Lodrat toksike! Të rritesh mes materialeve kancerogjene

Një pjesë e konsiderueshme e produkteve lodra për fëmijë, që tregtohen në vend, kanë nivel të lartë lëndësh kimike kancerogjene “ftalate” dhe “boroni” duke kërcënuar shëndetin e fëmijëve. ISHMT në 95% të rasteve të kontrolleve të kryera ka konstatuar lodra jashtë standardit. Por, si Inspektorati ashtu dhe Dogana e kanë të vështirë të ndalojnë produktet me rrezik kimik, pasi në vendin tonë nuk ka as laboratorë të akredituar për të kryer analizat kimike. Prindërit pohojnë se, e kanë të pamundur të njohin produktet me markimet CE false dhe ndalojnë kontaktin e fëmijëve me slime, kukulla apo topa plastikë, ndërsa ekspertët thonë se niveli i lartë i kimikateve shkakton shumë sëmundje, deri te tumoret malinje, që janë fatale për jetën e njeriut. Shqipëria importon mesatarisht rreth 4000 ton lodra në vit, me vlerë 3.4 miliardë lek. 61% e volumit total të tregut importohet nga Kina.

Lodrat për fëmijë shiten kudo në dyqane, minimarkete e kancelari brenda lagjeve apo dhe buzë rrugëve kryesore të Tiranës. Por, pak kush e di që një pjesë e konsiderueshme e tyre, që tregtohen në masë të madhe ne tregun shqiptar, janë të pakontrolluara dhe me përmbajtje kancerogjene.

Në vitin 2020, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, konfiskoi dhe asgjësoi mijëra lodra pasi kreu analizat në një laborator të BE-së për të paktën 42 produkte. Në këto teste rezultuan se seri të tëra të kukullave plastike, topa e “slime” kishin përmbajte kimikatesh të llojit ftalate (phthalates) deri në 48% më shumë dhe prani të boronit në nivele 10 herë më të larta nga norma e lejuar. Prania e këtyre kimikateve të rrezikshme për shëndetin e njeriut, veçanërisht te fëmijët e mitur përbënte një kërcënim për shfaqen e sëmundjeve tumorale. Për këtë arsye, ISHMT-ja tërhoqi nga tregu dhe asgjësoi me mijëra lodra kancerogjene.

Katër vjet nga publikimi i këtyre analizave, ne kemi kryer një vëzhgim në tregjet kryesore të kryeqytetit, mes të cilave tregun Çam, njësitë pranë tregut të Medresesë, përreth tregut të Kombinatit, në dyqanet e rrugës “Don Bosko”, më zonën e Ali Demit, pranë tregut të Laprakës, në pikat e shitjes përreth Pazarit të Ri, rrugën e Elbasanit, etj. Në këtë vëzhgim është konstatuar prani masive e lodrave të ngjashme me ato të klasifikuara zyrtarisht si të rrezikshme e me kimikate por dhe me qindra produkte me një sërë problemesh me markimin CE, me ambalazhimin apo dhe mungesën e etiketave informuese, sikurse parashikohet dhe nga ligji “Për sigurinë e lodrave”. Situata paraqitet alarmante edhe në qytetet e tjera të vendit.

Prania masive e lodrave toksike në treg, e bën thuajse të pamundur ndalimin e kontaktit të fëmijëve me to, pavarësisht kujdesit të prindërve.

“Lodrat tradicionale si arushë, kukulla apo lodra me tinguj dhe edukative janë e vetmja formë për argëtimin e fëmijëve dhe për të shmangur kontaktin e tyre me botën teknologjike”, – shprehet Edisoni, babai i një vajze 10-muajsh. Ai shton se “për fat të keq, fëmijët po rriten në një ambient të pasigurt, pasi rrethohen nga lodra toksike”. Edisoni pohon se “nuk është në dijeni të fushatave të ndërgjegjësimit”, ndonëse sipas tij as kjo nuk është një zgjidhje: “Duke marrë parasysh dhe rrethin e gjerë të familjarëve dhe shoqërisë, që kanë ardhur për vizitë pas lindjes së gocës, lodrat kanë qenë një dhuratë e pashmangshme. Ne patjetër që nuk mund t’i pyesim ata as se ku i kanë blerë lodrat, nëse janë prodhim kinez dhe as nëse u kanë lexuar etiketën”. 28-vjeçari tregon me shqetësim se edhe “në rastet kur ka blerë vetë lodrat për vajzën e ka patur thuajse të pamundur të dallojë nëse markimi CE është i vlefshëm apo fals”.

Ndërsa Dena Mullaj, mamaje Fladias 10-vjecare thekson se është e informuar për rreziqet që produktet lodra mund të sjellin dhe shton se përpiqet ti shmangë gjithnjë produktet kineze. “Kur Fladia ishte më e vogël ne blinim shpesh lodra, por, sa herë kam mundur kam zgjedhur dyqanet e sigurta ose i kam blerë jashtë shtetit”, – përfundon ajo.

Nga ana tjetër ekspertët ngrenë alarmin për rrezikun që sjellin lodrat më përmbajtje të lartë të lëndëve kimike, pasi pasojat afatgjatë në shëndetin e të miturve mund të jenë fatale, deri në shfaqen e sëmundjeve kancerogjene.

“Lodrat e fëmijëve përmbajnë elemente kimikë, të cilët nëse nuk janë përdorur në sasinë organike të tyre, i kthen ato në elemente shumë të dëmshme për konsumatorin”, shprehet pediatria e fëmijëve Lori Gjoni. Sipas saj “PVC-ja e gjendur zakonisht tek kukullat plastike shkakton alergji; kadmiumi shkakton dhimbje koke, dhimbje muskujsh, ethe, dhimbje barku, etj.; dioksid i titanit shkakton leukoza, sëmundje të natyrës malinje, ndërsa zinku procese tumorale.

Ekspertët theksojnë se ftalatet janë kimikate që gjenden në shumë produkte jo ushqimore që përdoren gjerësisht, por kur ato janë në vlera shumë të larta, sikurse u zbuluan në lodrat për të miturit, pasojat nisin nga alergjitë, azma, nxitja e autizimit te fëmijët, dëmtimi i sistemit riprodhues e deri te tumoret malinje, që janë fatale për jetën e njeriut.

Për këtë arsye, Bashkimi Europian ka ngritur një databazë e njohur si RAPEX e cila përditëson informacionet në lidhje me produktet me nivelet e larta të ftalateve, që cilat duhet shmangur nga përdorimi.

Lodrat toksike “pushtojnë” tregun, në 95% të inspektimeve të ISHMT-së janë konstatuar probleme  

Kaosi në tregun e lodrave për fëmijë konfirmohet zyrtarisht edhe nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut. Në përgjigje të kërkesës sonë për informacion, ISHMT pohon se “gjatë viteve 2018-2023 janë realizuar në total 323 inspektime në fushën e produkteve lodra, ku janë kontrolluar 4604 produkte nga të cilat janë konstatuar 305 produkte jo në konformitet dhe janë marrë 85 masa urgjente”.

Kjo do të thotë se, nga kontrollet që agjencia publike ka kryer në dyqane, njësi tregtare apo tregje të hapura në të gjithë territorin e vendit për një periudhë 5-vjecare, në 95% të rasteve inspektorati ka vërejtur problematika që lidhen me rrezikun kimik, markimin, informimin e paketimin e produkteve. Nga këto kontrolle në 85 raste është urdhëruar konfiskim ose asgjesimi i lodrave.

Por problematika është shumë herë më e madhe nga të dhënat e paraqitura në grafikun e mësipërm. Ndonëse në raportet zyrtare flitet për numër produktesh, një produkt përllogarit një seri prej mijëra copësh. Ky fakt u konfirmua edhe në rastin e aksionit të ISHMT-së, ku vetëm gjatë kontrolleve për periudhën Nëntor 2019-Janar 2020, pas analizave te 42 produkteve, u asgjesuan rreth 13 mijë copë lodra.

Shqipëria importon mesatarisht afro 4000 ton lodra në vit. Gjatë vitit 2022 vlera totale e këtyre mallrave të importit përllogaritej në 3.4 miliardë lekë. Sipas të dhënave zyrtare të Instatit 61% e volumit total të tregut importohet nga Kina, e ndjekur nga Italia me 12% dhe Turqia e Çekia me respektivisht 9% dhe 3% e totalit.

Burime pranë ISHMT-së bëjnë me dije se problematikat më të mëdha, veçanërisht me përdorimin e lartë të normës së kimikateve kancerogjene, janë vërejtur pikërisht në lodrat me origjinë kineze. Lodrat kimike kineze janë një shqetësim jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Bashkimit Europian.

Në vitin 2019, agjencitë kombëtare të 13 shteteve të BE-së zhvilluan një aksion të koordinuar në të cilin kontrolluan 2.26 milionë lodra importi nga Kina. Prej kësaj sasie rreth 723 mijë ose 32% e produkteve u bllokuan pasi rezultuan me lëndë kimike kancerogjene.

Vendet anëtarë të BE-së kanë një ndjeshmëri të lartë për këtë çështje. Krahas kontrolleve që zhvillojnë me teste laboratorike, unioni publikon në mënyrë të vazhdueshme produktet e dëmshme në sistemin RAPEX, e cila është databaza e sistemit emergjent të alertit në BE, për produkte jo-ushqimore të rrezikshme.

Shqipëria pa laboratorë testimi, dogana nuk frenon dot fluksin e lodrave toksike

Prania masive e lodrave toksike në treg apo dhe atyre që nuk përputhen me standardet ligjore tregon se autoritetet doganore nuk kanë mundur të bllokojnë importin e tyre.

“Autoritetet doganore pezullojnë zhdoganimin e produktit për të qarkulluar lirisht në territorin e Shqipërisë në rastet kur konstatohet se produkti paraqet një risk serioz për shëndetin, sigurinë, mjedisin, etj., si dhe kur markimi CE i konformitetit është fiksuar në mënyrë të falsifikuar ose mungon krejtësisht”, – thuhet në nenin 34, të ligjit “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve jo ushqimore”.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nuk i është përgjigjur kërkesës sonë për informacion në lidhje me rastet e lodrave problematike që janë ndaluar gjatë kontrollit në doganë përgjatë pesë viteve të fundit.

Ndërkaq ISHMT thekson se dy institucionet janë duke përpiluar një marrëveshjeje me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave: “Në kuadër të bashkëpunimit me DPD jemi në fazën e hartimit të një marrëveshje e cila është në proces. Drejtoria e Mbikëqyrjes së Produkteve ka vijuar kontrollin dhe ka dhënë kontributin e saj në vijim të kërkesave nga autoritetet doganore për kontrollin formal dhe të dokumenteve të produkteve jo ushqimore”, – thuhet në përgjigjen e dërguar, në të cilën nuk specifikohen raste konkrete kur këto kanë ndodhur dhe nëse ka patur apo jo ndalime dhe asgjësime që në doganë të lodrave toksike.

Kontrollet dhe bllokimi i produkteve me kimikate të rrezikshme kancerogjene vështirësohen edhe nga mungesa e laboratorëve për analizimin e produkteve lodra. “Shqipëria aktualisht nuk disponon një laborator të akredituar për të kryer analizat e produkteve në fjalë, për këtë arsye Inspektorati, në rastet e dyshimeve mbi konformitetin e tyre ka realizuar kontrollin laboratorik të 42 mostrave lodra të cilat janë analizuar në një laborator të akredituar të vendeve të BE-së”, – nënvizon ISHMT.

Por pavarësisht se rreziku mbetet i lartë dhe tregu është i mbushur me lodra jashtë standardeve, kjo agjenci ka kryer vetëm një analizë laboratorike në 5 vitet e fundit.

Mungesa e laboratorëve të specializuara dhe e fondeve për testime detyrojnë inspektorët të kryejnë kontrolle fizike, çka e kthen “betejën” me lodrat kimike një luftë me mullinjtë e erës.

Share With:
Translate »
71 Views