Mësoni njollat në lëkurën e foshnjes që ngatërrohen me rrjebullën

Ju ka ndodhur të vini re në lëkurën e fëmijës suaj disa njolla të kuqe, të cilat ngjajnë me shenjat e irritimit pas kontaktit me gjethet e hithrës? Ky irritim është shumë i përhapur tek të porsalindurit dhe njihet me termin mjekësor sudamina. Sudamina është një patologji dermike që krijohet si pasojë e prodhimit të tepërt të djersës në zonat delikate të lëkurës së fëmijës si: veshët, kraharori, shpatullat, qafa dhe fytyra.

Shpeshherë prindërit e ngatërrojnë sudaminën me dermatitin atopik (rrjebullën), kur në të vërtetë bëhët fjalë për dy sëmundje të lëkurës të ndryshme nga njëra-tjetra. Sudamina krijohet si pasojë e djersitjes së tepërt që nuk avullon, por përthithet nga lëkura. Veshja e papërshtatshme e foshnjes krahasuar me temperaturën e ambientit ku ndodhet është një ndër shkaqet kryesore të shfaqjes së sudaminës.

Por jo vetëm, ajrosja jo e mirë e dhomës ku qëndron foshnja ndikon po ashtu në shfaqjen e pikave të kuqe në lëkurën e tij. Siç e thamë edhe më lart, sudamina ka ngjashmëri me dermatitin atopik (rrjebullën) dhe jo çdo prind është i përgatitur para një situate të tillë. Disa nga shenjat më karakteristike të sudaminës janë: lëkura e të porsalindurit është e ashpër dhe e skuqur, pikat e kuqe kur inflamohen marrin formën e flluskave , foshnja shfaq temperature të lartë dhe provon ndjesinë e kruajtjes. Për këtë arsye duhet të tregoheni shumë të kujdesshëm me mënyrën se si vishni fëmijën.

Përpiquni të mos e shndërroni në ”një thes” duke veshur me shumë rroba, zgjidhni kryesisht materiale pambuku dhe evitoni përdorimin e veshjeve sintetike. Në mënyrë kategorike këto të fundit nuk duhet të bien në kontakt të drejtpërdejtë me lëkurën. Kini kujdes me detergjentët dhe solucionet zbutëse të veshjeve të fëmijës, mundohuni të zgjidhni produkte me sa më pak përmbajtje kimike.

Është e rëndësishme që lëkura e fëmijës të ajroset, për këtë arsye duhet ta lini për disa minuta në ditë zhveshur. Kur foshnja shfaq shenjat e mësipërme të sudaminës, i duhet kushtuar shumë rëndësi larjes së tij. Lajeni vetëm me ujë dhe masazhoni lëkurën me vajëra bimorë. Një tjetër detaj i rëndësishëm është edhe ajrosja e shtëpisë, mundohuni ta ajrosni sa më shpesh dhe të evitoni aromatizuesit e rëndë.

Share With:
Translate »
832 Views