“Mami u diagnostikua me kancer gjiri 1 vit pas meje”, mësuesja: Nuk ia doli dot, ishte goditja ime e dytë

Historitë që përsëriten nuk janë domosdoshmërisht të lumtura, madje shpesh bëhen më të hidhura  se sa hera  e parë që ndodhin. Në rastin e Enida Bebit, mësueses nga Elbasani, e ftuar në “Rudina” në Tv Klan që rrëfen betejën e saj me kancerin e gjirit, i cili thjesht u shfaq, ndonëse nuk kishin asnjë rast të mëparshëm familjar dhe asokohe ishte vetëm 34 vjeçe.

Një vit pas diagnostikimit të Enidës me kancer gjiri, nëna e saj mori të njëjtën diagnozë si e bija. Ndryshe nga Enida që mundi ta mposhtte sëmundjen dhe sot gëzon shëndet, edhe pse risku është gjithnjë aty, nëna e saj nuk pati të njëjtin rrugëtim dhe humbi jetën.

Enida Bebi: Mami nuk pati fatin tim. Kanceri i mamit ishte agresiv dhe pavarësisht trajtimeve dhe gjithë gjërave që ne u munduam të bënim bashkë me doktorët, mami humbi jetën rreth 3 vjet pas operacionit tim. Luftoi rreth 1 vit e gjysmë me sëmundjen dhe pastaj humbi jetën.

Rudina Magjistari: Shumë e rëndë, më vjen keq për  të, por sidomos për ty sepse duhet të ketë qenë akoma më e vështirë në këtë situatë.

Enida Bebi: Shumë e vështirë. Ajo ishte si të themi, goditja ime e dytë, sepse mami ishte shoqja ime, motra ime si çdo njeri, si çdo vajzë nëna e saj. Humbja e saj ishte gati e papërballueshme për mua. Ishte si të riktheheshin dhe njëherë sepse kalvari që unë kalova me kimioterapinë, me dyer spitalesh etj, m’u desh që t’i kaloja shumë shpejt, pa arritur që të superoja të timen, m’u desh që t’i kaloja përsëri me mamin dhe në fund nuk ia dolëm betejës.

Share With:
Translate »
19 Views