Mesazhi i Obamës thyen rekordin e pëlqimeve në Twitter

Twitter-i mund të jetë formati i parapëlqyer i presidentit Donald Trump për të komunikuar, por përgjigja e ish-presidentit Barack Obama për dhunën në Charlottesville është bërë postimi më i pëlqyer në historinë e kësaj platforme sociale. Postimi, i pari në një seri prej tre shkrimesh, citon fjalët e Nelson Mandela-s dhe shoqërohet nga një foto e ish-presidentit Obama duke buzëqeshur me një grup fëmijësh me përkatësi të ndryshme raciale. Që prej 13 gushtit kur është postuar, pas sulmit në Charlottesville, Virxhinia shkrimi është “pëlqyer” mbi 3 milionë herë, duke kaluar kështu postimin e këngëtares Ariana Grande, pas sulmit terrorist në Mançester në maj të këtij viti. Në një seri prej tre shkrimesh, Obama citoi një fragment nga autobiografia e Nelson Mandelës, Rruga e Gjatë Drejt Lirisë. “Askush nuk lind nuk urryer një tjetër person për shkak të ngjyrës së lëkurës, historisë ose fesë së tij,” lexon mesazhi. “Njerëzit duhet të mësojnë të urrejnë dhe nëse mund të mësojnë të urrejnë, ata mund të mësojnë të duan. Kjo sepse dashuria vjen më natyrisht tek zemra njerëzore sesa e kundërta e saj.” Ndërkohë, fotografia që shoqëron postimin tregon ish-presidentin në 2011, teksa ai vizitonte një qendër të kujdesit ditor në Bethesda, Maryland. Çasti është përjetësuar nga fotografi i atëhershëm i Shtëpisë së Bardhë, Pete Souza. Që prej zgjedhjes së Trump si president, Souza ka postuar një sërë imazhesh në faqen e tij në Instagram, ku tregohet ndryshimi mes presidencës Obama dhe të pasardhësit të tij.

Share With:
Translate »
766 Views