Leja e lindjes, përfitojnë 547 baballarë të siguruar

Brenda vitit 2017-të, plot 547 baballarë të siguruar kanë përfituar nga leja e lindjes. Kjo shifër është bërë me dije ditën e djeshme nga kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, i cili ka theksuar më tej se këta baballarë kanë fituar të drejtën e lejes së lindjes pasi nënat e fëmijëve nuk kanë pasur mundësi të qëndrojnë në shtëpi. “547 baballarë përfitojnë nga leja e lindjes! Jo vetëm nënat, por edhe baballarët, që janë të siguruar, kanë të drejtën e përfitimit të lejes së lindjes! Reforma në fushën e sigurimeve shoqërore ua mundëson këtë. Ndaj, gjatë vitit 2017, rreth 547 prej tyre, nga 117 që ishin gjatë vitit 2016, kanë përfituar nga kjo e drejtë, në pamundësi që nënat, për arsye objektive, të qëndrojnë në shtëpi, pas 63 ditëve të lindjes. ISSH, siguri e të ardhmes tuaj!”,-ka thënë Hado.

Kushtet dhe dokumentacioni
E ardhura për barrëlindje i paguhet gruas së siguruar për barrën dhe lindjen e fëmijës, kur ajo ka 12 muaj periudhë sigurimi, për çdo rast përfitimi. Vlen të theksohet se përjashtohet nga rregulli për periudhën e sigurimit rasti kur e drejta e pagesës për barrëlindjen e radhës ndodh brenda 24 muajve nga data e lindjes së fëmijës së mëparshëm. Sipas ISSH-së, periudha e përfitimit do të jetë 365 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 35 ditësh para dhe 63 ditësh pas lindjes së fëmijës. Për gruan që do të ketë në barrë më shumë se një fëmijë, periudha e përfitimit do të jetë 390 ditë kalendarike, duke përfshirë një minimum prej 60 ditë para dhe 63 ditë pas lindjes së fëmijëve.

“E ardhura për barrëlindje për gruan e siguruar është: 80 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës për pagesë për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindjes; b)50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës për pagesë për periudhën tjetër në vazhdim”,-thekson Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Ndërkohë e ardhura për barrëlindje për gratë e siguruara si të vetëpunësuara në bujqësi llogaritet sipas pikës 3, të këtij neni. Për periudhën deri në barazimin e kontributeve që paguajnë të vetëpunësuarit në bujqësi me të vetëpunësuarit në aktivitete jobujqësore, e ardhura për barrëlindje caktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Ndërkaq, nëna, që birëson fëmijën e moshës deri në 1 vjeç dhe që ka qenë e siguruar jo më pak se 12 muaj, ka të drejtë për leje pas lindjes, e cila fillon ditën e birësimit, por jo më parë se mbas ditës së 63-të të lindjes së fëmijës, dhe vazhdon jo më shumë se 330 ditë nga dita e lindjes së fëmijës. Minimumi i lejes për birësuesen është 28 ditë. ISSH bën me dije se kur një fëmijë është birësuar gjatë lejes së lindjes, nëna që ka lindur do të ketë një periudhë përfitimi deri në ditën e birësimit, por jo më pak se 63 ditë pas lindjes. Pas periudhës prej 63 ditësh pas lindjes, të drejtën e lejes për kujdes ndaj fëmijës e ka edhe babai ose birësuesi i siguruar, nëse këtë të drejtë nuk e ushtron apo nuk ka kushte për ta përfituar nëna. Shpërblim për lindje fëmije i paguhet një personi të siguruar, i cili është nëna ose babai i një fëmijë që lind, me kusht që njëri prej tyre të ketë kontribuar për një vit para lindjes se fëmijës. “Shpërblimi do të bëhet i pagueshëm vetëm një herë dhe nëna do të ketë përparësi në përfitimin e pagesës, në rast se ajo është e siguruar. Shpërblimi për çdo fëmijë të lindur do të jetë një shumë e barabartë me 50 përqind të pagës minimale mujore”,-bën me dije ISSH.

Dokumentacioni

Për të vetëpunësuarën në qytet
Raportet e paralindjes dhe pas lindjes.
Vërtetimi i pagës bruto/neto të një viti më parë nga data e lindjes së të drejtës
Certifikatë martese
Certifikatë familjare.
Certifikatë lindje të fëmijës
Fotokopje të licencës, ose të dokumentit të lëshuar nga QKR-ja.
Fotokopje të Kartës së Identitetit.
Për të vetëpunësuarin në qytet
Raportet
Vërtetimi i pagës bruto/neto të një viti më parë nga data e lindjes së të drejtës
Vërtetim që nuk vazhdon më aktivitetin
Certifikatë familjare
Certifikatë lindje të fëmijës
Fotokopje të licencës ose të dokumentit të lëshuar nga QKR-ja.
Fotokopje të Kartës së Identitetit.
Vërtetim vjetërsie për nënën e fëmijës nga subjekti ku punon ose nga zyra e punës.

Share With:
Translate »
850 Views