Mbytet në Egje familja me 5 anëtarë, po arratisej për në Greqi

Një familje turke me pesë anëtarë që u përpoq të largohej nga persekutimi në Turqi, u mbyt në Detin Egje pranë ishullit grek të Lesvës. Autoritet turke kishin lëshuar një urdhër-arrest për ta, për shkak të lidhjes që ata kishin me “Lëvizjen Gylen”.

Për këtë arsye ata vendosën të largoheshin për në Greqi. Por Husejn Maden së bashku me bashkëshorten e tij, dhe tre fëmijët e tyre u mbytën në afërsi të brigjeve greke, si rezultat i përmbysjes së varkës.

Urdhër-arresti ishte lëshuar për Husejn Maden (40 vjeç), dhe gruan e tij Nur Maden (36 vjeç). Të dy ishin mësues të shkarkuar nga puna pas grushtit të shtetit të dështuar vitin e kaluar, si të dyshuar të kenë lidhjeve me lëvizjen Gylen, të cilën qeveria turke e akuzon se qëndron pas përpjekjes për grusht shtetit.

Për një kohë të gjatë familja qëndroi e fshehur nga policia. Për arsye se kishte humbur punën dhe e gjithë pasuria e tij ishte konfiskuar nga shteti, Husejn Maden kontaktoi me shumë njerëz që bënin trafikim klandestinësh.

Por nuk arriti të plotësonte dot shumën e kërkuar prej trafikantëve që kërkohej për gjithë familjen. Më pas ai mori para hua nga shokët e tij dhe arriti të blinte një varkë. Kështu që, vendosi ta çonte familjen e tij në ishullin Midilli, të Greqisë. Në ujërat e Egjeut u nis bashkë me familjen e tij.

Më pas, informacioni i fundit që dihet është mesazhi që i dërgoi familjes “Shohim dritë, mbërritëm në ishull”. Pas këtij mesazhi kaluan 20 ditë pa asnjë lloj kontakti.

Në 11 nëntor, u njoftua në mediet greke se autoritetet kishin zbuluar tre fëmijë të vdekur brenda pak ditëve në bregun verilindor të Lesvos, duke i vënë në lëvizje autoritetet lokale të portit, të cilët nisën një hetim.

Sipas raporteve, trupi i një djali në një fazë të avancuar të dekompozimit dhe moshës së papërcaktuar u gjet në 11 nëntor pranë Mantamado. Ai pasoi zbulimin e dy trupave të tjerë, të një djali të moshës 12-13 vjeç të premten, dhe të një vajze afërsisht të së njëjtës moshë të enjten. Të dy u gjetën gjithashtu pranë Mantamado.

Çifti dhe fëmijët e tyre Nadire Maden (13), Bahar Maden (10) dhe Feridun Maden (7) u mbytën ndërsa tentuan të largoheshin nga persekutimi i regjimit të Rexhep Taip Erdoganit, që përndjek anëtarët e lëvizjes Gylen.

Shumë njerëz janë përpjekur të ikin nga Turqia në mënyrë të paligjshme, pasi qeveria turke anulloi pasaportat e tyre, për shkak të lidhjes së tyre me “Lëvizjen Gylen”.

Fethullah Gylen, i cili frymëzoi lëvizjen, mohoi fuqishëm të kishte ndonjë rol në grushtin e dështuar dhe bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar mbi të, por Presidenti Erdogan- duke e quajtur përpjekjen e grushtit të shtetit: “një dhuratë nga Perëndia” – urdhëroi qeverinë të filloj një spastrim të gjerë për pastrimin e simpatizantëve të lëvizjes nga brenda institucioneve shtetërore, dehumanizimin e figurave të saj popullore dhe vënien e tyre në paraburgim.

Turqia ka pezulluar ose shkarkuar më shumë se 150,000 gjyqtarë, mësues, policë dhe nëpunës civilë që nga data 15 korrik 2016. Ministria e Drejtësisë e Turqisë njoftoi më 13 korrik se 50,510 njerëz janë arrestuar dhe 169,013 kanë qenë subjekt i procedurave ligjore mbi akuzat për grusht shteti pas dështimit të grushtit të shtetit.

Share With:
Translate »
806 Views