“Jetojmë tek hambari i barit, çfarë jete…”

Emisioni “Stop” ka udhëtuar në fshatin Buran, rreth 6 km larg komunës së Niklës, një zonë e prekur nga tërmeti i datës 26 nëntor. Vjollca Tufa tregon, se që nga dita e tërmetit, ajo jeton në hangarin e barit bashkë me familjen e saj, që përbëhet nga 6 persona. Ata kanë kërkuar çadër, pasi nuk mund të jetojnë aty. Mirëpo iu është thënë, se çadra s’ka.

Vjollca Tufa: Ne s’mund të banojmë në shtëpi, se muret janë çarë komplet. Kam 4 fëmijë dhe s’mund të banojmë brenda.

Gazetarja: Hyjmë të shohim pak sa është dëmtuar shtëpia?

Vjollca Tufa: Po! Fëmijët nuk pranojnë të hyjnë brenda, ngaqë e shohin kështu të prishur, nuk mundet të jetosh. Binin pjesë të tavanit, suvaja binte në tokë.

Gazetarja: Ku jeni drejtuar për problemin që keni? Keni shkuar në komunë për të kërkuar ndihmë?

Vjollca TufaPo, kemi çuar fotot në komunë dhe ata kanë shumë, nuk kanë ardhur për ta parë fare. Do vijmë, do vijmë, por nuk kanë ardhur.

Gazetarja: Po çadër ju kanë ofruar?

Vjollca Tufa : Jo, kanë ardhur shumë pak na kanë thënë dhe nuk kemi t’ju japim. Kemi gjetur zgjidhje që jemi fuur tek hambari i barit.

Gazetarja: Pra kjo është banesa juaj e re që prej 26 Nëntorit?

Vjollca Tufa : Po! Jemi futur këtu dhe s’kemi çtë bëjmë. Fëmijët prej frikës, nga llamarina, prej shiut, prej erës, pikojnë. S’është gjë kjo, ky është hambari i barit. S’kemi tjetër zgjidhje. Brenda shiu, era, i ftohti, çfarë jete. A jetohet këtu?

Nxënësit e shkollës Fiqiri Baltëza në Elbasan kanë dhënë 133 mijë lekë për këtë familje. Ndërsa gazetarja e “Stop” i është drejtuar njësisë administrative Nikël. Besnik Deliu, administratori i njësisë thotë, se nuk kanë çadra për momentin, por pritet të vijnë. Ndërsa për sa i përket inspektimit, nuk kanë shkuar, pasi dy grupet janë në terren.

Besnik Deliu: Nuriu ka ardhur tek unë personalisht, ka ardhur dy ditë pas tërmetit dhe më ka kërkuar një çadër. Nga ndihmat që u ndanë, Nuriut i është çuar ndihma. Kurse për çadrat nuk është në dorën time, unë i kam bërë kërkesë Bashkisë dhe Ministrisë dhe Emergjencave Civile të Qarkut Durrës dhe po presim nga momenti në moment të vinë çadrat.

Gazetarja: Pra për momentin nuk keni çadra?

Besnik Deliu: Nuk kemi çadra për momentin.

Gazetarja: Grupe inspektimi pse nuk i ka shkuar?

Besnik Deliu: Grupet e Inspektimit janë në terren dhe nuk kanë arritur deri tek Nuriu, por megjithatë meqë personi është ankuar tek juve, ne shkojmë tani në moment shohim situatën e personit.

Administratori dhe arkitektja Xhoana Mihalaj shkuan për të parë shtëpinë.

Arkitektja thotë, se shtëpia është e pabanueshme dhe duhet rikonstruksion i çatisë dhe i një pjese të mureve. Për shkak të kësaj, administratori thotë se do sigurojë për familjen një çadër.

Share With:



156 Views