshme në profilin e saj në Instagram. Mirëpo së fundmi Majlinda ka vendosur që Roan të ketë llogarinë e tij personale, të cilën e mendaxhon ajo. Por ajo që i ka habitur të gjithë është veprimi i reperit Majk ndaj të birit. Siç e shohim, megjithëse djali i tij ka një llogari në Instagram, Majk ka vendosur të mos e ndjekë vogëlushin. Roan numëron 12.2 mijë ndjekës dhe vetëm 69 postime.
Çiljeta Xhilaga me djalin Fernando
Çili ka qenë ndër të parat që i ka hapur faqe personale vogëlushit të saj Fernando, që atëherë kur ai ishte i vogël, por tashmë edhe pse kanë kaluar vitet e ne nuk shohim më atë buçkon e vogël nëpër foto, por një vogëlush shumë tërheqës. Edhe pse nuk ka shumë postime, djali i këngëtares ka shumë ndjekës në rrjetin e tij në ‘Instagram’. Fernando numëron 11. 4 mijë ndjekës dhe vetëm 35 postime.
Loredana Zefi dhe Mozzik me vajzën Hana
Mozzik e Loredana reklamojnë vajzën në Instagram. Ata vendosin t’i hapin llogari edhe pse ajo s’ka dy ditë që ka lindur. Vajza dy-ditëshe e çiftit tashmë është me shumë ndjekës. Derisa shumë të famshëm zgjedhin të ruajnë identitetin e fëmijëve të tyre dhe të mos e bëjnë publik për fansa, ky nuk është rasti me Mozzik dhe Loredanën. Vajza e tyre, Hana, tashmë ka një llogari personale në Instagram që vazhdimisht po fiton ndjekës, e që tashmë i ka mbi 166 mijë dhe vetëm 2 postime.