Kapriçot dhe 2-vjeçarët e tmerrshëm

Gjatë muajve të parë rë jetës, disa fëmijë çdo gjë e duan në çast (dhënien e gjirit, ushqimin, biberonin, ndërrimin e pelenave etj), në të kundërt shpërthejnë me të qara e britma. Prindërit i quajnë të paduruar, tekanjozë ose kapriçozë. Mendohet se në këtë moshë kemi të bëjmë me një mënyrë disi të veçantë për tërheqjen e vëmendjes për shqetësime të veçanta. Kapriçot e vërteta, me qëllime përfitimi, shfaqen më vonë.

Kur fillojnë kapriçot e qëllimshme?
Kapriçot e vërteta (manipulative) për të arritur përfitime të caktuara, fillojnë të shfaqen mbas moshës 2 vjeç. Kohëzgjatja lidhet në radhë të parë me edukimin dhe mjedisin ku rriten. Shumë studiues mendojnë se ndikon edhe faktori gjenetik. Ja pse dy vëllezër nga të njëjtët prindër, të rritur në të njëjtin mjedis, kanë sjellje të ndryshme. Këta fëmijë, të bindur se në një moment prindërit do të thyhen, kapriçon e shfyrtëzojnë si mjet për qëllime të caktuara. E veçanta është se për plotësimin e asaj që duan, sillen në mënyra të ndryshme: nuk e zgjatin për shembull, kur e dinë se nuk u ecën me nënën dhe shtrihen përtokë, qajnë e bërtasin përpara gjyshes ose gjyshit, të bindur se do t’ia arrijnë qëllimit.

Si duhet vepruar?
Nëse nëna, babai, gjyshërit arrijnë të kuptojnë këtë të vërtetë, atëherë duhet të jenë të prerë, të vendosur dhe të drejtë në ato që duhen plotësuar dhe në ato që nuk duhen plotësuar. Kjo është thelbësore, në të kundërt, kapriçot thellohen pa fund, këta fëmijë bëhen problem dhe kthehen në “tiranë të familjes”. Ana tjetër është se mund të paraqesin probleme karakteri dhe kur të rriten.

Mosha e 2-vjeçarëve të tmerrshëm ose e jo-ve
Aty nga mosha 2-3 vjeç, meqë arrijnë njëfarë zhvillimi, fëmijët në kërkim të pavarësisë së mëtejshme sillen nëpër shtëpi si `’zbulues”, qëndrojnë para pasqyrës duke thënë “jo, jo”, duan të arrijnë e të kapin çdo gjë (duke u bërë ndonjëherë viktima aksidentesh), kundërshtojnë vend e pa vend çdo gjë (të vishen, të ushqehen etj) e nuk binden si më parë. Shpesh reagojnë me shenja zemërimi të tepruar e veprime të dhunshme, duke krijuar përshtypjen se kanë ndërruar karakter.

Në të vërtetë nuk ka ndryshuar asgjë. Kemi të bëjmë me një etapë kalimtare, pa probleme karakteri, por që duhet trajtuar me kujdes. Për të mësuar ato që keni bërë në atë moshë, pyesni prindërit tuaj.

Si duhet vepruar?
Duke njohur dukuritë e moshës, mundohuni të gjeni pozicionin tuaj në raport me fëmijën. Mundësisht krijoni kushte për të shtrehur energjitë e tij, siguroni lodra që vënë në lëvizje aftësitë e moshës, tërhiqeni në shëtitje, argëtime etj. Ndaj kërkesave të tepruara e tekav, mendohuni mirë para se të thoni “jo” dhe mos u thyeni asnjëherë para veprimeve të tij. Në raste të tilla, bëni mirë ta injoroni duke i dhënë përshtypjen se po merreni me punë të tjera. Rëndësi të veçantë ka të mos ketë të çara midis pjesëtarëve të familjes të cilat ata i shfrytëzojnë me mjeshtëri.

Po ndonjë masë ndëshkimore a mund të merret kur fëmija gabon?
Mundohuni t’i largoheni konfrontimi direkt dhe përfitoni gjatë momenteve të qeta për t’i shfpjeguar me fjalë të thjeshta e shembuj konkretë se si duhet të veprojë, si të sillet etj. Ideale do të ishte që fëmija të mos ndëshkohet, megjithatë ndonjë masë (më tepër shembullore) ka vlerën e vet kur merret si duhet, madje vetë fëmija jep shenja se e “pranon”. Për shumë fëmijë mërzitja dhe zemërimi i prindërve, vlen më tepër se një ndëshkim.

Ja disa këshilla:

  • Ndëshkimi duhet të jetë gjithmonë i çastit
  • Çdo masë ndëshkimore të merret sipas fajit
  • Nëse nuk e merrni masën në çast, mos e kërcënoni se do ta ndëshkoni më vonë (kur nuk e keni ndërmend ta bëni), fëmijët janë aq të zgjuar
    e dinakë sa të kuptojnë se nuk e keni me gjithë mend.
  • Jepini të kuptojë se me këtë masë nuk ka humbur dashuria për të. Mos e zgjasni shumë me zemërimin tuaj, pa treguar shenja pendimi,
    mundohuni të ktheheni sa më shpejt në sjelljen tuaj të zakonshme.

Ndëshkimet fizike nuk japin rezultate, përkundrazi mund të keqësojnë gjendjen, me kalimin e kohës, fëmijët bëhen më të egër e të pabindur. Ndëshkimet duhet të jenë më tepër shembullore, megjithatë nuk ka të keqe një shuplakë e lehtë në prapanicë, gjithmonë në çastin e fajit. Si masë mund të shërbejë p.sh. mosdhënia e një akkulloreje që ua keni dhënë mbasditeve, mosrealizimi i një shëtitjeje, vizite etj.

Share With:



556 Views