Letra e 13-vjeçarit shqiptar pasi familja fitoi Llotarinë Amerikane

Amerika është toka e premtuar e shumë familjeve shqiptare. Çdo vit shqiptarët aplikojnë në Llotarinë Amerikane dhe shumë prej tyre realizojnë ëndrrën. Njëjtë ka ndodhur edhe me familjen e Gerardit të cilët para tetë muajsh arritën në Shtetet e Bashkuara, eksperiencë të cilën e shpalos në letrën e mëposhtme:

Fluturimi nga Shqipëria në Amerikë ishte dita më e mërzitshme e jetës time. Ishte vërtet shumë e vështirë për mua dhe familjen time duke ditur që po shkonim në një vend tjetër për të nisur gjithçka nga zero. Mëngjesin që morrëm fluturimin, ishim të gjithë të menduar për të ardhmen e panjohur. 

Qielli atë ditë ishte i pastër kristal dhe moti ishte i mahnitshëm. Fluturimi zgjati 12 orë dhe kur arritëm, ishim të rraskapitur. Në Amerikë moti ishte shumë më i ftohtë dhe bora kishte bllokuar rrugët. Kur arritëm në shtëpinë tonë të re, unë isha shumë i lodhur për të qenë i entuziasmuar dhe u shtriva të fle. 

Kur u zgjova, ndjeva lagështinë e krijuar nga bora. Përshtypja e parë ishte pozitive. Unë u mrekullova nga ndërtesat e larta dhe fillova të mendoj që prindërit e mi kishin bërë zgjedhjen e duhur për të ardhur në Shtetet e Bashkuara. Unë fillova shkollën, zura shokë të rinj dhe po argëtohesha. Por pas 6 muajsh qëndrim në Philadelphia, prindërit më thanë që kishin vendosur për të lëvizur drejt Quincy, MA. Aspak e këndshme, unë isha i mërzitur dhe nuk doja të zhvendoseshim edhe pse brenda meje e dija që do të më ndryshonte jetën përgjithmonë. Pasi prindërit e mi më shpjeguan se shkollat në MA ishin më të mira, unë u binda që ishte lëvizja e duhur. Ishte e papritur. Zemra më thoshte që duhej të qëndronim, ndërsa truri më thoshte që të iknim. 

Sot, 2 muaj më vonë, them që zemra ime është bindur dhe se unë e dashuroj Quincy për disa arsye. Shkolla është një nga arsyet më të forta pse e bëj këtë deklaratë. Unë jam më i përfshirë në aktivitete si futbolli, basketbolli dhe vrapi. Po mësoj një gjuhë të re dhe po bëj shumë shokë. Qyteti është shumë i veçantë dhe e dua detin i cili është shumë pranë shtëpisë time. Quincy është shumë i organizuar dhe njerëzit janë gati për të ndihmuar, që na kanë shërbyer shumë në çdo ditë tonën. 

Në 8 muajt e fundit, kanë ndodhur shumë gjëra në jetën time të cilat kanë ndryshuar mënyrën time të të menduarit dhe e ndjej se më ka bërë më të fortë. Të gjitha këto ndryshime kanë qenë një test i vështirë për mua dhe familjen time, por tani mund të them se e kemi kaluar me sukses. Përshtatja me një shtet dhe jetë të re, takimi me njerëz të rinj, eksperiencat rritëse dhe mësimi i anglishtes më ka ndryshuar dhe më ka dhënë mësime të vlefshme. Tani ndjej se jam një person më i mirë dhe më i zgjuar me këndvështrim më të gjerë për botën. 

Shkroi: Gerard Llanaj /Kids’ Time

Share With:
Translate »
722 Views