“Më e përkëdhelura”, Daci për rastin e 15-vjeçares në Durrës: Babai pa disa biseda dhe i mori celularin

Javën e shkuar, një ngjarje e rëndë në Durrës shkaktoi tronditje por që më pas ndryshoi rrjedhë. Një 15-vjeçare rrëfeu te psikologia e shkollës se babai i saj 48-vjeçar kishte abuzuar me të për 4 vite. Pas shoqërimit të babait nga autoritetet, vajzës i është bërë ekspertiza mjeko-ligjore e cila përcaktoi se 15-vjeçarja nuk kishte shenja abuzimi duke hedhur poshtë versionin e saj.

Por si nisi gjithë historia dhe cilat ishin motivet që e shtynë 15-vjeçaren drejt një rrëfimi të tillë? Gazetarja Glidona Daci, e ftuar në “Rudina” në Tv Klan rendit ngjarjen kronologjikisht duke shpjeguar se çfarë ka ndodhur përpara se babai i vajzës të merrej nga autoritetet për abuzim seksual ndaj të miturës.

Glidona Daci: Gjithçka ka nisur në shtëpi. Babai ka parë komunikimet e shpeshta me vajzën, nuk mësonte në shkollë, nota shumë të ulëta dhe ka filluar t’i kërkojë llogari. Për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale që vajza kishte bërë të paktën kur ishte rreth klasës së tretë ose të katërt, ajo ishte më e përkëdhelura e shtëpisë. Për shkak të rezultateve të ulëta në shkollë, babai fillon t’i kërkojë llogari dhe i thotë që duhet të shkëputesh nga celulari sepse po rri shumë në celular. Në një moment, ai ia ka marrë celularin dhe ka parë disa biseda jo të hijshme për moshën e saj me një shoqe, të paktën emri, ishte shënuar emri i një vajze. Babai ka filluar t’i kërkojë llogari, ka hasur në rezistencën e së bijës, ka pasur një debat në shtëpi, ka ardhur dhe bashkëshortja dhe kanë diskutuar në lidhje me këtë histori. Babai i ka vënë një kusht që në rast se situata dhe historia përsëritet, unë do të ta marr celularin.

Sërish pas disa ditësh është përsëritur po i njëjti diskutim, po i njëjti debat me familjarët dhe vajzës i ati i ka marrë celularin. Ajo është ankuar te e ëma dhe ka pasur një diskutim mes dy bashkëshortëve lidhur me këtë histori pse duhet t’i merrte celularin vajzës dhe bashkëshorti ia ka shpjeguar që shiko se i kam gjetur disa mesazhe, kam parë disa mesazhe, komunikime të cilat janë me përmbajtje jo të duhur për moshën e saj dhe nuk duhet të shoqërohet me grupin shoqëror me të cilët ajo rri sepse nuk janë njerëzit apo grupmosha e duhur për t’u shoqëruar. Kjo e ka revoltuar vajzën duke qenë se babai i ka marrë celularin, nuk ia kthente më, nuk do e linte që të dilte nga shtëpia sepse do të duhej të përkushtohej dhe të mësonte në shkollë. 

Në një moment, kur e ëma ka shkuar të fliste me 15-vjeçaren, ajo i ka thënë që “mos ma përmend babain sepse më vjen për të vjellë” dhe nëna e ka pyetur se “pse, çfarë ka ndodhur, çfarë të tha?”, pas një debati me tone të ashpra midis babait dhe 15-vjeçares. Ajo i ka treguar nënës fillimisht që babai më ka abuzuar seksualisht para 4 vitesh ndërkohë që herën e fundit ka ndodhur 2 ditë përpara sherrit. Nëna ka shkuar menjëherë t’i kërkojë llogari bashkëshortit në lidhje me këtë historinë, ai ia ka mohuar kategorikisht, “nuk është e vërtetë, nuk ka ndodhur një gjë e tillë” dhe “unë kurrë në marrdhënien tonë s’kam pasur asnjë sekret me ty dhe s’kam si të bëj një gjë kaq të rëndë”.

Duke patur në dorë dy versione të ndryshme, nëna ka këshilluar vajzën që të flasë me psikologen e shkollës. Kjo e fundit ka njoftuar menjëherë strukturat e policisë që kanë vendosur në pranga 48-vjeçarin.  Ai ka  deklaruar se nuk e ka kryer një vepër të tillë, ndërsa ka pranuar se i vetmi veprim që ka bërë ndaj së bijës ka qenë ta godiste me një shuplakë.

Glidona Daci: Ai  ka dhënë deklarimet e para dhe e ka mohuar kategorikisht, madje në një moment edhe në sallën e gjyqit për vlerësimin e masës së sigurimit, ai ka pranuar që e ka goditur vajzën me një shpullë për shkak të rezistencës dhe kundërshtimit të saj që mos t’i jepte telefonin, që mos t’i bindej urdhrave të babait, por mohonte kategorikisht që të kishte kryer marrëdhënie seksuale me të bijën./

Share With:
Translate »
49 Views