Kur një fëmijë t’i përplas të vërtetat në sy
Asnjë prind nuk i thotë fëmijës mos e duaj atdheun. Apo në shkolla të ketë mësues të mos përpiqen të ushqejnë dashurinë dhe krenarinë për Shqipërinë. Por çfarë ndodhë? Fëmijët kanë sy e veshë për të parë e dëgjuar vetë botën që i rrethon.
Përtej rrjeteve sociale, ku kryeministri apo shumë kryebashkiakë postojnë pamje të mrekullueshme, të kuruara bukur, apo fotosekuenca nga pjesët e bukura të lagjeve ku ata jetojnë, fëmijët kanë sy të shohin përreth 360 gradë.
Shohin sesi në rrugën ku ata kalojnë, plehrat hidhen jashtë koshave, apo koshat janë të tejmbushur, dhe plehrat kanë zënë dhe trotuarin
Fëmijët kanë veshë të dëgjojnë historira të tilla si ajo e 1 gushtit 2017 kur një 22 vjeçar humbi jetën pas një sherri për karikues.
Apo të dëgjojnë sesi një ambasador amerikan flet hapur për emra të famshëm kriminelësh shqiptarë të cilët si me magji vijojnë të jenë të lirë ndërsa qeveria hesht.
“Lul Berisha, kreu i bandës së dhunshme të Durrësit që gabimisht u lirua herët nga zyrtarët e burgut. Kjo çoi në arrestimin e drejtorit dhe avokatit të burgut, por në mënyrë të mistershme, Lul Berisha mbetet i lirë.
Magjistari Klement Balili, një trafikant ndërkombëtar droge, i kërkuar nga Greqia dhe Agjencia e Zbatimit Anti-Drogë (DEA) e SHBA, por që ia ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare për 18 muaj falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Ka edhe shumë Shullazë, Lul Berisha dhe Klement Balilë të tjerë në Shqipëri. Pyesni cilindo oficer policie dhe ai apo ajo do të tregojë edhe një duzinë tjetër drejtuesish të krimit që meritojnë të jenë në burg”
Ndodh që fëmijët të bëhen dëshmitarë të atentateve si ai i 1 tetorit në mes të ditës në qytetin e Vlorës. Një 8 vjeçar ishte në makinë kur persona ende të panjohur qëlluan me breshëri në drejtim të makinës ku ai po udhëtonte me të atin dhe një person tjetër.
Fëmijët kanë zemër të preken kur shohin sesi në të njëjtën lagje ka familje që jetojnë në vila superluksoze dhe me oborre super të mëdhenj, pronarët e të cilëve lëvizin me makina të tipit të fundit; ndërkohë pak metra më tutje jetojnë shokët e veshur jo mirë apo të kequshqyer.
Fëmijët kanë sy dhe tronditen kur shikojnë sesi për një fjalë goje, apo një debat me fjalë përshkallëzohet deri në përdorimin e dhunës fizike apo në përdorimin e armës.
Fëmijët u gjyqtares Fildes Hafizi mbetën jetimë sepse babai i tyre qëlloi me armë të ëmën vetëm pak metra larg banesës ku jetonin. Sistemi gjyqësor la në baltë Fildesin dhe fëmijët e saj sepse “dështoi të mbante të shoqin e saj të rrezikshëm në burg, dështoi ta mbronte kur ai u lirua” deklaroi ambasadori i SHBA-së, Donald Lu më 2 tetor 2017
Shumë fëmijë janë bërë dëshmitarë të aksidenteve automobilistike. Ka nga ata që kanë humbur shokun apo shoqen e lagjes apo të klasës; të tjerë që kanë humbur prindërit a familjarët e tyre.
Në shtator policia deklaroi se 30 fëmijë të moshës 0-15 vjeç humbën jetën në aksidentet e ndodhura gjatë periudhës janar 2016 -gusht 2017.
Kur një fëmijë ti tregon të vërtetat në sy
Shumë nga këto dhe shumë të tjera duhet të ketë menduar Alen, djaloshi i vogël i cili në kanalin e tij në youtube ka publikuar një video 3 minuta me titull “10 arsyet pse nuk duhet të vini në Shqipëri”
Si për ironi apo rastësi Alen ka postuar videon pikërisht në ditën kur hapet lotaria amerikane
“Unë jam shqiptar por nuk e pëlqej këtë vend dhe kur të rritem dua të iki në Amerikë” thotë Alen me çiltërsinë e tij, por dhe me kthejlltësinë që e karakterizon një fëmijë mendjehapur dhe me dëshirën për të thënë gjërat ashtu siç janë, dhe siç i sheh.
10 arsyet per te mos ardhur ne Shqiperi
Pasi të lexoni 10 arsyet që rendit Alen për të argumentuar pse ai kur të rritet do të ikë në Amerikë ju nxis të reflektojmë të gjithë si qeveri, shoqëri, media e si prindër
1- Shumë njerëz hedhen mbetjet dhe nuk pastrojnë fare.
2- Nuk janë të respektueshëm. Për shemull njërin e qëlluan me thikë vetëm për një karikues.
Nuk mund të kesh besim tek shqiptarët, sepse gjëra të tilla ndodhin
3- Njerëzit nuk janë të sigurtë. Ato nuk e kanë problem të thyejnë rregullat, ligjet. Në shtete të tjera nëse nuk zbaton ligjet ata e dinë se çfarë u ndodh.
4- Policët ndalojnë një makinë në mes të rrugës dhe pengojnë të tjetërt të kalojnë.
5- Në qendra tregtare, stafi nuk kujdeset për të mbajtur pastër vendin.
6- Në Shqipëri njerëzit janë të dhunshëm. Nëse do i drejtohesh dikujt me fjalë ofenduese “si idiot” ata do të vijnë tju qëllojnë.
7- Shqipëria nuk është vend i vogël nuk ke shumë vende për të vizituar
8- Ka shumë të pasur që nuk kujdesen për njerëz të tjerë.
9- Prindërit nuk kujdesen për fëmijët e tyre, ndodh dhe që nuk i respektojnë apo i rrahin.
10-Arsyeja e fundit dhe më e rëndësishmja. Këtu ndodhin më shumë aksidente se në të gjithë botën
Një apel per ndergjegjesim
Videoja e Alenit duhet të na shërbejë si alarm për tu zgjuar nga letargjia. Të ndryshojmë atë që nuk na pëlqen, ta bëjmë më të mirë.
“Ky është një vend i vogël. Nuk është një vend i pasur. Por është e arsyeshme që qytetarët të kërkojnë që qeveria të sigurojë para për të blerë libra për studentët e saj.
Dhe kur qeveria thotë se nuk mund ta përballojë atë, ju duhet ta pyesni se si po paguajnë për godinat e tyre të dashura të qeverisë, për makinat e tyre luksoze dhe udhëtimet e tyre jashtë vendit.
Në demokraci, përgjegjësinë dhe pushtetin e keni ju. Ju duhet të kërkoni dhe nëse qeveria nuk ju përgjigjet ju e rrëzoni atë. Kështu funksionon demokracia” deklaroi ambasadori Donald Lu në një takim me të rinjtë në Rrëshen më 20 shtator.
Duhet të kërkojmë dhe të bëjmë ndryshimin
Ndërkombëtarët presin me padurim ditën kur të rinjtë shqiptarë do të të jenë udhëheqës të Shqipërisë.
” Ne e dimë se brezi juaj do të jetë më i mirë se gjenerata e atyre në udhëheqjen e Shqipërisë drejt së ardhmes së saj evropiane” u tha ambasadori i ShBA-së Donald Lu të rinjve në Rrëshen
Ne duhet të bëjmë ndryshimin me qëllim që fëmijët tanë kur të rriten ta kujtojnë fëmijërinë e tyre si gjënë më të bukur dhe jo plot stres e vuajtje.
Dhe po qe se ndonjë ditë duan dhe do të largohen, ne duhet të bëjmë që atyre tu jetë ngulitur mirë në kujtesë atdheu. Ta dojë edhe kur të dëgjojë se po e shajnë.
Alen sheh me edhe me sytë e djalit tim, apo djalit tënd dhe ne duhet ta dëgjojmë e të bëjmë ndryshimin.
Suela Gera