Intervistë me Dr. Zerina Sheme: Kujdesi për fëmijët dhe foshnjat gjatë verës dhe përdorimi i teknologjisë

Sot për nënat sjellim një intervistë me Zerina Sheme, mjeke pediatre me mbi 40 vite eksperiencë në praktikën e mjekësisë. . Në këtë intervistë për xing.al, doktoresha i përgjigjet pyetjeve më të shpeshta nga nënat që nga këshillat para stinës së verës tek përdorimi i teknologjisë nga të vegjëlit.

Edhe pse tashmë keni dal në pension, ju keni zgjedhur që të vazhdoni ta praktikoni profesionin përmes faqes suaj online “Pyet pediatren’ dhe kanalit tuaj në youtube ku ofroni këshillime falas, pse kjo zgjedhje?

Së pari ju falënderoj për ftesën. Pasioni për rrjetet sociale nuk njeh moshë. Varet si ndjehesh. Më pëlqen të ndaj me miq,  vlerat më pozitive, humane, për të cilën kemi nevojë të gjithë. Në këtë mënyrë e përdorim teknologjinë për qëllimin e mirë , për të ndihmuar njerëzit në nevojë me anë të këshillimit online, qoftë edhe virtualisht. Edhe koha në dispozicion nuk mungon. Le t’a shfrytëzojmë atë në dobi të njerëzve. Ndjenjat njerëzore, e lidhin mjekun pediatër me prindërit në një dimension ndryshe.  Empatia është ajo ndjenjë që lidhet me dhëmbshurinë ndaj tjetrit. (sepse janë në mes fëmijë të sëmurë). Kjo ndjesi e bën mjekun më të përgjegjshëm dhe më human.

Cilat janë problematikat më të shpeshta për të cilat nënat ju kontaktojnë?

Shpesh nënat pyesin në lidhje me zhvillimin e fëmijës, kujdesin për temperaturën, si t’a ushqejmë fëmijën. Disa prindër duan të dinë më shumë detaje rreth sëmundjeve kronike, të trashëguara, defekteve të lindura, parandalimin e tyre. Të tjerë pyesin rreth ecurisë së sëmundjes, vaksinimit, vlerat e suplementeve, shpjegime rreth rezultatit të analizave biokimike etj etj

Cilat janë sipas jush këshillat më të rëndësishme shëndetësore për kujdesin e bebave 0-2 vjeç?

Kur je shtatzënë apo kur ushqen fëmijën me gji nuk duhet të merren ilaçe pa konsultë me mjekun.

• Stili i ushqyerjes ndikon pozitivisht në imunitet.

Një ushqyerje e shëndetshme me bazë proteina (qumësht, mish, vezë, peshk, fruta të freskëta etj) është themeli për të ruajtur një imunitet të mirë të trupit të njeriut.

Doja t’i drejtojesha me një mesazh sensibilizimi të gjithë atyre që hezitojnë të bëjnë vaksinat.

Ndër faktorët stimulues të imunitetit përmendim VAKSINAT.

Jemi para stinës së verës, çfarë duhet të kenë parasysh nënat? Cila është mosha që fëmijët mund të çohen në plazh dhe nga cila moshë mund të niset përdorimi i kremit kundër diellit?

Fëmijët 0-1 vjeç lejohet të shkojnë në plazh por jo të ekspozohen në diell. Të mbahen vetëm në çadër, jo më shumë se ora 11. Ato janë më të ndjeshëm ndaj faktorëve të mjedisit sidomos vapës. Edhe kremrat mbrojtës nuk këshillohen në moshën 0-1 vjeç.

Këshilla: Mbani gjithmonë me vete Ujë, çaj dhallë, lëng frutash të freskëta.

Trisol: Përdoreni atë sa herë që fëmija ka ndjenjë të vjelli, etje, grindje, qarje me rënkim, tharje të gojës, nëse ka temperaturë mbi 37°C, ose diarre.

Temperatura e ambientit të mbahet konstante, jo më shumë se 27-28°C

Nënat që ushqejnë fëmijët me gji ta planifikojnë heqjen nga gjiri pas stinës së nxehtë.

Për fëmijët më të rritur vlen higjena e lartë e ushqimit dhe ajo personale.

Kjo stinë karakterizohet nga helmime ushqimore ku vend të rëndësishëm e zë Stafilokoku. Bartësit asimptomatikë të stafilokokut që punojnë  në sektorët e ushqimit social,(kryesisht akulloret, fast food’et) kërkohet të respektojnë rigorozisht rregullat e higjenës, për të shmangur helmimin e ushqimit nga ky bakter, në komunitet.

A janë pishinat të këshillueshme?

Për të ekspozuar fëmijën në diell edhe pishinat janë një alternativë zgjedhje. Për ato fëmijë që frekuentojnë pishinat është e detyrueshme një higjenë më e lartë për vete dhe për komunitetin. Uji i pishinave me përmbajtje të lartë të klorit mund ta irritojë lëkurën e fëmijëve. I trajtoni me kremëra mbrojtës dhe hidratues lëkurën.

A i rekomandoni spray kundër mushkonjave për fëmijë?

Mënyra më e mirë për të luftuar mizat dhe mushkonjat është higjena e mjedisit. Menaxhimi me kujdes i mbeturinave, koshave të plehërave. Ka rëndësi të jenë larg ushqimit, të mbyllura me kapak dhe të klorinohet zona përreth. Mendoj se duhet shmangur spray kundër mushkonjave për fëmijë nën dy vjeç.

A është i nevojshëm suplementimi me vitaminë D gjatë stinës së ngrohtë?

Suplemente me vitaminë D gjatë stinës së ngrohtë nuk këshillohet (në fëmijët mbi një vjeç). Edhe mbidozimi i vitaminës D mund të shtojë precipitimin e kripërave në urinë.

Shumë prindër mundohen ta shmangin vaksinimin e fëmijës gjatë verës duke e shtyrë moshën e vaksinimit, a është kjo një praktikë e nevojshme? Pse është i rëndësishëm vaksinimi i fëmijëve në kohë dhe a ka raste në të cilat rekomandohet shtyrja?

Vaksinimi i femijëve gjatë verës  nuk është e nevojshme të shtyhet. Kjo stinë ka infeksionet e veta… Nëse nuk je i vaksinuar rrezikon të prekesh nga këto infeksione të rënda.

Këshillohet të shmanget vaksinimi vetëm për ditët që fëmija është në plazh. Shkenca e imunologjisë  shpjegon se si krijohen disa trupëzave mbrojtëse, (antikorpet), pas kalimit të një infeksioni të rëndë. Këtë efekt ka edhe vaksina, duke ngacmuar sistemin imun të njeriut nxit përgjigjen imunologjike.

Me motin e bukur, shtohen dhe ndërveprimet sociale, çfarë duhet të kenë parasysh nënat e reja? Përshembull në kulturën tonë të gjithë duan t’i puthin foshnjat, përfshirë njerëz të largët të familjes apo njerëz qe i shohin në rrugë duke sjell shpesh shqetësim tek nënat, cili është qëndrimi juaj si pediatre për këtë?

Ka disa infeksione që përhapen nga spërklat e pështymës. Të rriturit mund të jenë mbartës të tyre. Duke i puthur foshnjat, përfshirë njerëz të largët të familjes, ato bëhen burim infeksioni për foshnjat.

Shëtitjet në park, lojrat sportive shtojnë qarkullimin e gjakut dhe kështu forcojnë imunitetin. Gjithsesi, socializimi i fëmijëve në ambientet publike i bën mirë zhvillimit psikomotor të tyre.

Së fundmi, një temë po aq e nxehtë sa vera, është raporti i fëmijëve me televizorin dhe teknologjinë. A sjell dëme ekspozimi i fëmijëve dhe çfarë dëmesh sjell? Cila është mosha e rekomandueshme që fëmijët të shohin tv dhe të përdorin paisje teknologjike? Sa duhet të jetë kohëzgjatja?

Çrregullimet e refraksionit (vështirësi në shikim) janë shtuar dukshëm tek moshat fëminore edhe nga përdorimi i celularit. Mjekët okulistë rekomandojnë për këtë një pushim, pas çdo 15 minutave të përdorimit të celularit. Edhe kohë zgjatja e përdorimit varion nga mosha.

0-2 vjeç këshillohet të mos përdoren.

Mosha 5-6 vjeç – dy herë në ditë nga gjysëm ore.

Fëmijët më të rritur dy herë në ditë rreth dy orë.

Gjithashtu, telefonat mobile lëshojnë një rrezatim elektromagnetik, veçanërisht gjatë përdorimit. Shumica prej nesh nuk e kuptojnë efektin e ekspozimit tonë ndaj celularëve, mosha e rekomandueshme qe femijet te shohin tv dhe te perdorin paisje teknologjike është mbi dy vjeç

Sa duhet te jete kohezgjatja

Përdorimi pa kriter i internetit mund të shkaktojë ndryshime në tru që janë të ngjashme me ata të varësisë nga droga apo alkooli.

Edhe deformime të shtyllës kurrizore nga qëndrimi i detyruar për një kohë të gjatë, sidomos në moshën e pubertetit është konstatuar nga studiuesit.

Varësia nga interneti, pengon ato rajone të trurit që përfshijnë përpunimin e emocioneve dhe rregullimin e vëmendjes.

Varësia nga interneti, gjithashtu është kthyer në një ves që ka ndikuar edhe në ndryshimin e sjelljes sociale të fëmijëve.

Ndërveprimi i institucioneve si shkolla, familja, massmedia do t’a përmirësojë situatën më tej.

Faleminderit!

Share With:
Translate »
69 Views