Martesa e dështuar e Adelina Mamaqit dhe poezitë për dy djemtë

Adelina Mamaqi mbetet ndër shkrimtaret më të njohura të letërsisë për fëmijë. Për rreth tri dekada ajo botoi libra me poezi, tregime, fabula e përralla.

Ajo spikati qysh me botimin e përmbledhjes së parë, – “Ëndrra vashërie”.

Jeta e Adelinës megjithatë nuk ka qenë fushë me lule a këngë e bukur. Në bashkëbisedim me Sanije Gashin, për librin – Ecje nëpër kujtesë -, Adelina tregon mes tjerash edhe raportin me burrin e saj dhe me fëmijët e saj. Një martesë e dështuar ndoshta ka qenë inspirim për Adelinën, me poezitë e së cilës janë rritur mijëra e mijëra fëmijë kudo ku ka shqiptarë.

Ja çfarë thotë ajo mes tjerash në libër:
Poetja është ndër gratë e rralla që sinqerisht rrëfen të kaluarën e saj, ashtu çiltër, pa komplekse, si në rininë e saj kur shkruante poezi dashurie:
Unë ka pasur një dashur platonike, që s`u realizua kurrë…
Ishte martuar e re me këngëtarin e operës, Thoma Nova (tani i ndjerë), mirëpo kjo martesë nuk qe e mbarë.
E dini pse? Unë, që natën e parë, ndjeva zhgënjimin e martesës! Ndoshta pse ishte martesë me një fejesë shumë të shkurtër, që nuk arrita ta njihja bashkëshortin tim. Qava dhe i thashë: ne do të ndahemi! Megjithatë, vazhduam të jetonim bashkë. Unë pritja me lumturinë më të madhe lindjen e fëmijës, i cili erdhi pas dy vjetësh. E pagëzova Darling. Ja pse: kisha lexuar një roman, më kishte bërë përshtypje emri Darling, por edhe duke qenë një cikë nën ndikimin e gjuhës angleze, që në shtëpinë tonë e flisnin mama, babai, xhaxhai dhe tezja (dy vëllezër të martuar me motra), që të gjithë me shkolla amerikane. Po e dëshiroja këtë fëmijë, ishte gjithë dashuria ime. Darling do të thotë i dashur.

Darli, bir, ti se di
Telefoni s`është tingull
Është dridhje e shpirtit:
Sa herë bie – je ti!

Darli, bir, ti s`e di
Zgjimi im s`është zgjim,
Gjumi im s`është gjumë
Jetë e ëndërr je ti!
Darli bir, ti se di!

Pas tij linda djalin e dytë po kaq të dashur e të dëshiruar, ai ka emër të vjetër shqiptar, Bledar, këtu jam shqiptare – qesh. Atij, në mërgim, i kushtoj vargjet:

Biri im, o dritë, o jetë
Qielli pus e deto hon
Midis tyre, nënë e shkretë,
Për ty vdes, e për ty rron!

Jetova me Thomain pesë vjet dhe i thashë: Mjaft më, nuk ecën! Ishim të natyrave të ndryshme. I morra fëmijët dhe e kalova jetën tek prindërit.
Unë i dua njerëzit. Veçse jap shumë, e marr pak. T`jua them, unë kam një të mirë, rrëzohem, po sërish ngrihem në këmbë! Ky ka qenë edhe mërgimi im. Ndoshta pse vuajta shumë atje, atë stres ia kam përcjellë edhe tim biri, e që duhej ta bëja të kundërtën- / KultPlus

Share With:
Translate »
953 Views