Kujdes: Gjatë shtatzënisë duhet të merrët 50% më shumë ky mineral

Është një gjëndër me rol kyç në trupin tonë, pasi rregullon funksionimin e metabolizmit dhe siguron zhvillimin e duhur. Kjo është edhe arsyeja pse funksioni i tiroides është më delikat në shtatzëni. Gjatë nëntë muajve të shtatzënisë, kërkesa për minerale jodike që përfshihen në sintezën e dy hormoneve të tiroides: T3 dhe T4 – rritet me rreth pesëdhjetë për qind. Si rezultat, ushqimi dhe dieta ushqimore është shumë e rëndësishme, pasi këtë element inorganik e marrim më së shumti nga ushqimet.

Në një intervistë për “Mapo”, Dr. Ersida Golemi, mjeke endokrinologe apelon për më shumë kujdes nga gratë shtatzëna, sepse veçanërisht gjatë kësaj periudhe tiroidja ka një rol shumë të rëndësishëm pasi siguron rritjen dhe zhvillimin e fëmijës. “Te bebet-sqaron mjekja -tiroidja fillon të formohet në javën e 10-12 të shtatzënisë së nënës dhe deri në këtë moment bebi i merr hormonet e tiroides nga nëna. Ndaj është shumë e rëndësishme që nëna të ketë një funksion normal të tiroides sidomos në 3 mujorin e parë të shtatzënisë. Ato janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e trurit të fëmijës”-shpjegon mjekja endokrinologe.

Çfarë është tiroidja?

Tiroidja është një gjëndër e vogël në formën e fluturës, me peshë 20-30 gr, që vendoset në pjesën e përparme të qafës. Për të prodhuar hormonet T4 dhe T3 kërkohet prania e jodit, një element inorganik të cilin e marrim më së shumti nga ushqimet. Qelizat e tiroides janë të vetmet që absorbojnë jodin në organizëm. Hormonet e tiroides luajnë rol në metabolizëm, sistemin kardiovskular, sistemin nervor, riprodhues, digjestiv dhe në qarkullimin e gjakut. Tiroidja ka një rol shumë të rëndësishëm në periudhën e shtatzënisë. Hormonet e tiroides janë të rëndësishëm për rritjen dhe zhvillimin e fëmijës.

Pse është e rëndësishme mirëfunksionimi i gjëndrës tiroide gjatë shtatzënisë?

Gjatë shtatzënisë tiroidja e nënës pëson disa ndryshime; zmadhohet (nga 10-40%) në vendet ku është e shprehur deficenca e jodit, rritet qarkullimi i gjakut brenda gjëndrës së tiroides, rritet sasia e prodhimit të hormoneve të tiroides me 50%, duke rritur dhe nevojën ditore për jod me 50%.

Po tek bebi, kur fillon të formohen tiroidet?

Fillon të formohet në javën e 10-12 të shtatzënisë së nënës. Deri në këtë moment bebi i merr hormonet e tiroides nga nëna. Ndaj është shumë e rëndësishme që nëna të ketë një funksion normal të tiroides sidomos në 3 mujorin e parë të shtatzënisë. Ato janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e trurit të fëmijës.

Çfarë është deficienca jodike?

Jodi është një përbërës esencial për sintezën e hormoneve të tiroides. E marrim nëpërmjet dietës apo dhe ushqimeve. Nevojat për jod rriten në shtatzëni, pasi siç e thamë dhe sinteza e hormoneve të tiroides rritet me 50%. Produkte të pasura me jod janë frutat e detit, kryesisht karkaleci, peshku. Por, e gjejmë dhe tek bulmeti (qumështi, djathi, kosi), veza. Të pasura me jod janë frutat si shega, boronica apo luleshtrydhet. Bishtajoret si bizelja, mashurka.

Por rëndësinë më të madhe e ka marrja e kripës së jodizuar. Nëpërmjet ekspozimit në breg të detit nuk marrim sasinë e nevojshme të jodit, pasi me rrugë inhalatore në nuk kemi të përcaktuar sa duhet të jetë koha e ekspozimit. Marrja e mjaftueshme e jodit tek gratë është e rëndësishme që përpara shtatzënisë. Kur marrja është adekuate, depot e tiroides mbushen mjaftueshëm me jod për të përballuar rritjen e sintezës së hormoneve në shtatzëni.

Në rast deficiencë jodike, cilat janë efektet?

Deficienca jodike është shkaku kryesor i parandalueshëm i prapambetjes mendore në tërë botën. Ndaj është e rëndësishme që tek të gjithë bebet e porsalindura të bëhet matja e nivelit të TSH. Është e rëndësishme diagnoza brenda 10-13 ditësh dhe normalizimi i hormoneve të tiroides brenda 3 javësh.

Nëse TSH i fetusit i lartë fillohet trajtimi me T4 10-15mcg/kgP (50mcg). Vlerësohet se 38% e globit vuan nga deficienca jodike, prek si nënën edhe fëmijën. Por tek nëna deficienca jodike jep si efekt; zmadhim të gushës, aborte, lindje të parakohshme ndërsa tek bebi deri në prapambetje mendore.

Si vlerësohet deficienca jodike?

Ajo vlerësohet me anë të matjes së jodit në urinë. Nëse vlera e jodit në urinë është 150-249ug/l, atëherë sasia e jodit është normale. Vlerat nga 50-149ug/l tregojnë për deficiencë mesatare- moderuar. Vlerat nën 50ug/l për deficencë jodike të rëndë.

Shqipëria bën pjesë në vendet me deficiencë jodike mesatare. Me jodizimin e kripës situata është përmirësuar. Organizata Botërore e Shëndetësisë(OBSH) dhe Shoqata Amerikane e Tiroides (ATA) rekomandojnë gratë që; janë në kërkim të shtatzënisë, janë shtatzënë, janë në laktacion (ushqyerje me gji) të marrin një minimum prej 250ug/jod në ditë. Merret nëpërmjet suplementeve që përmbajnë jod (zakonisht 150ug) dhe pjesa tjetër nëpërmjet ushqimit.

Tek gratë që kërkojnë shtatzëni merren deri 3 muaj përpara, në mënyrë që tiroidja të krijojë depot e mjaftueshme me jod për të përballuar rritjen e prodhimit të hormoneve në shtatzëni.

Kush duhet të bëjë një kontroll të tiroides në shtatzëni

1-Gratë të cilat kanë një histori të mosfunksionit të tiroides apo kirurgji të tiroides

2-Mosha mbi 30 vjeç

3-Rastet me diabet mellitus tip 1 apo sëmundje të tjera të tiroides.

4-Obezitet morbid (BMI>40kg/m2)

5-Histori familjare për problem të tiroides

6-Histori aborti apo lindje parakohe

7-Histori rrezatimi të qafës

Testi që analizon tiroiden në shtatzëni

Testi më i mirë scrwning për vlerësimin e funksionit të tiroides në shtatzëni është matja e nivelit të TSH në gjak, normat e të cilit janë :

– 3 mujori i parë (0.1-2.5)

-3 mujori i dytë (0.2-3.0)

-3 mujori i tretë (0.3-3.0)

Jodi është esencial për formimin e hormoneve të tiroides, dhe funksionimi i mirë i gjëndrës tiroide është i rëndësishëm për një koncepsion dhe një bebe të shëndetshme.

Share With:
Translate »
619 Views