Në këngën e re Kastro Zizo i kërkon falje të bijës

“Pa faj”, kënga e sapoprezantuar nga Kastro Zizo, në bashkëpunim me Rea Nuhun, e solli Kastron, ndoshta më serioz se çdo herë tjetër në Këngën Magjike të këtij edicioni. Kjo, jo sa i përket pjesëmarrjes në festival, por më shumë për tekstin dhe mesazhin e baladës me të cilën Kastro është prezantuar. Prej 11-vjetësh tashmë, Kastro është baba i djalit Dankan dhe vajzës, disa vite më të vogël. Marrëdhënia me këtë të fundit është edhe më delikate, meqenëse ajo jeton larg, ndaj edhe Kastro, mes fjalëve të këngës, gjen pak edhe nga vetja:

“Kënga flet për një marrëdhënie delikate mes babait dhe vajzës. Edhe unë vajzën e kam pak larg, kështu që kjo është një marrëdhënie fajësim – shfajësimi që e lë fajin të mbetet jetim, një marrëdhënie mes babait dhe vajzave që ndodh kudo në botë jo vetëm në Shqipëri…” – rrëfen Kastro për fabulën e këngës, e cila e lidh më shumë me veten dhe me statusin e tij si baba. Në një intervistë përballë vetes, të përgatitur nga “E diela shqiptare”, Kastro zbulon më shumë për pikën e tij të dobët, fëmijët, për të cilët, edhe pse nuk e konsideron veten baba perfekt, është shumë i lumtur. Mes të tjerave, ai thotë se ajo që do të donte të rikuperonte me fëmijët, është koha, e cila nuk ka mjaftuar asnjëherë për të qenë pranë tyre. E megjithatë, i pyetur nëse do të donte të bëhej baba për herë të tretë, Kastro përgjigjet pa u menduar gjatë: “Po, patjetër…” Madje, duke shtuar se këtë herë do të donte të ishte dyfish… Kastro Zizo, baba binjakësh? Pse jo? Sa bukur do ishte… Tani na duhet të zbulojmë partneren e re të Kastros?

Share With:
Translate »
1291 Views