Matura Shtetërore, sot provimi për gjuhën e huaj, Kushi mesazh nxënësve: Punoni të qetë

Nis në orën 10:00 provimi i parë i Maturës Shtetërore, për gjuhën e huaj. Siç ka bërë me dije Ministria e Arsimit, provimi do të zgjasë 2 orë e 30 minuta. Më 11 qershor, maturantët do t’i nënshtrohen provimit të gjuhës shqipe dhe letërsisë, në 17 qershor provimi i matematikës dhe në 24 qershor provimi i lëndës me zgjedhje.

Ministrja Evis Kushi u ka uruar suksese të gjithë maturantëve ndërsa ka dhënë dhe disa porosi. Kushi u kërkoi maturantëve që kur të bëjnë zgjedhjen e degës për në Universitet të marrin në konsideratë ato programe për të cilat ka nevojë tregu i punës.

“Ky moment ka një peshë të rëndësishme për të vazhduar në fazën e studimeve të larta. Keni punuar shumë, bashkë me mësuesit për të plotësuar njohuritë e marra gjatë mësimit online. Këtë vit, ka disa risi të cilat dua ti ndaj dhe inkurajoj që t’i shfrytëzoni. Cilësia e arsimit të lartë në vend, falë procesit të ndërkombëtarizimit po rritet gjithnjë e më shumë. Pak ditë më parë ne kemi përcaktuar programet e studimit prioritet kombëtar, që do ju ofrojnë përjashtim nga tarifat dhe mbështetje financiare me bursa studimi. Kur të bëni zgjedhjen, konsideroni dhe ato programe për të cilat ka nevojë tregu i punës dhe zhvillimi i vendit me qëllim rritjen e mundësive të punësimit në të ardhmen. Hapi i parë drejt universitetit janë provimet e maturës. Punoni të qetë dhe me besim në vetvete, por edhe besim te procesi”, tha Kushi në një video mesazh në rrjetin social Facebook.

 

Share With:
Translate »
36 Views